Harta historike në muret e Republikës së Re
Nga Myslim Pasha, botuar në Dita, 5 tetor 2013
Në Shqipëri në çdo hap që bën krijohet mosbesim, një shurdhëri, një rreng apo një mister, një synim, një kleçkë… Pse kështu?
Këtu e ka “me të futme”, këtu e ka me “të dalme” këtu “me të ngelme” kështu me dyshim, gjithçka që hartohet, shafqet apo pozohet.
Politika dhe fqinjëria në Ballkan është po kështu e gatshme me komente të ethëshme, ku ndikon gjithnjë trazimi etnik e kombëtarist. Një ndjeshmëri të tillë e ka dhënë edhe arredimi muror, pikturor, kombinimi simbolik i ngjyrave e lëndës drusore apo metalit të përdorur këtu e atje, në mjedise. Komentet bëhen groteske edhe për një melodi kënge, për një tekst, për një qeleshe, por edhe për një takim me akcilin e ke kryer. Nuk do t’i shpëtonte Kryeministria e Republikës së Re jo vetëm nga loja dhe hedhja e të dy anëve politike për fotot dokumentare të gjendjes së mjediseve që tanimë është e njohur.
Dhe së fundi edhe “kleçka” e hartave.
1. NËNEMADHJA EUROPË DHE ALBANIA.
Si hartograf u mrekullova, u ndjeva shumë i afërt, me përzgjedhjet artistike-hartogarfike të hartave që do të bartnin mesazhe kaq përkuese dhe të bukura, alegorike e simbolike për Republikën e Re. Pashë Europën, Zonjë Nënëmadhe, një hartë e Heinrich Bünting (1545-1606) e një pastori protestant dhe teolog i njohur për librin e tij “Udhëtimi i Biblës.” Në hartën që është në prehrin e zyrës së Këshillit të Ministrave për herë të parë vjen një Hartë –Zonjë = Nënëmadhe = Europa. Me dorën e pastorit gjeograf artist e teolog, Albania vjen e pandikuar, e pacensuruar nga asnjë pushtues dhe shtrëmbërues realietetesh, pa asnjë paragjykim rrënjor etnik, nga askush që kërkon të mbulojë e të ndryshojë, që kërkon të gëlltisë e të shuajë, gjithashtu. Shtrirja grafike e Gruas Nënë Europë, jepet jo me saktësinë hartografike koordinative, por me pasqyrimin e një të vërtete ilustrative, pikturore të orjentimit dhe të vendosjes se trupit në Dheun Kontinental, të Etnoseve, pa kufij po brenda trupit, e mandej, të toponimeve të hershme që e përbëjnë atë. Eshtë një pikturë gjeohistorike, një gjeokompozim me gjallim të trupit, kokës e syve, të gjymtyrëve, të skeptrit. Ajo ngjan e bukur edhe pse kreun e ka në Spanjë, edhe pse zemrën e ka në Bohemi (nga është autori) dhe pse Apeninet janë njëri krahë dhe Vendet Nordike një tjetër. E gjithë siujdhesa është në këtë gjeopiktogramë. Aty janë rrënjët, etnoset, origjina, toponimet që nga lashtësia.
Shkrimi EUROPE në mesin kontinental të fustanit, Danubi rrjedh në mes. Në krahë të Danubit shkruhet hershmëria jonë Illyricum dhe më poshtë Albania.
Ky pozicion nuk është trillan dhe i sajuar, nuk është mister dhe i pakapshëm. Jemi në Europë mirëfilli, brenda Dheut Kontinental, në syrin e Lirisë në Europën e djeshme dhe të sotme. “Liria shqiptare”, thotë Kadare, “nuk e ka emrin Shqipëri e Madhe as Ekspansion”. Natyrshëm me Kosovën e lirë, Shqipërinë e dytë, ne jemi pjesë e këtij trupi e kësaj veshje, ashtu sikundër Dardania që shfaqet në një hartë tjetër të ekspozuar në të njëjtën bashkësi hartash të përzgjedhura. Zgjedhja, projekti, ndërthurja artistike, ngjyrimi, alegoria e simboli vijnë kuptimplotë dhe shumë përkues duke mos pasur asnjë shënjë apo tingëllim nacionalist. Insipiruese dhe shumë dinjitoze gjithashtu.
2. HARTA E SHQIPËRISË, ËSHTË E VITIT 1689, E RELIZUAR NGA GIACOMO CARTELI D’AVINGNOLO.
Në hartën tjetër e varur në mur sillet nje realitet hartografik në kohën kur Shqipëria ishte e pushtuar ende nën Perendorinë Osmane. Veçse aty shumë qartë jepet për bukuri shtrirja gjeografike e Albanisë që nga Kotorri në veri e deri në Gjirin e Artës. Edhe këtu ndërthuret arti pikturor me atë të saktësisë hartografike e cila nuk ka pse të ngacmojë e të krijojë ndjeshmëri negative nga askush, aq më shumë nuk mund të sjellë mesazhe trazimi që janë bërë të zakonshme në Ballkanin tonë.
Kësilloj mund të flasim edhe për hartat e bukura vizatimore perspektivore, me vrojtim nga deti i Perëndimit me autor Giovani Francesko Camacio (1501- 1575) ku perceptojmë tek rrjedh Buna (Bojana), Drini i mëvetëm atëherë kur nuk derdhej në Bunë, Scutarin (Shkodër), Danjën historike, Ulqinin e peisazhe malesh e toponimesh.
I tillë por edhe më madhështor na vjen Durrazzo = Durrësi vizatuar me hijëzim e perspektivor, me dukjen plot mbresë të një qyteti në breg hijerëndë, që të impresionon, me emra vendesh të shenjta S.Maria, S.Nikola dhe po kështu sillet në veri Alesio = Lezha.
Kaq mbresëlënëse është edhe Valona një vizatim tjetër pikturor dhe me qasje gjeografike ku jepet qartë shtrirja e qytetit edhe pse gjiri i Vlorës është paraqitur shumë i ngushtë. Të bën përshtypja se si në një pozicion të epërm duket Fortesa e Kaninës, apo kopshet pemëtore në veri të qytetit (Giardini).
3. PSE TË SHQETËSOHET FQINJI MAQEDONAS?
Nuk ka pse të përcillen, vetpërcillen e vetperceptohen ndjesi identitare dyshimesh dhe spekulimesh sikur barten qëllime imponime, theksime, apo deri tek “inate” ballkanike. Është kaq e qartë, sot, në udhë të atij shqetësimi në Gadishull dhe në Europë që po sjell emri Maqedoni, me rrjedhoja intergruese.
Asgjë nga këto që thamë më lart, nuk ka në këto zbukurime muresh veçse ekspozim vlerash historike dhe artistike që rrëfejnë vijimësi të lashtë dhe ardhje e natyrshme në gjirin e Europës.
Pas shëmbjes të atij muri Sureal ndarës nga Europa, ne paradoksialisht u kujtuam se ishim në Europë. Dhe në 23 vite mbajmë po të njëjtat parrulla “Shkojmë në Europë!”, “Synojmë në BE”, kur jemi në qendër të saj në historinë e saj me kontribute të shquara. Rrënja dhe fryma identitare evropiane është në shpirtin e shqiptarëve, që në zanafillë.