Forcat e Armatosura
Forcat e Armatosura kryejnë veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin nr.7978, datë 26.7.1995 “Për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, megjithëse në websitin e Ministrisë së Mbrojtjes ky nuk është i publikuar. Ligji që përcakton pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të detyrës dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre, është Ligji Nr.9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të forcave të armatosura”
Shtetasi shqiptar, nga dita që fillon të shërbejë në Forcat e Armatosura si ushtarak, fiton statusin e ushtarakut dhe gëzon të drejtat, si dhe përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj dhe në akte të tjera ligjore dhe nënligjore.
Këtë status e gëzojnë: ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, ushtarakët e shërbimit aktiv të përkohshëm, ushtarakët e shërbimit aktiv të detyrueshëm, të thirrurit në stërvitje ushtarake, për kohën e stërvitjes, ushtarakët në rezervë, në lirim ose në pension, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin përkatës dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore.
Në Status përcaktohen të drejtat dhe detyrat e ushtarakut, pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet, trajtimi i familjarëve të ushtarakut kur ushtaraku humbet jetën, si dhe të drejtat shoqërore të ushtarakut dhe familjes së tij.