Cilët janë modelet e parlamenteve?
Struktura dhe funksionet bazë të parlamentit rrjedhin prej kushtetutës. Megjithë shumëllojshmërinë e tyre, kushtetutat përvijojnë konturet e parlamenteve në tre aspektet më të rëndësishme:
– Organizimin e parlamentit.
– Mënyrat se si parlamenti kryen funksionet e tij kryesore.
– Marrëdhëniet e parlamentit kundrejt institucioneve të tjera politike.
Kur flitet për mënyrën e organizimit të parlamenteve mbahen parasysh katër elementë kryesorë:
Së pari, Formati i jashtëm i parlamentit, domethënë, parlament me dy apo me një dhomë të vetme.
Së dyti, Mënyra e strukturimit të brëndshëm, domethënë funksionimi i tij kryesisht në seancë plenare, apo transferimi i disa funksioneve institucionale në strukturat e brëndëshme.
Së treti, Mënyrat e drejtimit institucional të parlamenteve, domethënë, modeli vetëm me kryetar, apo edhe me organ drejtues kolegjial.
Së katërti, Mënyrat e organizimit të subjekteve politike në brëndësi të parlamentit, domethënë, mënyrat e krijimit të grupeve parlamentare.
Ndërsa grupet politike dhe komisionet parlamentare, si strukturat bazë të çdo parlamenti, janë përgjithësisht të ngjashme, modeli i përdorur për drejtimin e parlamentit është i ndryshëm, në mvarësi të traditave historike, politike dhe social ekonomike të vendeve përkatëse. Zakonisht tre janë modelet e përdorura:
– Modeli i Westminsterit, ku kryetari i parlamentit, spikeri, vepron si një autoritet jo partiak, që drejton dhe kontrollon debatin.
– Modeli i Kongresit Amerikan, ku kryetari jo vetëm drejton debatin, por është dhe udhëheqësi i partisë së shumicës.
-Modeli i Byrosë franceze, ku kryetari në kryerjen e funksioneve të tij ndihmohet nga një Byro e përbërë nga deputetë me përkatësi të ndryshme partiake.
Çdo parlament, që të funksionojë ka nevojë për strukturat e tij të shërbimeve. Shërbimet parlamentare veprojnë me një mision të dyfishtë: u japin ndihmë parlamentarëve në ushtrimin e mandatit të tyre dhe autoriteteve drejtuese në drejtimin e vetë institucionit. Parlamenti është i pavarur në vendosjen e mënyrës së organizmit të strukturave të brëndëshme parlamentare.