Ç’është procesi buxhetor?
Parimet e përgjithshme të procesit buxhetor janë:
– parimi vjetor: buxheti është një ligj me fuqi të kufizuar për vitin e aplikuar. Si i tillë ai nuk mund të trashëgohet në vitin pasardhës;
– parimi i unitetit: është detyrimi që tërësia e të ardhurave dhe shpenzimeve të shtetit të figurojnë në një llogari të vetme;
– parimi i universalitetit, ngjan me parimin e unitetit, por dallohet prej tij sepse ndërsa parimi i unitetit synon të grumbullojë shpenzimet dhe të ardhurat në një dokument të vetëm, universaliteti përcakton grumbullimin në një masë të vetme të tërësisë së të ardhurave publike në bazë të së cilës duhet të llogaritet tërësia e shpenzimeve publike;
– parimi i specializimit, i referohet klasifikimit buxhetor, atij administrativ, ekonomik, funksional apo sipas misioneve dhe programeve;
– parimi i sinqeritetit dhe transparencës, synon të garantojë saktësinë e informacioneve të përdorura gjatë procesit të buxhetimit.
Shpesh këtyre parimeve u shtohet dhe parimi i ekuilibrit buxhetor, që i referohet nevojës së barazimit të të ardhurave me shpenzimet për të evituar praninë e defiçitit në buxhetin e shtetit. Nocioni i ekulibrit është më shumë një nocion ekonomik sesa buxhetor. Në të vërtetë ky nuk është si parimet e përmëndura më sipër, sepse, ai shumë rrallë respektohet. Parimi i ekuilibrit buxhetor aktualisht është bërë sfidë kryesore e vëndeve të Eurozonës.
Parimet e buxhetimit i referohen rregullave teknike tradicionale të nevojshme për një menaxhim të mirë të financave publike. Në këtë pikëpamje, ato synojnë të lehtësojnë kontrollin e parlamentit mbi shpenzimet dhe të ardhurat e institucioneve publike. Pra, ato kanë njëherësh kuptim teknik dhe politik.
Në procedurën buxhetore vjetore, apo, ciklin buxhetor (shih skemën) dallohen pesë etapa të përgjithshme. Në etapën e parë, qeveria harton projektligjin e buxhetit, Fillimisht ministria e financave jep orientimet e qeverisë, mbi bazën e të cilave dikasteret përgatisin projektet e tyre dhe është përsëri ministria e financave ajo që përpunon projektin në tërësi dhe e paraqet për vendim në qeveri. Në etapën e dytë, bëhet shqyrtimi parlamentar, i cili fillon në komisionet parlamentare, ku bëhen amendamentet dhe pastaj pas një debati të përgjithshëm dhe diskutimit të neneve të tij në seancë plenare, bëhet miratimi i projektligjit. Në etapën e tretë, ministria e financave, agjencitë e saj ekzekutive dhe organet e tjera shtetërore marrin masat për zbatimin e buxhetit të shtetit. Gjatë kësaj etape, qeveria përsëri ka mundësi, kur ajo e gjykon të nevojshme, të bëj ndryshime në buxhetin e shtetit duke iu drejtuar përsëri parlamentit. Në etapën e katërt, parlamenti kontrollon zbatimin e ligjit të buxhetit vjetor, si gjatë periudhës së ushtrimit të tij, ashtu dhe pas mbylljes së saj. Kontrolli ushtrohet kryesisht nëpërmjet raportimeve që qeveria detyrohet të paraqesë në parlament sipas kërkesave të bëra prej tij. Etapa e pestë dhe e fundit, është verifikimi i llogarive financiare nëpërmjet një organi të pavarur të kontrollit të jashtëm, detyrë kjo që në Shqipëri ushtrohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në skemën e paraqitur duken dhe cilët janë aktorët që marrin pjesë në procesin buxhetor: Qeveria, Ministria e Financave dhe Parlamenti. Procesi buxhetor është misioni kryesor i Ministrisë së Financës. Ligji organik i buxhetit përcakton detyrat dhe kompetencat e të gjithë autoriteve përkatës, përfshirë procedurat dhe afatet që zbatohen në këtë proces.