Njëqind vjet Shqipëri

Nga OLIVER JENS SCHMITT, profesor i Historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe autor i disa veprave mbi historinë e shqiptarëve, botuar nw Panoramaonline, 28.11.2012 

Njëqindvjetori i ekzistimit të shtetit shqiptar është rast për kremtime në Shqipëri, në trevat e banuara me shqiptarë në Europën Juglindore dhe në diasporën e madhe shqiptare në Europë dhe përtej oqeanit. Aktualisht po shënohet vetë ekzistenca e shtetit të parë kombëtar shqiptar në histori. Si i tillë, shteti i Shqipërisë ka shënuar epokën në historinë shqiptare dhe atë europiane. Po kremtohet ekzistenca e shtetit, por më pak ngjarjet
historike, të cilat kanë karakterizuar shekullin e fundit. Po kremtohet shteti si ideal, si qëllim final i historisë shqiptare, si entitet abstrakt. Një kremtim i tillë është një lloj ftese për të bërë bilanc. Në Shqipëri shumë zëra janë duke u deklaruar mbi këtë temë. Këta zëra theksojnë para së gjithash bilancin pozitiv. Në fakt, në njëqind vitet e fundit u ndërtuan ato institucione të cilat sot e karakterizojnë Shqipërinë: administrata, shkollat, shkenca, policia, ushtria. U themelua industria, komunikacioni në të vërtetë u ndërtua pas vitit 1912, d.m.th. rrugët, hekurudhat dhe mjaft herët edhe transporti i brendshëm ajror. Pjesë e bilancit pozitiv është edhe vetë ekzistenca e shtetit, e cila ishte disa herë e rrezikuar – nga brenda dhe nga jashtë: jo të gjithë shqiptarët e përshëndetën pavarësinë, siç tregoi kryengritja e Haxhi Qamilit, e cila çoi në luftë civile, gjatë së cilës u gjendën përballë sunitët e Shqipërisë së Mesme dhe intelektualët e diasporës.

Fakti që Shqipëria e mbijetoi si shtet Luftën e Parë Botërore dhe krijimin e rendit të pasluftës, nuk ishte diçka e vetëkuptueshme. Pavarësia ishte e rrezikuar edhe nga aneksimi faktik nga ana e Italisë fashiste dhe për herë të fundit mes viteve 1945 dhe 1948, kur Shqipëria për pak u pranua në Federatën Ballkanike të drejtuar nga Jugosllavia. Nga brenda, shteti ishte i rrezikuar të shkatërrohej në vitin 1997, dhe ky rrezik u arrit të shmangej me vështirësi. Kush përpiqet të bëjë një bilanc, shpejt ndeshet me tema, të cilat janë të dhimbshme për shoqërinë shqiptare ose së paku politikisht tejet të kontestuara.
Historiani Eric Hobsbawn, i cili vdiq së fundi, e ka quajtur shekullin e 20-të një “shekull të ekstremeve”. Për pak vende ky konstatim vlen më shumë se sa për Shqipërinë. Shqiptarët përjetuan një shtet, i cili më brutalisht dhe më ashpër ndërhyri në jetën e tyre se ndonjëherë më parë në histori: diktatura e Enver Hoxhës e ka revolucionarizuar shoqërinë shqiptare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, domethënë e ka shndërruar rrënjësisht dhe e ka tronditur. Ekstremin tjetër e përbën shteti para shkatërrimit në vitin 1997: në pothuaj asnjë shtet europian nuk ndodhi që pas shtetit totalitar dhe çdo kund të pranishëm të zërë vend shkatërrimi pothuaj i plotë i shtetit.

