Bledi Çuçi
Z. Bledi Çuçi lindi në Tiranë, më 14 Nëntor 1970. Ai ka një djalë, Endi Çuçi.
Z. Çuçi përfundoi studimet pasuniversitare (Master) për menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë (1998); studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës (1995) dhe studimet në shkollën e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë (1989).
Z. Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese ndër të tjera, si Kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë në vitet 2000 -2 001. Ka qenë Këshilltar i Ministrit, Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor deri në fund të vitit 2005. Gjatë kësaj kohe z. Çuçi ka qenë edhe përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Strasburg (2003 – 2005); anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian (2003 – 2006) dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e Administratës Publike në Shqipëri (2003 – 2005).
Gjatë viteve 2006 – 2010, ai ka punuar si ekspert i pavarur për çështje të administratës publike, të reformës në drejtësi dhe të kuadrit ligjor për biznesin në programe të financuara nga USAID, Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (DfID), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe BE-së Shqipëri dhe Kosovë. Në vitet 2010 – 2011, z. Çuçi ka qenë Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës për Autonominë Vendore.
U aktivizua me strukturat drejtuese të PS-së që prej vitit 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Ai u rizgjodh anëtar i Asamblesë së partisë edhe në vitin 2011. Në vitet 2011 – 2012, z. Çuçi ishte ekspert i PS-së në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Që prej Shkurtit 2012, ai mban detyrën e Nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS.
Ai ka ndjekur një seri kursesh e trajnimesh profesionale lidhur me administrimin e sistemit gjyqësor, prokurimet publike, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e administratës publike, të organizuara nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian, USAID dhe qeveria italiane në Shqipëri, Lituani, Greqi, Itali e disa vende të tjera.