Kompetencat e Presidentit të Shqipërisë
Kompetencat e Presidentit të Republikës përcaktohen në nenin 92 të Kushtetutës si dhe në nene të ndryshme të saj. Ato mund të klasifikohen si më poshtë:
I. Në lidhje me pushtetin legjislativ dhe funksionin e tij , Presidenti:
a) Thërret në mbledhjen e parë Kuvendin e prosazgjedhur (neni 67/1);
b) I drejton mesazhe Kuvendit (neni 92/a);
c) Shpall ligjin e miratuar nga Kuvendi (neni 84/1);
d) Shpall ligjin e miratuar me referendum (neni 151/1);
e) Jep pëlqimin për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit, në kushtet e përcaktuar në Kushtetutë (neni 84/4);
f) Ka të drejtë ta kthej ligjin për rishqyrtim, vetëm një herë (neni 85/1);
g) Cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin dhe për zhvillimin e referendumeve (neni 92/gj)
h) Mund të kërkojë që mbledhja e Kuvendit të bëhet e mbyllur (neni 79/2);
i Shpërndan Kuvendin kur ky nuk arrin të zgjedh kryeministrin e ri (neni 96/4);
j) Kur Kuvendi nuk mund të mblidhet gjatë gjendjes së luftës, me propozim të Kryeministrit, ka të drejtë të nxjerrë akte që kanë fuqinë e ligjit (neni 176).
II. Në lidhje me pushtetin ekzekutiv dhe funksionin administrativ , Presidenti:
a) Emëron Kryeministrin (neni 96);
b) Emëron dhe shkarkon ministrat, me propozim të Kryeministrit (neni 98/1);
c) Jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit (neni 92/ç);
d) Jep dekorata më të larta ushtarake sipas ligjit (neni 92/ç);
e) Emëron dhe liron, me propozim të Kryeministrit, përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë, në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare (neni 92/dh);
f) Pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare (neni 92/e);
g) Emëron Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, me propozim të Kryeministrit (neni 92/f);
h) Emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e Universiteteve, sipas ligjit (neni 92/g);
i) Kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për cështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre (neni 92/h);
j) Lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit (neni 92/ë);
k) Emëron Prokurorin e Përgjithshëm me pëlqimin e Kuvendit dhe mund ta shkarkojë atë me propozim të Kuvendit si dhe emëron prokurorët e tjerë me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm (neni 149);
l) I propozon Kuvendit zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë (neni 161/2);
m) I propozon Kuvendit zgjedhjen dhe shkarkimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (neni 162/2);
n) Është Komandant i Përgjithshëm i forcave të Armatosura (neni 168/2) dhe në kohë paqeje ushtron drejtimin e tyre nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes (neni 169/1);
o) Emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm me propozim të Kryeministrit dhe komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore me propozim të ministrit të Mbrojtjes (neni 169/3);
p) Shpall gjendjen e luftës, në rrethanat e përcaktuara në Kushtetutë (neni 171/1);
q) I propozon Kuvendit shpalljen e gjendjes së luftës, vendosjen e gjendjes së mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm në rrethanat e përcaktuara në Kushtetutë (neni 171/2);
r) Ka një sërë kompetencash të tjera në lidhje me funksionin administrativ, si dhënien e shtetësisë shqiptare dhe lejimin e lënies së saj sipas ligjit (neni 92/ç), caktimin e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor (neni 92/gj).
III. Në lidhje me pushtetin gjyqësor dhe funksionimin e tij , Presidenti:
a) Emëron anëtarët dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë më pëlqimin e Kuvendit si dhe gjyqtarët e tjerë me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (neni 136);
b) Kryeson Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe propozon zëvëndëskryetarin e tij;
c) Me pëlqimin e Kuvendit, emëron anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe nga rradhët e tyre, Kryetarin e saj.