Shteti kombëtar i fetishizuar nga komunistët nuk njihte kufij pushteti në kohën e komunizmit: derisa osmanët para vitit 1912 pothuaj nuk e kishin administruar dhe kontrolluar me të vërtetë Shqipërinë dhe sundimi autoritar i Zogut pothuaj nuk kishte depërtuar në jetën private të njerëzve, por kishte ndërmarrë reforma të kujdesshme (për shembull heqjen e shamisë te femrat dhe kontrollin shtetëror të feve), komunistët me ndihmën e të huajve (me para dhe teknologji) ngritën nga themeli institucione të reja, fabrika dhe rrugë. Por, para së gjithash, ata ndërtuan një sundim terrori me ekzekutime masive, kampe dënimi dhe një lloj ndëshkimi që përfshinte gjithë familjen apo rrethin, dhe, si i tillë, ishte i panjohur në Europë. Ata e izoluan Shqipërinë nga bota e jashtme dhe përmes propagandës së përhershme përpiqeshin t’ua mbushin mendjen njerëzve se janë të rrethuar nga bota e jashtme armiqësore. Shoqëria shqiptare jo vetëm që u militarizua, por u mbajt edhe në gjendje të përhershme alarmi. Izolimi gjithnjë e më i madh shkaktoi varfërimin e popullsisë. Terror, izolim dhe varfëri – këtë ua ofroi shteti komunist qytetarëve të tij të nënshtruar. Kjo traumë edhe sot qëndron si hije mbi shoqërinë shqiptare.
Jo vetëm shteti agresiv, por edhe shteti i dobët gjatë tranzicionit u ofroi qytetarëve pak gjëra pozitive: deri më sot nuk është arritur të ndërtohet një aparat funksional administrativ, i cili do të ishte larg ndikimeve politike dhe korrupsionit. Deri më sot elitat politike vetëm pjesërisht kanë përqafuar domosdoshmërinë e kompromisit dhe të vendimmarrjes parlamentare. Shqipëria është një shtet i dobët dhe i korruptuar, i cili i shtyn shumë shqiptarë të emigrojnë dhe shumë shqiptarë të tjerë, të aftë dhe të arsimuar mirë në diasporë, i bën të mos kthehen. Shumica e atyre njerëzve, të cilët nuk kanë dobi politike, e shohin shtetin si kundërshtar, madje si kërcënim. Dallimi mes fetishizimit të shtetit përmes kremtimeve zyrtare dhe distancës ndaj shtetit që kanë shumica e njerëzve në përditshmërinë shoqërore pothuaj nuk përmendet. Shqipëria sot është më afër një shteti autoritar se sa një demokracie funksionale. Për këtë janë përgjegjëse të gjitha forcat politike. Kush dëshiron ta dijë se si është puna me shtetin shqiptar më 28 Nëntor 2012, mund ta mësojë këtë nga dy shembuj: kthimi i kufomës së Mbretit Zog në Shqipëri është një akt historiko-politik sikundër ekspozimi i përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut. Në të dyja rastet zhvillohet një kult për prijës të mëdhenj, nën hijen e të cilëve rrezitet udhëheqja e sotme politike.
Shembulli i Zogut tregon se sa minimal është konsensusi historik. Tamam në kohën kur në Prishtinë, Universitetit i vihet emri Hasan Prishtina, Shqipëria zyrtare e nderon vrasësin e tij. As sa i përket Zogut, as sa i përket Enver Hoxhës nuk ekzistojnë hulumtime shkencore, të cilat janë të pavarura nga partitë. Por të dyja partitë e mëdha e ndajnë preferencën për kult heronjsh dhe mediumet marrin pjesë në personalizimin e historisë. Ky kult heronjsh është trashëgimi e kohës së komunizmit, siç është edhe gjithë politika zyrtare ndaj historisë, e cila ende qarkullon brenda kategorive enveriste të mendimit. Kjo shihet në shembullin e dytë, i cili ilustron gjendjen e Shqipërisë në këtë nëntor: klithma e llahtarshme, të cilën e lëshuan ish-të burgosurit e Gullagut shqiptar, siç ishte akti i djegies së vetvetes nga ana e Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos. Pothuaj më i tmerrshëm se ky akt ishte reagimi i elitës politike. As përballë kësaj vepre dëshpërimi ata nuk gjetën fjalë solidariteti, madje aktin e Bejkos dhe Ndrecës e interpretuan sipas kategorive të zakonshme partiake. Vënia e flakës vetvetes është një fanar, i cili ndriçon zbehtë kremtimet zyrtare. Shqipëria zyrtare, por edhe shumica e mediumeve janë të paafta apo nuk janë në gjendje të japin përgjigje. Ky qëndrim është përbuzës ndaj njerëzve dhe cinik.

Ky qëndrim e tregon elitën politike shqiptare ashtu siç është – me ndonjë përjashtim. Për njëzet vjet është heshtur për diktaturën ose ajo është bulevardizuar, për njëzet vjet faji u është hedhur vetëm disa udhëheqësve partiakë. Përpjekjet e intelektualëve të guximshëm për të trajtuar trashëgiminë e enverizmit, për të hapur debat në shoqërinë shqiptare, ku do të shtrohej edhe pyetja nëse diktaturën e ka mbajtur ose do ta mbante edhe më gjatë në pushtet përkrahja prej shumë njerëzve se sa terrori – këto përpjekje për debat kanë dështuar në pjesën më të madhe. Trashëgimia e helmuar e Enver Hoxhës edhe sot rëndon mbi elitat politike të Shqipërisë, të cilat më 28 Nëntor 2012 kremtojnë për vetveten.

Gjithsesi, ka rrugë të tjera për të bërë bilanc njëqind vjet pas shpalljes së pavarësisë. Ai që kërkon heronj, nuk duhet të ndalet te Ismail Qemali apo Zogu. Sepse në këtë shekulli ekstremesh shqiptare ka mjaft njerëz, të cilët shquhen përmes humanizmit të tyre, qëndrimit dhe ndershmërisë në kohëra të vështira, të cilët kanë manifestuar tolerancë dhe pacifizëm dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e atyre fijeve të shoqërisë civile, të cilat vërehen në Shqipëri; njerëz për të cilët shteti ligjor, kultura demokratike e parlamentare, respektimi i tjetrit dhe i së mirës së përgjithshme dhe ruajtja e ambientit nuk janë vetëm llafe të kota, por synime të sinqerta, njerëz të cilët edhe në kampe dënimi nuk kanë hequr dorë nga parimet e tyre humaniste. Mbarë Shqipëria i njeh fytyrat e rrudhura të At Zef Pllumit dhe Pjetër Arbnorit – por për ta në kremtimet e nëntorit 2012 pothuaj nuk ka vend. Këtu hyjnë edhe njerëzit më pak të njohur, të cilët kanë vuajtur në Gulagun shqiptar dhe sot janë të detyruar të shikojnë se si torturuesit e tyre të deridjeshëm – gjykatës, prokurorë, agjentë të shërbimit sekret dhe kasapë kampesh – të padënuar dhe jo rrallë edhe të dekoruar vazhdojnë karrierat e tyre. Këtu hyjnë ata njerëz që për shkak të biografisë së “keqe” ekzistencialisht janë dëmtuar nga shteti dhe nga pjesët bartëse të shoqërisë, të cilat u përmendën më lart. Por, këtu hyn edhe ajo larmi shoqërore dhe dinamikë, e cila është zhvilluar në njëzet vitet e fundit në rrethana të vështira, përfshirë edhe ata shqiptarë, të cilët janë integruar mirë në diasporë dhe atje kanë rënë në kontakt me shtete funksionale.

Shqipëria e nëntorit 2012 është më e larmishme se sa që duket në kremtimet zyrtare. Në shekullin e parë të ekzistencës shteti shqiptar ka kërkuar të pamundurën nga banorët e tij; ai gati përherë i ka trajtuar shqiptarët si robër dhe rrallë si qytetarë.
Nëse shikojmë në të ardhmen, atëherë për 28 Nëntorin 2012 mund të formulohet si dëshirë që në shekullin e dytë të shtetësisë shqiptare të arrihet ndërtimi i një shteti të qytetarëve dhe që më 28 Nëntor 2112 të festohet për një shtet, i cili pozitivisht dallon nga rrethanat që e karakterizojnë sot shtetin shqiptar. Ndoshta atëherë nuk do të jetë shteti ai që i thur lavde vetes pa i kushtuar vëmendje shoqërisë, por ndoshta do të jetë shoqëria civile shqiptare, e cila me krenari të bazuar do të kremtojë si popull në mesin e shumë popujve të Europës demokratike

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi