Të drejtat dhe kompetencat e organeve të qeverisjes vendore
Njësi bazë të qeverisjes vendore janë komuna dhe bashkia. Qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes vendore. Në çdo komunë, bashki dhe qark, krijohen organet përfaqësuese dhe organet ekzekutive të qeverisjes vendore. Organi përfaqësues i komunës ose bashkisë është këshilli komunal ose bashkiak, ndërsa i qarkut është këshilli i qarkut. Organi ekzekutiv i komunës dhe bashkisë është kryetari i komunës dhe i bashkisë. ndërsa në qark funksioni ekzekutiv kryhet nga kryetari dhe kryesia e këshillit të qarkut. Organet e njësive të qeverisjes vendore janë persona juridikë.
Organet përfaqësuese dhe ekzekutive në komuna e bashki zgjidhen me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë, ndërsa organi përfaqësues i qarkut, krijohet me përfaqësues nga organet e zgjedhura të komunave dhe bashkive që e përbëjnë atë sipas mënyrës së përcaktuar në Kushtetutë. Gjithashtu edhe kryetari dhe kryesia e këshillit të qarkut zgjidhen nga këshilli i qarkut, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Të drejtat e njësive të qeverisjes vendore janë:
– E drejta e qeverisjes: ato mund të përcaktojnë masa që i gjykojnë të nevojshme për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave, nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra që janë të detyrueshme për të gjitha subjektet në juridiksionin e tyre, mund të krijojnë struktura administrative për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tyre, mund të krijojnë njësi ekonomike e institucione në varësi të tyre, mund të krijojnë nëndarje administrativo-territoriale brenda juridiksionit.
– E drejta e pronësisë: ato mund ushtrojnë të drejtën e pronësisë, dmth të shesin dhe japin në përdorim pronën e paluajtshme ose të luajtshme të tyre; e drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër.
– E drejta e mbledhjes së të ardhurave dhe e bërjes së shpenzimeve: ato mund të krijojnë, mbledhin të ardhura dhe bëjnë shpenzime për përmbushjen e funksioneve të tyre, të vendosin taksa e tarifa për shërbimet si dhe nivelin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe interesat e bashkësisë, të hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë buxhetin e tyre.
– E drejta e kryerjes së veprimtarive ekonomike: ato mund të ushtrojnë veprimtari ekonomike që nuk bie ndesh me orientimet themelore të politikave ekonomike të shtetit, të ardhurat që përfitohen nga veprimtaria ekonomike mund të përdoren për mbështetjen dhe përmbushjen e funksioneve publike.
– E drejta e bashkëpunimit: ato mund të ushtrojnë së bashku me njësi të tjera te qeverisjes vendore çdo funksion që u është dhënë atyre me ligj, nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve ose kontratave të përbashkëta, delegimit të kompetencave dhe përgjegjësive të veçanta njëra-tjetrës ose kontraktimit me një palë të tretë, ato mund të bashkëpunojnë me njësi të qeverisjes vendore të vendeve të tjera dhe përfaqësohen në organizata ndërkombëtare të pushteteve vendore, ato kanë të drejtë të organizohen në shoqata.
– E drejta e personit juridik: ato gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi.
Komuna, bashkia dhe qarku, kryejnë funksione të veta, të përbashkëta dhe funksione të deleguara.
Për funksionet e veta komuna dhe bashkia kanë kompetenca të plota administrative, shërbimi, investimi dhe rregullatore. Ato i ushtrojnë këto kompetenca duke respektuar politikat kombëtare dhe rajonale. Për këto funksione, pushteti qendror mund të vendosë standarde e norma specifike kombëtare me qëllim ruajtjen e interesave kombëtarë. Këto standarde e norma nuk mund të cenojnë ose kufizojnë autonominë e komunave dhe bashkive në çështje me interes vendor. Në rastet kur komunat dhe bashkitë nuk zotërojnë fondet ose mjetet e mjaftueshme për arritjen e standardeve dhe normave kombëtare, pushteti qendror u jep atyre mbështetjen e nevojshme.
Komuna dhe bashkia kryejnë funksionet e përbashkëta, veçmas ose së bashku me pushtetin qendror. Në rastet kur pushteti qendror i kërkon komunës ose bashkisë kryerjen e një funksioni të përbashkët, ai siguron mbështetje të mjaftueshme financiare dhe materiale.
Funksionet e deleguara janë të detyrueshme ose jo të detyrueshme. Funksionet dhe kompetencate detyrueshme përcaktohen me ligj. Institucionet qendrore autorizojnë komunën, bashkinë ose qarkun të kryejnë funksione të caktuara të institucioneve qendrore, duke përcaktuar procedurat e kryerjes dhe të kontrollit për zbatimin e tyre. Ato mund të autorizojnë komunën, bashkinë dhe qarkun të ushtrojnë një kompetencë të vetme për një funksion të caktuar. Komunës, bashkisë ose qarkut, mund t’u delegohen funksione dhe kompetenca të tjera jo të detyrueshme, mbi bazën e një marrëveshjeje midis njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe institucionit qendror përgjegjës me ligj për këtë funksion ose kompetencë.
Funksionet e veta të qarkut janë ndërtimi dhe zbatimi i politikave rajonale dhe harmonizimi i tyre me politikat shtetërore në nivel qarku. Qarku ushtron të gjitha funksionet që i delegohen nga një ose më shumë komuna e bashki brenda territorit të tij, sipas një marrëveshjeje të lidhur midis palëve. Qarku kryen dhe kompetencat e deleguara nga pushteti qendror.