Shërbimi Informativ i Shtetit
Shërbimi Informativ i Shtetit është institucion qendror, që funksionon bazuar në Ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar.”, i ndryshuar me Ligjin nr. 8479, datë 29.04.1999 dhe me Ligjin nr. 9400, datë 12.05.2005. SHISH-i është organ informativ i depolizituar që kryen veprimtarinë e tij në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe ka për mision sigurinë e interesave kombëtare të vendit, ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe të rendit kushtetues. SHISH-i varet nga Kryeministri i Shqipërisë. Veprimtaria e SHISH-it mbikëqyret nga Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. SHISH-i nuk është institucion ekzekutiv dhe nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor.
SHISH-i raporton tek Presidenti i Republikës dhe tek Kryeministri, si dhe bashkëpunon e shkëmben informacion me institucionet e tjera shtetërore për përmbushjen e detyrave që i ngarkon ligji në funksion të sigurisë kombëtare.
SHISH-i përgjigjet për mbledhjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike. Shërbimi Informativ i Shtetit mbledh informacion për kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare; ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe rendit kushtetues; terrorizmin; prodhimin dhe trafikun e narkotikëve; prodhimin e armëve të dëmtimit në masë; krimet kundër mjedisit; krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare, etj. Për problemet që lidhen me Sigurinë Kombëtare SHISH siguron informacionin e domosdoshëm nga Zbulimi dhe Kundërzbulimi.
Për realizimin e detyrave të mësipërme, SHISH ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës për sigurimin e informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. SHISH mbron burimet dhe metodat informative. SHISH-i është organ i depolitizuar. Punonjësit e tij nënshkruajnë dhe zbatojnë deklaratën e departizimit, ruajtjes së sekretit dhe veprojnë në përputhje me rregullat e etikës
Organizimi i strukturave të SHISH-it përputhet me kërkesat e përmbushjes së misionit të tij. Prioritetet e SHISH-it përcaktohen nga Qeveria, duke u bazuar edhe në Dokumentin e Strategjisë Kombëtare. Kjo Strategji përfaqëson tërësinë e instrumenteve shtetërore që sigurojnë mbrojtjen e qytetarëve, të shoqërisë dhe të Shtetit Shqiptar nga kërcënimet dhe rreziqet, e jashtme dhe të brendshme.
Tipar themelor i SSK-së është respektimi i shtetit ligjor dhe kthimi i Shqipërisë nga një vend që ka konsumuar siguri në një vend që kontribuon në siguri. SHISH-i ka rol të drejtpërdrejtë në misionet themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë:
Ushtrimi i sovranitetit të Republikës së Shqipërisë;
Mbrojtja e pavarësisë dhe integritetit territorial;
Mbrojtja e jetës dhe e pasurisë;
Zhvillimi i pandërprerë demokratik dhe prosperiteti ekonomik;
Mbrojtja e dinjitetit dhe vlerave kombëtare.
Gjithashtu, SHISH-i jep kontribut me vlerë në realizimin e objektivave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK), e konkretisht në:
Paqen e sigurinë në vend;
Bashkëpunimin rajonal;
Konsolidimin e shoqërisë demokratike dhe të drejtave të njeriut;
Konsolidimin e institucioneve dhe instrumenteve të sigurisë;
Integrimin në strukturat evropiane;
Mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore;
Luftën kundër terrorizmit;
Luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
SHISH-i vlerësohet si kontribues në sigurinë për qytetarët, shoqërinë dhe shtetin, brenda vendit, si dhe në Rajon e më gjerë.