Shoqëria civile
Shoqëria civile është fusha e jetës sociale civile e organizuar, që është vullnetare, gjërësisht e vetmjaftueshme dhe autonome prej Shtetit. Shoqëria civile përcaktohet si tërësia e organizatave komunitare, e OJQ, e sindikatave, e shoqatave profesionale, e organizatave fetare, e mediave, e shoqatave te studentëve dhe e grupimeve të tjera në formën e shoqatave.
UNESCO me shoqëri civile nënkupton vetorganizimin e shoqërisë jashtë kuadrit shtetëror ose kuadrit tregtar, domethënë një tërësi organizatash ose grupesh të formuara në mënyrë më shumë osë më pak formale dhe që nuk i përkasin as sferës qeveritare, as sferës tregtare. Libri i Bardhë i qeverisjes së BE jep këtë përkufizim: “Shoqëria civile grupon sidomos organizatat sindikale dhe partneriale (partnerët social), organizatat jo qeveritare (OJQ), shoqatat profesionale, organizatat e ndihmave, organizatat që përfshijnë qytetarët në jetën lokale dhe bashkiake, me një kontribut specifik të Kishave dhe komuniteteve fetare”.
Shoqëria civile është parasëgjithash tërësia e qytetarëve të një njësie administrative. Megjithatë në praktikë, këto nuk veprojnë në mënyrë individuale, por në kuadrin e shoqatave të ndryshme. Një shoqatë mund të konsiderohet përfaqësuese me kushtin që ajo të jetë e përbërë mbi bazën e vullnetit dhe të interesave të qytetarëve, që deklarohen formalisht dhe juridikisht anëtarë të shoqatës.
Në këtë konceptim ka një rrezik për një farë konfuzioni midis shoqërisë, si një tërësi e qytetarëve dhe e organizatave, që thonë se përfaqësojnë vullnetin e tyre, sidomos kur disa prej tyre pretendojnë se mishërojnë tërësinë e qytetarëve dhe pretendojnë të kenë kështu legjitimitetin e përfaqësuesit të shoqërisë civile në përgjithësi. Që një shoqatë ose organizatë të jetë aktive dhe shprehje e vullnetit të qytetarëve duhet që të kenë një strukturë dhe një formë të brëndëshme veprimi krejtësisht demokratike. Kështu, përjashtohen si të tilla organizatat që janë formuar prej shtetit, biznesit ose prej institucioneve fetare.
Roli i shoqërisë civile në një sistem qeverisje të decentralizuar përmbledh të paktën katër funksione:
– funksionin e avokatit për paraqitjen e interesave të zonave të tyre,
– funksionin dhënies së shërbimeve në nivel lokal në fushat e edukimit, shëndetit, të pastrimit, etj,
– funksionin e partnerit të qeverisë në planifikimin e zhvillimit, të mobilizimit të burimeve dhe të promocionit për një kuptim më të mirë të sistemit të decentralizimit,
– funksionin e mbikqyrjes së aktivitetit qeveritar.
Të gjithë aktorët e shoqërisë civile nuk luajnë këto funksione në çdo moment dhe funksionet e shoqërisë civile nuk janë gjithmonë shumë të qarta dhe të ngurta. Funksionet e përmëndura më sipër kanë kuptimin që mbulohen nga aktorët e ndryshëm të shoqërisë civile..
Në Shqipëri, veprimtaria e organizatave të shoqërisë civile rregullohet me ligjin nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”.