Çfarë është qeveria?
Termi ” qeveri ” (nga folja latine gubernare , “mbaj timonin”, që nga ana e saj rrjedh nga greqishtja kybernan ) përdoret në gjuhën juridike dhe politike me kuptime të ndryshme. Në një kuptim shumë të gjërë, qeveria është bashkësia e subjekteve që në një shtet mban pushtetin politik. Ky kuptim përfshin të gjitha organet e shtetit dhe të enteve të tjera publike që i përkasin pushtetit legjislativ, ekzekutiv ose gjyqësorit. Këtij kuptimi i referohet thënia që qeveria, bashkë me territorin dhe popullin, është një prej elementëve përbërës të shtetit.
Në një kuptim më të ngushtë, qeveria është bashkësia e subjekteve që në një shtet mbajnë pushtetin politik duke qënë në krye të shtetit dhe jo të varura nga subjekte të tjera. Në shtetet moderne këto subjekte identifikohen me organet kushtetuese ose ato organe që në pozicion të pavarësisë reciproke marrin pjesë në përcaktimin e funksionit politik të shtetit: parlamenti, kreu i pushtetit ekzekutiv, kreu i shtetit, gjykata kushtetuese ose gjykata e lartë së cilës i është besuar kontrolli i legjitimitetit kushtetues. Kompleksi i raporteve midis këtyre organeve, të disiplinuar nga kushtetuta, përbën formën e qeverisë së shtetit: monarkik, republikan, republikë presidenciale apo parlamentare, etj. Në një kuptim akoma më të ngushtë, dhe ky është kuptimi më i zakonshëm, me qeveri nënkuptohet vetëm një prej organeve të sipërpërmëndura kushtetuese, ai i postit të kreut të pushtetit ekzekutiv, nga i cili varet administrata publike. Duhet shënuar që këto kuptime janë të dallueshme nga njëri tjetri vetëm atje ku ekziston ndarja e pushteteve: në shtetin absolut, në fakt këto kuptime përputhen dhe identifikohen me monarkun dhe bashkëpunëtorët e tij të drejtpërdrejtë.
Në një rregjim parlamentar, termi “qeveri” përcakton një organ kolegjial dhe solidar të përbërë nga ministra që vendosen nën autoritetin e kryeministrit (emërtimi i këtij të fundit ndryshon në vende të ndryshme, Kryetar i Këshillit të Ministrave në Itali ose në Francë para 1958, kancelar në Gjermani) dhe që ka në ngarkim pushtetin ekzekutiv. Ndërsa qeveria është politikisht përgjegjëse para parlamentit, kryetari i shtetit nuk mund të jetë pjesë e saj meqënëse ai konsiderohet politikisht i papërgjegjshëm.
Duke qënë se qeveria është një organizëm kolegjial dhe solidar, çdo anëtar i qeverisë pranon vendimet e tërësisë së kolegëve të tij. Që këtej duket logjike që vendimet e qeverisë duhet të diskutohen dhe vendosen në mënyrë kolegjiale. Çdo ministër është përgjegjës individualisht për aktet e tij, ndërsa si anëtar i Qeverisë, ai është gjithashtu përgjegjës për politikën e saj të përgjithshme. Këshilli i Ministrave është organi i kolegjialitetit qeveritar, ndërkohë që zhvillohen edhe mjaft mbledhje të tjera të ministrave, që nuk kanë asnjë karakter kushtetues.
Qeveria përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme të Shtetit. Ajo merr të gjitha vendimet dhe veprimet e nevojshme për funksionimin normal të Shtetit. Në nenin 95 pika 2 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet se “Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore”.
Është Kushtetuta e çdo shteti që përcakton mënyrat e emërimit të kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë. Në neni 96 të Kushtetutës së Shqipërisë përcaktohet se është Presidenti i Republikës që emëron Kryeministrin. Nëse Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brënda 10 ditëve. Edhe ministrat e qeverisë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit; edhe në këtë rast dekreti i Presidentit duhet miratohet nga Kuvendi.