Lefter Koka
Z. Lefter Koka lindi në qytetin e Durrësit, më 4 Gusht 1964. Ai është i martuar me znj. Brunilda Koka, me të cilën ka edhe tre fëmijë, Arbin, Rinën dhe Anën.
Z. Koka ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit Ndërkombëtar të Shkencave Juridike në Strugë.
Në vitin 2000, pas një angazhimi të gjatë në sektorin privat, z. Koka zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Durrësit. Gjatë periudhës 2003 – 2007, z. Koka ka qenë Kryetar i Bashkisë Durrës e gjatë së njëjtës periudhë shërbeu edhe si anëtar i Këshillit të Qarkut Durrës.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, z. Koka përfaqësoi votuesit e Qarkut Durrës në legjislaturën XVIII të Parlamentit Shqiptar, nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Si deputet në legjislaturën XVIII të Parlamentit Shqiptar, z. Koka shërbeu njëkohësisht si Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe si anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
Nga viti 2009 e në vazhdim z. Koka ka shërbyer si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dega Durrës dhe si anëtar i Kryesisë qendrore të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, z. Koka u rizgjodh si përfaqësues i Qarkut Durrës në legjislaturën XIX të parlamentit shqiptar, nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Z. Koka është njohës shumë i mirë i gjuhës italiane dhe njohës i gjuhës angleze.