Arben Ahmetaj
Z. Arben Ahmetaj, ka lindur më 28 qershor të vitit 1969, në qytetin e Gjirokastrës. Ai është i martuar me znj. Albina Mançka, dhe ka dy vajza, Livia dhe Kejsi.
Z. Ahmetaj mban titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjitike, Siguri Ndërkombëtare, prej Universitetit të Bukureshtit (2005-2009). Ai është diplomuar prej Universitetit të Tiranës për Gjuhë Angleze, i Specializuar në Literaturë Amerikane dhe Angleze në vitin 1991. Ka kryer në vitin 1996, Master për Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Patterson, Universiteti i Kentucky, SHBA.
Z. Arben Ahmetaj është Anëtar i Parlamentit Shqiptar, i zgjedhur në Legjislaturën XVIII-XIX, Qarku Korçë – Gjirokastër. Është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Në karrierën e tij të mëparshme ka mbajtur rolin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Integrimit Evropian, (2004-2005) dhe rolin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, (2003-2004).
Ka kryer Funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Tatimeve të Shqipërisë dhe ka qënë përgjegjës për hartimin e politikave të reja dhe të legjislacionit të ri (Kodi i ri Fiskal, akcizat dhe legjislacioni i ri për taksën e drejtpërdrejtë). Në vitet 1992-1993, ka kryer funksionin e Këshilltarit të Ministrit të Financave si dhe asistent i thesarit të SHBA.
Gjithashtu z. Ahmetaj ka marrë pjesë dhe ka kryer projekte studimi me Universitetin e Georgetown, Edmund Walsh School of Foreign Service, Uashington, SHBA, Universiteti Harvard, Menaxhimin e Konflikteve në Kohën e Teknologjisë së Informacionit (Athinë). Ai është autor i një sërë punimesh shkencore.
Ai zotëron shumë mirë gjuhët angleze, italiane, greke, si dhe është njohës i gjuhës ruse.