Milena Harito
Znj. Milena Harito u lind më 4 Tetor 1966, në Tiranë.
Ajo është e martuar me z. Isidor Shteto dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.
Në vitin 1997 ka mbrojtur Doktoraturën në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit, në Universitetin Paris VI, në Francë. Diplomën e Masterit në të njëjtën fushë (DESS – Diplôme d’études supérieures spécialisées) e ka kryer pranë të njejtit universitet, Paris VI, në vitin 1993. Ndërkaq, studimet e larta pesëvjeçare i ka kryer në Tirane, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, me rezultate të shkëlqyera, nga viti 1984 në vitin 1989. Ka përfunduar studimet parauniversitare me Medalje Ari në shkollën e mesme të përgjithshme ”Sami Frashëri” në Tiranë.
Karrierën e saj, znj. Harito e ka filluar në Institutin e Informatikës në Tiranë si bashkëpunëtore shkencore në vitin 1989, për ta vazhduar më pas në Francë që nga Prilli i vitit 1991 deri në Shtator 1992, pranë një ndërmarjeje private në fushën e informatikës. Pas doktoraturës, u punësua në qendrën më të madhe kërkimore ne Evropë në fushën e telekomunikacioneve, CNET, pranë operatorit France Telecom, në Paris. Karrierën e mëtejshme e vazhdoi brenda operatorit France Telecom – Orange, në drejtorinë e strategjisë e ngarkuar me marrdhëniet me rregullatorin francez dhe evropian, më pas si drejtore departamenti në disa sektorë, që nga inovacioni deri tek implementimi i produkteve.
Znj. Harito u zgjodh deputete në Parlamentin Shqiptar në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2013.
Znj. Harito flet shumë mirë frengjishten dhe mjaft mirë anglishten e italishten.