Çfarë është qeverisja vendore?

Qeverisja vendore nënkupton të drejtën e njerëzve në bashkësinë e caktuar territoriale që në mënyrë të pavarur të qeverisin punët e tyre, nëpërmjet organeve të cilat i zgjedhin vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Parimi i decentralizmit të pushtetit është parim thelbësor mbi të cilin ngrihet dhe funksionon qeverisja vendore. Ai ushtrohet nëpërmjet parimit kushtetues të autonomisë vendore dhe kushtëzon ekzistencën e një pushteti vetë qeverisës vendor, sipas koncepteve të përparuara të organizimit të shtetit demokratik.

Në përputhje me Kartën Evropiane të Autonomisë lokale, me autonomi vendore kuptohet e drejta dhe aftësia efektive e bashkësive vendore për të rregulluar e për të drejtuar, brenda ligjit, nën përgjegjësinë e tyre dhe në të mirë të popullsive të tyre, një pjese të mirë të çështjeve publike. Kjo e drejtë ushtrohet nga këshillat apo asambletë e përbëra nga anëtarë të zgjedhur me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë e universal dhe që mund të kenë organe ekzekutive përgjegjës para tyre. Kjo dispozitë nuk i pengon qytetarët të mblidhen në kuvende, referendume apo çdo formë tjetër të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të tyre aty ku lejohet nga ligji.

Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të qeverisjes vendore si dhe raporti që ajo ka me pushtetin qëndror varen nga kuptimi kushtetues dhe ligjor që i jepet decentralizmit të pushtetit, autonomisë vendore dhe vetëqeverisjes.

Decentralizmi është një proçes, ku autoriteti dhe përgjegjësia për funksione të caktuara transferohet nga pushteti qendror në njësitë e qeverisjes vendore. Në themel të decentralizmit qëndron parimi i subsidiaritetit, sipas të cilit ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve.

Decentralizmi ka përmasat e veta, politike, administrative dhe financiare, të cilat ndërveprojnë midis tyre dhe përfaqësojnë në thelb tre komponentët e pushtetit. Decentralizmi është politik dhe përfshin transferimin e autoritetit politik në nivelin vendor nëpërmjet një sistemi përfaqësimi të bazuar në zgjedhjet politike vendore. Nëpërmjet decentralizmit administrativ transferohet përgjegjësia për çështjet e administrimit të disa funksioneve publike qendrore te njësitë vendore, ndërsa decentralizmi financiar i referohet zhvendosjes së pushtetit financiar pranë nivelit vendor, me qëllim pajisjen e tij me autoritet më të madh në administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve.

Pushteti vendor siguron qeverisjen në një nivel sa më afër shtetasve nëpërmjet  njohjes së ekzistencës së identiteteve dhe vlerave të ndryshme të bashkësive, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve të sanksionuara në Kushtetutë ose në ligje të tjera, zgjedhjes së llojeve të ndryshme të shërbimeve dhe lehtësirave të tjera publike vendore në dobi të bashkësisë, ushtrimit efektiv të funksioneve, kompetencave dhe realizimit të detyrave nga organet e qeverisjes vendore, realizimit të shërbimeve në forma të përshtatshme dhe nxitjes efektive të pjesëmarrjes së bashkësisë në qeverisjen vendore.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi