Procedurat e prokurimit publik
Në Shqipëri procedurat e prokurimit publik rregullohen nga Ligji Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”. Ky ligj rregullon përzgjedhjen e fituesve të kontratave publike në përputhje parime të përgjithshme të mëposhtme:
a) mosdiskriminim dhe trajtim i barabartë i ofertuesve ose kandidatëve;
b) transparencë në procedurat e prokurimit;
c) barazi në trajtimin e kërkesave dhe të detyrimeve, që u ngarkohen ofertuesve ose kandidatëve.
Të gjitha rregullat që zbatohen për prokurimet e mallrave, të punëve dhe të shërbimeve nga autoritetet kontraktore përcaktohen në ligjin “Për Prokurimin Publik”. Qëllimi i këtij ligji është:
a) të rrisë efiçencën dhe efikasitetin në procedurat e prokurimit publik, të kryera nga autoritetet kontraktore;
b) të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe të ulë shpenzimet procedurale;
c) të nxisë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik;
ç) të nxisë konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë;
d) të sigurojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët
ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik;
dh) të sigurojë integritet, besim publik dhe transparencë në procedurat e prokurimit publik.
Për zbatimin e këtij ligji është ngarkuar Agjencia e Prokurimit Publik. Ajo ka për detyrë të paraqesë në Këshillin e Ministrave propozime për rregullat e prokurimit, të hartojë dokumentet standarde të tenderave, të nxjerrë Buletinin e Njoftimeve Publike për mundësitë e kontraktimit, të japë këshilla dhe asistencë teknike për autoritetet kontraktore publike, të paraqesë Raportin Vjetor në Këshillin e Ministrave për funksionimin e përgjithshëm të sistemit të prokurimit publik, të verifikojë zbatimin e procedurave të prokurimit publik si dhe të zbatimit të kontratës, si dhe të monitorojë mbarëvajtjen e sistemit të prokurimit publik nëpërmjet informacioneve të marra nga raportet periodike të autoriteteve kontraktore. Agjencia e Prokurimit Publik mund të përjashtoje një operator ekonomik nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit, për një periudhë nga 1 deri në 3 vjet, për raste të përcaktuar në ligj.
Komisioni i Prokurimit Publik është organi më i lartë në fushën e prokurimeve, që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligjin në fuqi. Komisioni i Prokurimit Publik është person juridik publik, në varësi të Këshillit të Ministrave. Në përfundim të shqyrtimit të ankesave, ai merr vendime, të cilat janë administrativisht përfundimtare.