Shengeni, Parlamenti Evropian miraton raportin për rikthimin e vizave.
Strasburg, 10 shtator 2013
Parlamenti Evropian (PE) miratoi sot raportin për vendosjen e mekanizmi që mundëson rikthimin e përkohshëm të vizave për vendet e origjinës së azilkërkuesve.
Ky propozim ishte bërë nga evrodeputeti spanjoll i Partisë Popullore Evropiane (PPE), Diaz de Mera, ndërsa mekanizmi për pezullimin e liberalizimit të vizave nuk dedikohet vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për të gjithë shtetet që kanë regjim pa viza në zonën e Shengenit. Ky mekanizëm nuk synon ndonjë vend të veçantë, por do të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet që përfitojnë ose do të përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE në të ardhmen. Mekanizmi i pezullimit të vizave do të përdoret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si një masë e fundit . Qëllimi i tij është që të trajtojë situatat e shkaktuara nga abuzimi me regjimin pa viza. Një mekanizëm i tillë pritet të rrezikojë vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbinë, qytetarët e të cilave vazhdimisht po keqpërdorin liberalizimin e vizave.Pro këtij propozimi kanë votuar 328 evrodeputetë, ndërsa 257 kanë qenë kundër.
Në këtë seancë të PE është diskutuar edhe situata lidhur me azilkërkuesit që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Komisionerja e BE-së për Punët e Brendshme Sesilia Malmstrom shprehet se “unë, personalisht, jam e përkushtuar për udhëtimin pa viza për shtetasit e vendeve të treta që përfitojnë nga kjo. Por ne kemi nevojë për të siguruar se politika jonë e përbashkët e vizave mbetet një komponent i besuar i një politike efikase të migracionit evropian.
Në veçanti, ne kemi nevojë për të parandaluar keqpërdorimin e çdo regjimi pa viza për qëllime të tjera përveç udhëtimit afatshkurtër në BE “, tha Cecilia Malmström, Komisionerja e BE për Punët e Brendshme .
Euro-deputetja Tanja Fajon ka kërkuar që votimi të shtyhet, duke e konsideruar këtë propozim si “ilegal”, pasi i tejkalon përgjegjësit e parlamentit. Kundërshtimi i saj është refuzuar ndërsa më pas është votuar mekanizmi i ri.
“Partia Popullore Evropiane, bashkë me konservativë dhe forcat populliste në Parlamentin Evropian ka treguar edhe njëherë se nuk qan kokën për qytetarët evropian dhe lirinë e lëvizjes, e cila është e drejtë fundamentale njerëzore”, ka shkruar në reagimin e saj dërguar medieve Tanja Fajon. Sipas saj miratimi i këtij mekanizmi për kthim të përkohshëm të regjimit të vizave në Ballkan do të “shkaktoje kaos”