Kuptimi i pushtetit politik
Pushteti politik ka përgjegjësinë e përcaktimit të rregullave që përbëjnë rendin shoqëror. Është pushteti ai që organizon raportet midis individëve dhe merr në mbrojtje interesat e tyre. Pushteti është i domosdoshëm për mbijetesën e një shoqërie. Pushteti politik në thelb, është një forcë organizimi.
Ushtrimi i pushtetit politik u jep shumë fuqi personave që janë të ngarkuar me të. Për shkak të peshës së rëndë të përgjegjësive mbi ta, për caktimin e tyre shtrohen pyetje të shumta. Cilat janë proçedurat që duhen përdorur për zgjedhjen apo emërimin e tyre? Për sa kohë ata duhet të ushtrojnë pushtetin? Cilat janë cilësitë e nevojshme, që ata duhet të kenë? Natyrisht përgjigjet janë të ndryshme. Por nuk duhet harruar se në kohët e hershme ishte vetëm një individ që mishëronte pushtetin dhe konsiderohej pronë e tij: Njëshi, pavarësisht nëse ky ishte i veshur me robat e perandorit, mbretit apo diktatorit. Ai mbante pushtetin në saj të lindjes së tij, forcës së tij ose kurajës së tij.
Organizimi i pushtetit politik filloi të shprehet nëpërmjet lindjes progresive të një Shteti të dallueshëm nga Shefi i tij. Shteti siguron vazhdimësinë e pushtetit dhe përjetësinë e shoqërisë. Por ai mundet megjithatë të bëhet një instrument i një pushteti totalitar. Kjo ka ndodhur në të gjitha vendet që nuk kanë të vendosur një sistem demokratik.
Çdo njëri njeh administratën dhe funksionarët e saj, por asnjëri nuk ka takuar asnjëherë Shtetin. Në fakt, Shteti është një abstraksion, një ndërtim i pastër teorik i imagjinuar nga inteligjenca njërëzore, për të qënë suport (mbështetës) i pushtetit politik. Janë Machiavel (1469-1527) dhe Bodin (1530-1596), që kanë ndërtuar gradualisht nocionin e shtetit.
Sipas Carl J. Friedrich dhe analizave liberale janë pesë “monopole” që humbasin apo kufizojnë liritë: policia – kur rendi mbahet me mjetet e dhunës, ideologjia – kur ideologjia zyrtare është sunduese, media – kur shtypi dhe televizionet janë plotësisht të kontrolluara dhe komunikimi është vetëm propogandë, ushtria – kur shteti kontrollon forcën e armatosur me vullnetin e fuqisë, ekonomia – kur prodhimi vihet në kontrollin e shtetit. Shpesh këto monopole vihen në duart e një partie të vetme që përqëndron të gjitha pushtetet. Është rast kur sistemi plotësisht i centralizuar drejtohet nga një shef diktator, i mbështetur nga një elitë e kufizuar.
Në këtë optik, totalitarizmi është një fenomen, sigurisht me dimensione historike, por tërësisht i izoluar dhe i ndryshëm nga Shteti liberal. Duke u nisur nga shekulli i XVI mendimi politik ndryshon drejt afirmimit të të drejtave të popullit Sovran dhe të parimeve të ndarjes së pushteteve. Në 1748 Monteskje formuloi parimet e ndarjes së pushteteve ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, që frymëzuan doktrinat kushtetuese liberale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të revolucionarëve francez:
– Afirmimi i sovranitetit të popullit: Populli ka të drejta. Ai është mbajtësi i vetëm dhe i vërtetë i sovranitetit.
– Shteti i së drejtës dhe ndarja e pushteteve: Nuk ka rregjim të ekuilibruar, as repekt të të drejtave të njëriut pa një ekuilibër real midis pushteteve.
Është Jean-Jacques Rousseau që në Kontratën Sociale në 1762, afirmoi që sovraniteti politik varet eskluzivisht prej popullit. Ai përbëhet prej qytetarëve të lirë, që u binden ligjeve, që janë shprehje e “vullnetit të përgjithshëm”, dmth e vullnetit të popullit vetë.
Një shtet është demokratik, kur ai qeveriset prej përfaqësuesve të popullit, që ushtrojnë pushtetin në emër të këtij të fundit. Por ushtrimi i pushtetit nuk duhet të jetë rast i vrasjes së demokracisë. Për tu ruajtur nga rreziku i arbitraritetit, rregjimet demokratike disponojnë dy garanci kryesore: Shtetin e së drejtës dhe ndarjen e pushteteve.
Quhet Shtet i së drejtës një Shtet, ligjet e të cilit janë në përputhje me parimet kushtetuese. Sipas Monteskje, pushteti nuk duhet të jetë asnjëherë i përqëndruar në duart e një autoriteti të vetëm, përkundrazi të tre funksionet e pushtetit: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, duhet tu besohen organeve përkatëse. Vetëm në një system i tillë, ku pushtetet ekuilibrohen midis tyre, mund të evitohen devijimet arbitrare.
Asambletë deliberative bashkojnë përfaqësuesit e popullit, parlamentet janë vendi i fjalës publike ku vendosen taksat, ku votohet ligji, ku kontrollohet qeveria. Parlamentet moderne, që janë shënjë e demokracive përfaqësuese, janë zhvilluar sipas modelit të parlamentit anglez të shekullit të VIII.
Demokracitë moderne funksionojnë sipas parimeve të demokracisë përfaqësuese. Demokracia direkte praktikohet në raste të veçanta. Kushtetutat sanksionojnë se sovraniteti kombëtar i përket popullit, që e ushtron nëpërmjet përfaqësuesve dhe nëpërmjet rrugës së referendumit. Sovraniteti mund të delegohet: duke zgjedhur deputetët, populli Sovran i beson një mandat përfaqësuesve të tij. Parlamenti përfaqëson Kombin: sovraniteti është kombëtar.
Nocioni i sovranitetit të deleguar mbulon situatën në të cilën qeveritë i japin një mandat qeveritarëve, për të vepruar në vend të tyre, në emër të tyre dhe në kontrollin e tyre. Kështu, demokracia përfaqësuese është e kundërta e demokracisë direkte, në të cilën nuk parashikohet asnjë ndërmjetës midis popullit dhe qeverisë dhe të gjitha vendimet merren prej bashkësisë së qytetarëve. Edhe pse nuk është e lehtë të zbatohet në një vend të madh, demokracia direkte nuk është zhdukur. Referendumi lejon, në disa kushte të caktuara, që një projektligj i dhënë ti nënshtrohet gjykimit të popullit. Në Zvicër referendumi është praktikë e zakonshme dhe në disa kantone të vogla zgjedhësit bashkohen periuodikisht në asamble për të shqyrtuar dhe votuar ligjet ose për të zgjedhur përgjegjsit e pushtetit ekzekutiv lokal. Sipas mënyrave të ndryshme, praktika referendare është gjithashtu e përdorur në Itali, në disa shtete të tjera europiane dhe në disa shtetet amerikane. Ndërkaq, është demokracia përfaqsuese ose indirekte, ajo që mbizotëron në sistemet e sotme demokratike. Ajo bazohet në mandatin e quajtur ”përfaqësues” në kundërshtim me mandatin “imperativ”. Deputeti nuk i nënshtrohet udhëzimeve të asnjë prej zgjedhsve të tij. Ai përfaqëson kombin pa kufizime dhe pa detyrime.