Si zgjidhen deputetët?
Zgjedhjet konsiderohen si zemra e sistemit politik sepse nëpërmjet tyre qytetarët zgjedhin dhe kontrollojnë qeverinë e tyre. Zgjedhjet shihen pothuaj si demokracia në praktikë sepse materializojnë parimin e përfaqësimit. Zgjedhjet në vetvehte mund të mos jenë një kusht i mjaftueshëm për përfaqësimin politik, por nuk ka dyshim se ato janë një kusht i domosdoshëm.
Proçesi i zgjedhjeve realizohet nëpërmjet rregullave, të cilat janë mjaft të ndryshme dhe të shumëllojta. Nga mënyra se si kombinohen këto rregulla, kemi sistemet zgjedhore. Sistemi zgjedhor është i përbërë nga një tërësi rregullash që pranohen në një demokraci përfaqësuese për të transformuar preferencat e zgjedhësve në vota dhe votat në vënde të parlamentit. Një sistem zgjedhor është i përbërë nga dy elementë kryesorë: sistemi i votimit dhe formulat zgjedhore. Formulat zgjedhore përbëjnë mekanizmin që transformon votat e dhëna nga trupi elektoral në vende të parlamentit.
Dallohen përgjithësisht tre grupe të mëdha të sistemeve të votimit:
1. Mënyrat e votimit mazhoritar.
2. Mënyrat e votimit proporcional.
3. Mënyrat e votimeve të përziera.
Duke klikuar këtu do të njiheni me historinë e sistemeve zgjedhore të zbatuara në Shqipëri. Ligji i ri zgjedhor i miratuar ne vitin 2008 përcaktoi zbatimin për herë të parë në Shqipëri të një sistemi proporcional. Kështu, sipas ligjit të ri, zona zgjedhore përputhet me territorin e qarkut dhe shërben si njësi zgjedhore për zgjedhjen e një numri të caktuar mandatesh, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin zgjedhor. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish. Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar të shtetësave. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi. Në rast se në përfundim të veprimit një ose disa mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi.