Ilirian Çelibashi
Z. Ilirjan Celibashi u lind më 2 Tetor 1969, në Çorovodë, Skrapar. Ai është i martuar me znj. Ardiana Celibashi dhe kanë një vajzë, Telmën.
Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës dhe në përfundim të tyre, në vitin 1992, u diplomua “Jurist”.
Në Korrik të vitit 1992, ai u emërua Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Fier, e më pas u emërua Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë, Mallakastër, funksion të cilin e ushtroi deri në Janar të vitit 1998. Gjithashtu, ai ka shërbyer si Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit, Durrës.
Në Tetor 1998, u emërua Zëvendësministër i Rendit Publik. Në periudhën 2001 – 2006, ai u zgjodh Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nën drejtimin e z. Ilirjan Celibashi, KQZ përgatiti dhe administroi Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2001 dhe 2005, si dhe Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2003.
Në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, të 23 Qershorit 2013, z. Celibashi u zgjodh deputet i Qarkut të Fierit, për Partinë Socialiste. Z. Ilirjan Celibashi ka marrë pjesë në një sërë kursesh dhe seminaresh për specializim në fushën e së drejtës.
Ai ka qenë pjesëmarrës dhe referues në takime dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si gjatë periudhës kur ai ushtronte funksionin e gjyqtarit, po ashtu edhe në periudhën kur ai ishte Kryetar i KQZ-së.
Z. Celibashi, zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe atë italiane.