Cilat janë funksionet e parlamentit?
Parlamentet kudo në botë, pavarësisht nga mënyra e organizimit të tyre, plotësojnë tre funksione kryesore: atë të përfaqësimit, atë legjislativ dhe të kontrollit. Shpesh përmënden dhe funksione të tjerë, si ai i informacionit, i emërimit/shkarkimit, i financave publike, etj. Të gjitha këto atribute rrjedhin prej funksioneve kryesore të parlamentit.
a) Funksioni përfaqësues
Në parlamentet demokratike, deputetët zgjidhen nga qytetarët. Shpesh shpërndarja e vendeve synon përgjegjësimin e deputetëve kundrejt zgjedhësve të veçantë në brëndësi të një grupi gjeografik, etnik, fetar, etj,. Kjo afërsi ndaj qytetarëve është në themel të funksionit përfaqësues të parlamentit. Në kundërshtim me ekzekutivin që përfaqëson kombin në tërësinë e vet, ose me nëpunësit dhe gjykatësit që duhet të zbatojnë dhe interpretojnë ligjin në mënyrë të paanshme kundrejt të gjithë qytetarëve, deputetët përfaqësojnë diferencat në brëndësi të një shoqërie dhe i riprodhojnë këto diferenca në proceset vendimmarrëse. Parlamenti, si produkt i këtyre diferencave, përfaqëson besimet dhe idetë e kombit.
Funksioni përfaqësues i parlamentit materializohet nëpërmjet veprimtarisë së tij, si vendi ku shprehen dhe debatohen çështjet me rëndësi lokale dhe kombëtare, debate këto që konkretizojnë politikat publike. Për një deputet, një përfaqësim efikas supozon angazhimin në një dialog me zgjedhësit për të kuptuar opinionet dhe perspektivat e zhvillimit të zonës së tij dhe të përdori kompetencat e tij, që janë të pandara nga funksionet parlamentare. Për shkak të rolit përfaqësues të tyre, deputetët synojnë që të paraqiten tek zgjedhësit me premtime të realizuara. Si rregull i përgjithshëm, efikasiteti i një deputeti në plotësimin e rolit të tij përfaqësues varet shumë prej perceptimeve që kanë zgjedhësit për punën e tij.
b) Funksioni legjislativ
Funksioni më i dukshëm i parlamenteve është funksioni legjislativ. Deputetët, veç propozimit të ligjeve që mund të bëjnë vetë, kanë të drejtë të amendojnë, të miratojnë ose të hedhin poshtë projektet e ligjeve të paraqitura nga qeveria. Ky funksion është i lidhur ngushtë me funksionin përfaqësues pasi në vendet demokratike prej vullnetit të votuesve parlamentet marrin autoritetin e nevojshmë për bërjen e ligjeve.
Në shumicën e parlamenteve që funksionojnë me komisione të përhershme, projektligjet paraqiten formalisht në asamble, pastaj transmetohen në komisionin kompetent të fushës së legjislacionit. Sistemet Westminster njihen për mbajtjen e projektligjeve në asamble për një lexim të dytë; projektet debatohen dhe votohen “në parim”. Në vazhdim, projektligjet kalohen në komisione, ku anëtarët e tyre përqëndrohen në detajet teknike dhe amendimet e tyre.
Në sistemet presidenciale, projektligjet e propozuara dërgohen menjëherë në komisione. Projektet që janë në kompetencën e më shumë se një komisioni, mund të kalohen në disa komisione. Në sistemet politike që rregjistrojnë një volum të madh ligjesh (më shumë se 10 000 projektligjesh paraqiten çdo vit në Kongresin amerikan) shumica e ligjeve nuk shkon më larg se komisioni.
Nëse parlamenti është bikameral, projektligjet mund të shqyrtohen njëkohësisht në të dy dhomat ose në mënyrë të njëpasnjëshme, në njërën dhomë pas tjetrës. Si rregull, parlamentet me dy dhoma përdorin procedura që u lejon atyre të merren vesh midis tyre, për versione të ndryshme të projektligjeve.
c) Funksioni i kontrollit
Funksioni i kontrollit është një nga gurët e themelit të demokracisë. Kontrolli i parlamentit bën që ekzekutivi të përgjigjet për veprimet e tij dhe të garantojë zbatimin efikas të politikave të tij. Kontrolli i ekzekutivit prej parlamentit është një tregues i qeverisjes së mirë. Përveç funksionit legjislativ, nëpërmjet kontrollit, parlamenti garanton ekuilibrin e pushteteve dhe afirmon rolin e tij si mbrojtës i interesave të popullit.
Parlamenti ka pushtetin të mbikqyrë qeverinë nëpërmjet një numër mjetesh dhe mekanizmash të parashikuara përgjithësisht prej kushtetutës dhe rregulloreve të brëndëshme të parlamentit. Mënyra se si parlamenti mund të përdori pushtetin e tij të kontrollit varet prej kuadrit juridik që përcakton pozicionin e parlamentit si një institucion i kontrollit dhe garanton pushtetet dhe pavarësinë e tij në brëndësi të sistemit politik. Kështu, ndërsa reforma kushtetuese për të forcuar kapacitetet e kontrollit të parlamentit nuk është gjithmonë një gjë e mundur, në disa raste, parlamentet mund të përmirësojnë kapacitetet e tyre të kontrollit duke reformuar rregulloret e tyre.
Objektivat kryesore të kontrollit paralmentar janë:
– Për të garantuar transparencën e veprimeve të ekzekutivit. Parlamentet hedhin dritë mbi operacionet e qeverisë duke i dhënë hapësirë publike diskutimit dhe kalimit në sitën e opinionit publik të politikave dhe veprimeve të qeverisë.
– Për të krijuar përgjegjësinë e ekzekutivit. Kontrolli parlamentar lejon të shihet nëse politikat e qeverisë janë të zbatueshme dhe nëse ato kanë pasur impaktin e dëshiruar;
– Për të garantuar përgjegjësinë financiare. Parlamentet aprovojnë dhe shqyrtojnë hollësisht shpenzimet e qeverisë duke denoncuar abuzimet në nivelin e shërbimeve të financuara nga shteti, duke patur si objektiv përmirësimin e ekonomisë, eficiensën dhe efikasitetin e shpenzimeve qeveritare;
– Të mbështesin shtetin e së drejtës. Parlamentet duhet të mbrojnë të drejtat e qytetarëve duke kontrolluar politikat dhe duke shqyrtuar abuzimet eventuale të pushtetit, sjelljet arbitrare dhe jo të ligjshme ose antikushtetuese nga ana e qeverisë.
Parlamentet disponojnë një mori të gjërë mjetesh për të kryer funksionin e tyre të kontrollit. Mjetet më të përhapura janë: pyetjet për ministrat (me shkrim ose me gojë), interpelancat dhe mocionet e mosbesimit. Të tjera mjete përfshijnë mekanizmat e kontrollit buxhetor, shkarkimin dhe krijimin e komisioneve ad-hoc të hetimit.