Mirela Kumbaro
Znj. Mirela Kumbaro Furxhi ka lindur në Tiranë, në vitin 1966.
Ajo është e martuar me z. Aleksandër Furxhi dhe është nënë e dy fëmijëve, Sarës dhe Tomit.
Ajo mban titullin Profesore e Asociuar, të fituar në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, në fushën e gjuhësisë. Në vitin 2009 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës. Ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sorbonne – Nouvelle, në Paris, Francë. Ka kryer studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në fushën e letrave frënge, në vitin 1988.
Znj. Mirela Kumbaro Furxhi nuk vjen nga radhët e politikës, por nga karriera akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile ku ka kontribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale.
Znj. Kumbaro është përkthyese, publiciste dhe eksperte ndërkombëtare për projekte ndërkulturore dhe për programe kërkimore universitare, të ndërmarra nga organizatat ndërkombtare si Bashkimi Evropian, Organizata Ndërkombtare e Frankofonisë.
Ajo zotëron shumë mirë frëngjishten dhe italishten, si dhe mjaftueshëm anglishten.