Cilat janë raportet midis Qeverisë dhe Parlamentit?
Demokracitë e sotme parlamentare karakterizohen nga mënyra se si vendimmarrja politike ndahet midis parlamentit dhe qeverisë. Ndonëse funksionet tradicionale të këtyre dy degëve të qeverisjes janë të strukturuara formalisht në kushtetutën e një vendi, realiteti është më shumë një ndërveprim midis tyre. Presioni qeveritar ndaj legjislativit realizohet nëpërmjet ndryshimeve të procedurave parlamentare: shumica qeverisëse nuk e ka të vështirë të ndryshojë rregulloren e parlamentit përmes futjes së rregullave që kufizojnë deputetët dhe rrisin hapësirën e qeverisë; madje, me këtë synim, nëse është e nevojshme dhe e mundëshme, ajo mundet të shkoj deri në ndryshimin e dispozitave kushtetuese. Efekte të tilla ndodhin edhe për shkak të ndryshimeve të sistemit zgjedhor: listat e rregulluara partiake të kandidatëve për deputetë i shërbejnë mjaft mirë funksionimit të disiplinuar të tyre. Fenomene të tilla janë prezente sidomos në vendet me demokraci ende të pakonsoliduar. Ndërsa zgjedhjet demokratike në këto vende shpien në parlamente shumëpartiake, ato rrallë herë prodhojnë institucione të forta demokratike. Parlamenteve të këtyre vendeve u mungon organizimi, burimet financiare, anëtarët dhe stafi me përvojë për tu shërbyer në mënyrë të kualifikuar dhe të pavarur përfaqsuesve të popullit.
Demokracia atrofizohet në mënyrë thelbësore kur ekzekutivi mbisundon në mënyrë të tepruar në raport me parlamentin. Në këtë rast duket se parlamenti ekziston vetëm për të “vulosur” vendimet e ekzekutivit. Shteti me një parlament që i mungon kapaciteti për të kontrolluar ekzekutivin ose për të ndikuar në politikat e tij, nuk mund të mendohet demokratik në kuptimin e sotëm.
Megjithë rritjen e rolit të ekzekutivit në qeverisjen e vendit, baraspesha relative e pushtetit ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit mund të ndryshohet dhe të rivendoset. duke ndërmarrë reforma që synojnë ndërtimin e institucioneve të forta legjislative. Reformat mund të jenë të sukseshme nëse gjëndet vullneti politik i përbashkët midis shumicës qeverisëse dhe opozitës.
Faktorët strukturorë dhe procedurial që ndikojnë drejpërsëdrejti në raportet midis legjislativit dhe ekzekutivit janë:
Rendi i ditës : Zakonisht është sanksionuar prioriteti qeveritar në përcaktimin e rendit të ditës së parlamentit, sepse ai nuk shihet si një parim i “brëndshëm” i organizimit të punës së parlamentit, por si një mjet që kushtëzon në një shkallë të rëndësishme punën e institucioneve të tjera të shtetit, sidomos të qeverisë. Megjithëse përcaktimi i rendit të ditës është pjesë e rëndësishme e autonomisë parlamentare, praktikisht nëpërmjet këtij prioriteti qeveria dominon axhendën e punimeve parlamentare. Në një parlament përfaqësues absolutizimi i priroritetit të qeverisë çon në mosrespektimin e nismave të aktorëve të tjerë, sidomos të forcave politike në opozitë dhe të deputetëve të veçantë.
Procesi ligjvënies : Pothuajse të gjitha nismat e rëndësishme të ekzekutivit në fushën e politikave kalojnë nëpërmjet miratimit nga parlamenti të legjislacionit përkatës. Ky përbën dhe rastin më të rëndësishëm ku parlamentarët mund të ndikojnë në politikat e pushtetit ekzekutiv. Përsa i përket nismës për ligje të reja, në shumicën e parlamenteve demokratike, është qeveria që mbisundon. Kjo argumentohet me faktin se qeveria ka mandat zgjedhor për zbatimin e programit të saj, por një ndikim të ndjeshëm në këtë rast ka dhe mungesa e kapaciteteve njërzore dhe materiale, që asistojnë parlamentarët.
Procesi i buxhetit : Buxheti është fushë e ekzekutivit. Ai konsiderohet si deklaratë e politikave qeveritare e shprehur në terma financiare. Megjithë rolin mbisundues të ekzekutivit, është vendimtare që parlamenti të luaj një rol thelbësor në këtë proces. Zakonisht parlamenti e ushtron ndikimin e vet në buxhet nëpërmjet procesit të amendamenteve.
Procesi i kontrollit parlamentar të qeverisë : Mbikqyrja e ekzekutivit është ndoshta funksioni më i rëndësishëm i çdo parlamenti. Mbikqyrja është edhe ndjekja në vazhdimësi e veprimtarisë ligjvënëse. Parlamenti duhet të shoh nëse ligjet po zbatohen me efektivitet dhe nëse ato zgjidhin dhe korrigjojnë problemet siç u synua nga hartuesit e tyre. Është një veprimtari që mund të zhvillohet si nga shumica që mbështet qeverinë, ashtu dhe nga opozita, por ndërsa deputetët e opozitës janë plotësisht të motivuar të ushtrojnë atributet e kontrollit, nuk është e njëjta gjë për ata të shumicës qeverisëse. Shumica qeveritare predominohet nga besnikëria partiake.