Edmond Panariti

Z. Edmond Panariti, lindi në Tiranë, më 1 Qershor të vitit 1960 dhe është i martuar me znj. Narin Panariti, me të cilën ka dy djem, Klajd dhe Bjorn Panariti.

Prof. Dr. Edmond Panariti, ka përfunduar studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1984. Ai mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe titullin Profesor. Prof. Edmond Panariti ka kryer Studime të thelluara pasuniversitare gjatë viteve 1989 – 1992, pranë Shkollës Politeknike Federale (ETH) dhe Universitetit të Zyrihut në Zvicër. Në vitet 1995 – 2000, është fitues i dy bursave Fulbright për kërkim shkencor dhe ligjërim në Universitetet e Kentakit dhe të Misisipit në SHBA. Në vitet 1994 – 1998 dhe 2004, kryen studime të thelluara pasuniversitare në Universitetin Veterinar të Hanoverit në Gjermani. Z. Edmond Panariti ka një karrierë të gjatë profesionale në Institutin e Kërkimeve dhe Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Edmond Panariti ka shërbyer si drejtues projekti në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe aktualisht është Profesor titullar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Z. Panariti, është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim që prej vitit 2004. Ai ka mbajtur funksionet e Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe të Sekretarit për Bujqësine dhe Mjedisin. Në vitin 2011, Prof. Panariti zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe më pas emërohet Zëvendëskryetar i Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2012, emërohet Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe njëkohësisht mbajti edhe postin e Presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Prof. Edmond Panariti flet rrjedhshëm gjuhët angleze, gjermane, frënge dhe italiane.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi