Funksionet dhe struktura e qeverisë
Funksionet. Qeveria vepron si organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv stabilizon, bashkë me organet e tjera kushtetuese të shtetit, vendimmarrjen politike, domethënë formulon opsionet përmes të cilave përcaktohen qëllimet që shteti synon të ndjek në një moment të caktuar historik nëpërmjet aktivitetit administrativ. Anëtarët e qeverisë, kolegjialisht ose individualisht, sipas dikastereve përkatëse, kujdesen për kalimin e vendimarrjes politike në veprimtarinë administrative që kryen administrata publike, duke zhvilluar kështu funksionet administrative, dhe në veçanti, të administratës së lartë (për shëmbull, emërimi dhe shkarkimi i funksionarëve më të lartë publik). Në Kushtetutën e Shqipërisë (neni 95, pika 2) përcaktohet se Këshilli i ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore.
Qeveria mban funksione normative, domethënë ajo mund të miratojë akte normative, të cilat kanë forcë më të ulët se ajo e ligjit; në disa raste mund të miratohen akte normative që kanë të njëjtën forcë si ligji pas delegimit prej parlamentit ose mbas ratifikimit prej tij. Qeveria mund të paraqes projektligje parlamentit ku shumica parlamentare mbështet qeverinë, siç ndodh detyrimisht në sistemet parlamentare; shumica e ligjeve të aprovuar nga parlamenti janë inisiativë qeveritare. Aktet e Këshillit të Ministrave miratohen me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, me votim të hapur.
Struktura . Struktura e qeverisë ndryshon mjaft sipas formës së qeverisë. Në përgjithësi është fjala për një organ kompleks, domethënë i artikuluar në shumë organe monokratike ose kolegjiale, midis të cilëve përfshihen:
– Kryetari i shtetit, monokratik ose kolegjial, megjithëse në sistemet parlamentare përfshirja e tij në qeveri është e dyshimtë;
– Zëvëndësi i kreut të shtetit monokratik, atje ku ndodhet (zëvëndëspresidenti i republikës, ose analog me të);
– Kreu i qeverisë, është ndryshe nga kreu i shtetit, zakonisht quhet kryeministri, kryetari i këshillit të ministrave, kancelari, etj);
– Zëvëndësi i kreut të qeverisë;
– Ministrat ose sekretarët e shtetit;
– Eventualisht organet monokratike që ndihmojnë ministrat dhe kryejnë funksione ndihmëse të tyre (zëvëndëministrat, nënsekretarët e shtetit, ej);
– Organe monokratike që eventualisht kryejnë funksione të veçanta (për shëmbull, attorney general në vendet e common law , ose prokurori i përgjithshëm kur është kreu i pubblico ministero në disa vende të civil law );
– Një organ kolegjial, kabineti ose këshilli i ministrave, ose thjesht qeveria, që bashkon ministrat (vetëm ministrat anëtarë të kabinetit) nën drejtimin e kreut të shtetit ose të kreut të qeverisë;
– Organe kolegjiale të qeverisë, të cilat zakonisht quhen këshilla ose komitete, të cilat bashkojnë një pjesë të ministrave me funksione të koordinimit sektorial (të ashtuqujturat komitete ndërministeriale).
Struktura, emërimi dhe funksionet e organeve të mësipërme bëhen me vendime të posaçme të përcaktuara nga ligjet përkatëse.
Në një rregjim parlamentar në të cilin pushteti ekzekutiv i besohet një qeverie të përbërë nga ministrat, kryeministri është shefi i qeverisë, i cili koordinon dhe drejton politikën. Kryeministri nuk është kreu i shtetit, por ai është një figurë qëndrore me kompetenca të shumta ekzekutive. Në nenin 102 të Kushtetutës së Shqipërisë përcaktohet se Kryeministri përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij, koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për to, siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave, bashkërendon dhe kontrollon punën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të administratës qendrore të shtetit si dhe kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë e në ligje. Në zbatim të kompetencave të tij Kryeministri nxjerr urdhra. Ai zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ministrave. Megjithëse në një kuptim strikt nuk ka një fuqi hierarkike mbi ministrat, përparësia e Kryeministrit është e pakontestueshme.
Etimologjia e fjalës ministër vjen prej latinishtes minister, që do të thotë ai që shërben, që ndihmon, që ekzekuton; minister rrjedh prej minus , që do të thotë, i poshtëm, më i ulët. Ministri është një anëtar i qeverisë i ngarkuar me një fushë kompetencash (një portofol), që zakonisht përcaktohen me dekret të kryeministrit, që drejton një ministri ose një departament ministerial, të përbërë nga administrata dhe shërbimet publike. Ai përfaqëson ministrinë e tij në gjirin e qeverisë dhe drejton politikën e vendosur për fushën e tij.
Ministria është person juridik, publik, që përfaqësohet dhe drejtohet nga ministri. Ministria mbështet, në aspektin teknik, veprimtarinë e ministrit. Fusha e veprimtarisë shtetërore, që përfshihet brenda një ministrie, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Struktura dhe organika e ministrisë përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përkatës.
Një ministër Shteti është një ministër që i atribohet një titull honorifik, që mban parasysh personalitetin e tij ose vlerat e tij përfaqësuese. Një ministër i deleguar vendoset drejtpërsëdrejti nën autoritetin e Kryeministrit për të kryer një mision të veçantë. Një ministër pa portofol nuk është në krye të një ministrie, por ka titull ministri dhe bën pjesë në qeveri. Një ministër i plotfuqishëm është një person diplomatik, i rangut menjëherë mbas ambasadorëve.