Çfarë është Mandati parlamentar?

Mandati parlamentar është një funksion publik, të cilin deputetët e kanë fituar nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare, ndërkohë që përmbajtja e tij si rregull përcaktohet nga Kushtetuta. Parlamenti e ushtron pushtetin e tij në bazë të mandatit të dhënë nga populli. Karakteri i mandatit parlamentar shpreh në thelb raportin ndërmjet deputetit dhe zgjedhësve. Mandati parlamentar nuk është një “mandat” në kuptimin e Kodit Civil. Ai nuk bazohet mbi një kontratë, ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurit nuk ka asnjë lidhje vartësie dhe as marrëveshje me vullnet të lirë. Parimi i mandatit të përgjithshëm, të pavarur dhe të pakthyeshëm është pjesë e së drejtës parlamentare të demokracive përfaqësuese.

Mbrojtja e mandatit parlamentar bëhet përgjithësisht nëpërmjet dispozitave kushtetuese si dhe ligjit të statusit të deputetit. Rregullat dhe përcaktimet tradicionale të statusit të anëtarëve të parlamentit kanë si qëllim sigurimin e pavarësisë së tyre dhe ruajtjen e lirisë së votës së zgjedhësve. Nëpërmjet statusit të tij, parlamentari mbrohet ndaj presionit që mund t’i bëhet nga zgjedhësit apo grupet e interesit, nga partia që e ka propozuar, si dhe nga pushteti ekzekutiv.

Doktrina e sovranitetit popullor ka qënë e mbrojtur për një kohë të gjatë në vendet ish socialiste të Europës Lindore si një nga teoritë më demokratike dhe më progresiste. Në fakt ajo shërbente më shumë për të justifikuar kontrollin absolut mbi përfaqësuesit e popullit nëpërmjet mandatit detyrues. Që nga koha e rënies së murit të Berlinit, në shkallë botërore konstatohet që doktrina e sovranitetit popullor, pra, dhe mandati detyrues, është pa mbështetje, ndërsa mandati përfaqësues, tashmë është bërë rregull kushtetues. Në shumicën e vendeve, mandati detyrues është i ndaluar.

Në nenin 70, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcaktohet se: “Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”. Kjo dispozitë  konfirmon parimin e mandatit përfaqësues, parim i cili është pranuar përgjithësisht nga kushtetutat demokratike bashkëkohore.

Statuti i deputetit përfshin:

Imunitetin parlamentar (papërgjegjshmëria dhe paprekshmëria penale),

Papajtueshmërinë e funksioneve me veprimtari të tjera (publike dhe private),

Shpërblimin e deputetëve, dhe deklarimin e pasurive.

Imuniteti është një situatë juridike subjektive e privilegjuar, e cila u njihet dhe u garantohet disa subjekteve vetëm duke pasur parasysh pozicionet dhe funksionet e tyre institucionale. Quhet imunitet parlamentar tërësia e dispozitave të cilat u sigurojnë anëtarëve të parlamentit një regjim juridik të ndryshëm me të drejtën e zakonshme për sa i përket marrëdhënieve me drejtësinë.

Vitet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë u debatua gjërësisht rreth problemit të kufizimit të imunitetit parlamentar duke e kushtëzuar këtë me statusin e vendit kandidat të BE. Debati kaloi normat e zakonshme parlamentare, megjithatë më në fund Kuvendi miratoi me konsensus disa ndryshime në Kushtetutën e vendit. Një material të plotë për këtë çështje do ta gjeni në Reformën kushtetuese.

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan