Thesari dhe kontabiliteti i sistemit buxhetor
“Sistem i thesarit” është tërësia e rregullave dhe e procedurave, si dhe struktura organizative përkatëse, e ngarkuar për ekzekutimin e buxhetit, administrimin e mjeteve monetare, mbajtjen e llogarive dhe raportimin financiar të qeverisjes së përgjithshme. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit në Ministrinë e Financave është organi përgjegjës për menazhimin e sistemit të Thesarit. Arkëtimet dhe pagesat e qeverisjes së përgjithshme kryhen nëpërmjet llogarisë së unifikuar të thesarit, e mbajtur në lekë dhe në valuta të huaja. Llogaria e unifikuar e thesarit mbahet në Bankën e Shqipërisë.
Të gjitha shpenzimet e buxhetit të shtetit, për organet qëndrore dhe organet e pushtetit lokal, kryhen me autorizimin dhe pas kontrollit nga Degët e Thesarit ose Drejtoria e Thesarit. Të gjitha të ardhurat e buxhetit të shtetit, tatimore dhe jotatimore, në formën e kredive dhe të ndihmave si dhe të ardhurat sekondare të vetë institucioneve buxhetore depozitohen dhe administrohen nëpërmjet llogarive të buxhetit, të çelura në emër të Thesarit. Përdorimi i tyre bëhet në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Ministri i Financave është i autorizuar të nënshkruajë marrëveshje me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë, për kryerjen e operacioneve bankare dhe menaxhimin e mjeteve monetare të qeverisjes së përgjithshme. Teprica e mjeteve monetare, përkohësisht të lira, të llogarive të qeverisjes së përgjithshme në Bankën e Shqipërisë investohet sipas procedurave të përcaktuara. Njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë të drejtën e përfitimit të interesit për mjetet e tyre monetare, përkohësisht të lira, në llogarinë e unifikuar të thesarit. Kushtet dhe masa e përfitimit të interesave përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.
Sekretari i përgjithshëm i ministrisë përgjegjëse për financat është nëpunësi i parë autorizues për buxhetin e njësive të qeverisjes qendrore, për fondet speciale të qeverisjes qendrore dhe transfertat e njësive të qeverisjes vendore. Nëpunësi i parë autorizues përgjigjet te Ministri i Financave për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe kontrollin e brendshëm financiar publik si dhe paraqet në komisionin përkatës parlamentar raporte periodike, pasqyra financiare dhe raportin vjetor për zbatimin e buxhetit në Republikën e Shqipërisë. Me kërkesë të komisionit raporton gjatë vitit edhe për çështje të tjera, që kanë lidhje me zbatimin e buxhetit dhe kontrollin e brendshëm financiar publik.
Nëpunës autorizues në njësitë e qeverisjes qendrore është punonjësi i administratës publike i nivelit më të lartë të shërbimit civil. Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që nuk janë pjesë e pushtetit ekzekutiv, nëpunës autorizues është punonjësi i nivelit më të lartë menaxhues. Nëpunës autorizues në njësitë e qeverisjes vendore është kryetari i njësisë ose zëvendësi i tij, nëse kryetari vendos ta delegojë këtë përgjegjësi. Titullari i njësisë së qeverisjes së përgjithshme njofton nëpunësin e parë autorizues për nëpunësin autorizues të njësisë së vet.
Angazhimet dhe detyrimet financiare të njësive të qeverisjes së përgjithshme paguhen vetëm nga llogaritë e thesarit, nëpërmjet sistemit të thesarit nga personat e autorizuar, nga nëpunësi i parë autorizues me propozimin e nëpunësve autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme.
Përpara kryerjes së pagesave, sistemi i thesarit kontrollon ekzistencën e angazhimit, dokumentacionin bazë, që vërteton shërbimin e kryer, ekzistencën e mjeteve monetare të mjaftueshme për kryerjen e pagesës. Pagesat e kryera gjatë vitit buxhetor, pavarësisht kohës së kryerjes së shpenzimeve publike, regjistrohen si pagesa të këtij viti.
Sistemi i thesarit mban kontabilitetin e shtetit dhe është pjesë e kontabilitetit publik. Ai është përgjegjës për mbajtjen e llogarive të shtetit dhe përgatitjen e raporteve periodike dhe vjetore të zbatimit të buxhetitStandardet dhe procedurat e kontabilitetit Ministri i Financave është përgjegjës për krijimin e sistemit të kontabilitetit të detyrueshëm për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare të pranuara.
Ministri i Financave përcakton njësinë përkatëse të qeverisjes së përgjithshme dhe njësitë shpenzuese, të cilat janë të detyruara të mbajnë kontabilitet dhe të raportojnë sipas standardeve të përcaktuara. Kontabiliteti dhe raportimi në sektorin publik rregullohen me ligj të veçantë dhe Ministri i Financave nxjerr udhëzim për standardet dhe procedurat e kontabilitetit, për njësitë e qeverisjes së përgjithshme. Nëpunësi i parë autorizues dhe nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme përgjigjen për funksionimin e sistemit të kontabilitetit, në përputhje me ligjin, aktet e tjera në zbatim të tij dhe me udhëzimet e Ministrit të Financave.