Ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit

Raporti dhe amendamentet e  Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, që u miratuan në seancë plenare,  më 18.09.2012

RAPORT

Për shqyrtimin e nismës “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar

Bazuar në nenin 177, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të më shumë se 1/5 të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, 33 deputetë nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, më datë6.7.2012 depozituan në Kuvend nismën “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.  Konferenca e Kryetarëve, bazuar në Rregulloren e Kuvendit, nenet 77/a dhe 77/b, caktoi datat 20 dhe 21 korrik 2012 për fillimin e procedurave nga mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e nismës. Kryetarja e Kuvendit, bazuar në nenin 77/a, pika 1, në seancën plenare të datës 12 korrik 2012 njoftoi Kuvendin për depozitimin e nismës për rishikimin e Kushtetutës

Në mbledhjen e datës 20 korrik 2012,  nën e drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në prani të përfaqësuesve të misioneve PACA dhe Euralius, u bë prezantimi në parim i nismës së depozituar nga grupi parlamentar i PD-së. Njëkohësisht, nga përfaqësuesi i opozitës në këtë mbledhje të përbashkët, sipas pikës 5 të nenit 77/a të Rregullores së Kuvendit, u bë prezantimi i amandamenteve lidhur me iniciativën ligjvënëse për ndryshimin e Kushtetutës në nenet respektive që kanë të bëjnë me iminitetin, depozituar në Kuvend më datë 20 korrik 2012, me nr. Prot. 1903.

Ndryshimet e paraqitura në Kushtetutë kanë për qëllim reformimin e plotë të sistemit të imuniteteve të parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për t’i sjellë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare në këtë fushë për të ngritur në një stad të ri luftën ndaj korrupsionit dhe për të konsoliduar barazinë para ligjit të të gjë shtetasve shqiptarë. Kjo nismë vjen edhe si rezultat i përmbushjes së rekomandimeve ndërkombëtare dhe detyrimeve që vendi ynë ka marrë përsipër të realizojë në kuadër të integrimit në BE. Përmbajtja e amendamenteve të propozuara vjen pas konsultimeve të gjata dhe të specializuara me Misionin PACA në fushën e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe Minisionin Euralius në fushën e imunitetit të gjyqtarëve.

Të gjithë anëtarët e mbledhjes së përbashkët, në parim mbështetën nismën për ndryshimet në Kushtetutë për heqjen/kufizimin e imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë.

Në këtë mbledhje, bazuar në nenin 77/a, pika 3, u caktuan dy relatorët: Edi Paloka nga Partia Demokratike dhe Pandeli Majko nga Partia Socialiste. Po në këtë mbledhje në përputhje me këtë pikë të nenit 77/a, u vendos me konsensus zhvillimi i seancës dëgjimore me konstituciononalistë, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, aktorët dhe grupet e interesit, profesorati etj., në bazë të listave të propozuara nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës.

Në mbledhjen e datës 21 korrik 2012, u zhvillua seanca dëgjimore me:

–       Ekspertët e PACA-s;

–       Ekspertët e Euralius-it;

–       Përfaqësues nga OSBE-ja dhe OPDAT-i;

–       Ekspertë konstitucionalistë vendas;

–       Përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese (Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm);

–       Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve;

–       Përfaqësues nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës.

Gjatë kësaj seance të gjatë u kërkua mendimi i specializuar i ekspertëve ndërkombëtarë dhe eksperiencat e vendeve të Bashkimit Europian në lidhje me çështjen e imunitetit për të zgjedhurit, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë. Njëkohësisht u dëgjuan edhe opinionet e përfaqësuesve të institucioneve kushtetuese për kufizimin/heqjen e imunitetit si dhe u kërkua edhe mendimi i ekspertëve konstitucionalistë vendas për këtë çështje. Gjatë seancës dëgjimore, nga ana e anëtarëve të mbledhjes së përbashkët iu drejtuan pyetje të shumta të ftuarve dhe u komentuan mendimet e tyre për imunitetin.

Relatorët e mbledhjes së përbashkët, zhvilluan një punë intensive për reflektimin e të gjitha sugjerimeve dhe propozimeve të dala nga seanca dëgjimore, me qëllim arritjen e konsensusit dhe paraqitjen e një drafti të përbashkët përfundimtar për votim dhe miratim në Kuvend.

Drafti final, i cili merr parasysh kryesisht propozimet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, parashikon kufizimin e imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë në ushtrim të funksioneve të tyre. Ky draft arrin synimin kryesor që kishte iniciativa e marrë që t’i lejojë organeve të drejtësisë që të ushtrojnë funksionet e tyre edhe ndaj personave që deri më sot kanë qenë të veshur me imunitet.

Në bazë të këtij drafti, në ndryshim nga propozimi i PACA-s, (i cili u paraqit si propozim i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike), deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit. Për këtë çështje u pranua propozimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me qëllimin e vetëm që të arrihej konsensusi i domosdoshëm për miratimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese.

Ndërkaq, deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në shtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

I njëjti kufizim i imunitetit parashikohet edhe për gjyqtarët e gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarët e tjerë si dhe për zyrtarët e lartë.

 Varianti i përbashkët i relatorëve është si më poshtë: 

Amendamenti 1 :

Neni 1 i projektligjit të riformulohet si vijon:

Neni 1

Neni 73 ndryshohet si vijon :

Neni 73

1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

 2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

 3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

 4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

 Amendamenti 2:

Neni 2 i projektligjit të riformulohet si vijon :

 Neni 2

 Neni 126 ndryshohet si vijon :

 “Neni 126

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij.

 Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.”

 Amendamenti 3:

Neni 3 i projektligjit të riformulohet si vijon :

 Neni 3

 Neni 137 ndryshohet si vijon :

 “Neni 137

 1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij.

 Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën  Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

 2. Gjyqtarët nuk mbajnë përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore.

Gjyqtari nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili mund të vendosë për heqjen e masës.”

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

                    Relatorët

 Edi Paloka                 Pandeli Majko

KRYETARE

Jozefina TOPALLI (ÇOBA)

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi