A po “stabilizohet” asocimi i Ballkanit me BE-në?

Nga Geron Kamberi, botuar në BallkanWeb, 31 gusht 2015

hqdefaultSamiti i Vjenës që po zhvillohet këto ditë u parapri nga Samiti i krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore dhe takimi parapërgatitor i liderëve të Ballkanit në Tiranë në prag të të ashtuquajturit Forumi Ekonomik i Vjenës. Megjithëse përballë krizës së emigrantëve me të cilën po përballet BE-ja dhe një pjesë e vendeve të Ballkanit, këto nisma e kanë rikthyer sërish Ballkanin te pyetja e kahershme se “çfarë po ndodh me procesin e stabilizimit dhe asocimit të tij me BE?”

Pas gati 16 vjetësh që shënoi fillimin e tij, Procesi i Stabilizim–Asocimit i BE për Ballkanin Perëndimor ka mbërritur në një fazë ku, vendet që u nisën së bashku janë në gjendje të bëjnë një bilanc. Ndërkohë, pas më shumë se një dekade e gjysmë, edhe BE nuk është më si më parë dhe të flasësh sot për sfidat e saj është një ushtrim i vështirë akademik, politik dhe social-ekonomik, ashtu sikurse janë të ndërlidhura këto me elementët e atmosferës së përgjithshme që rrethon një nga projektet më interesante politike dhe ekonomike të shekullit XX. BE u përpoq të “riprodhonte” përmes Procesit të Stabilizim-Asocimit modelin europian të “dividentit të paqes”, ku secili vend ballkanik, në vartësi të “aksioneve” të forta të bashkëpunimit e reformave që do të kuotonte në këtë bursë, mund të merrte fitimet e pritshme. Vetë Procesi i Stabilizim-Asocimit në Ballkan u ndërtua në katër shtylla: marrëveshjet dypalëshe me BE, marrëdhëniet tregtare, asistenca financiare e BE (CARD-s e më pas IPA) dhe bashkëpunimi rajonal, te të cilat u mbështet e ashtuquajtura ngrehina e “para-anëtarësimit apo asocimit”. Secili prej vendeve të Ballkanit Perëndimor do të “strehohej” atje fillimisht, për të dalë më pas dhe të ecte drejt anëtarësimit të plotë në BE. Nën nxitjen dhe mbështetjen e BE, vendeve të Ballkanit të përfshira në këtë proces iu vendos objektivi i stabilizimit të rajonit dhe krijimit të një zone të tregtisë së lirë. Brenda kësaj logjike BE ka sponsorizuar mbështetjen e paqes rajonale në Ballkan, ku veçanërisht spikat roli i saj në dialogun Serbi–Kosovë, i cili mund të konsiderohet një ndër të paktat “histori suksesi” të “ministrisë së jashtme” të BE dhe baroneshës Ashton, të porsakrijuar nga Traktati i Lisbonës. Këtë rol BE ka filluar ta lozë edhe në krizat politike në Shqipëri, apo tashmë së fundi edhe në Maqedoni. Ndërkohë, imazhi i Europës si një “gjigant ekonomik por xhuxh politik” e ka bërë të zgjedhë karshi vendeve të tjera mjetet e “fuqisë së butë”, siç i përshkruan ato studiuesi i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Jozef Naj, apo ato “të fuqisë transformuese”, siç i konsideron studiuesi tjetër i njohur i çështjeve të BE, Jan Menër. Në këtë kuadër, Ballkani vazhdon të mbetet një rajon i rëndësishëm për të testuar efikasitetin e tyre.

Nëse i rikthehemi gjykimit të procesit të stabilizim–asocimit si një instrument i politikës së zgjerimit të BE, ai përcaktoi qëllime të përbashkëta ekonomike e politike, por secili vend në rajon do të vlerësohej sipas meritave se si i arrinte këto qëllime. Tashmë, nga ky grup vendesh është shkëputur plotësisht Kroacia, ndërsa ritmi i të tjerëve shpesh ka ngelur viktimë e rrethanave të vetvetes, humbjes së kohës apo edhe uljes së shpejtësisë së zgjerimit. Suksesi nuk është grip që ngjitet, por ndoshta rrethanat në Ballkan nuk po tejkalojnë pritshmërinë e BE sa kohë që rajoni vazhdon të prodhojë më shumë histori sesa është në gjendje të konsumojë. Nëse historia ka vlerë për diçka, në këtë rast mbetet të shihet se çfarë modeli zgjidhjesh i ofron Europa Ballkanit me shembullin e saj. Bashkimi Europian lindi si një projekt ekonomik për të sjellë siguri në një Europë të pasluftës. Skeptikët e këtij projekti patën kohë të bindeshin në vitet e mëpasshme me saktësinë e idesë së Zhan Monesë, që e ktheu atë në një nga projektet më efektive e më afatgjata të paqes e sigurisë në Europën e pasluftës. Jo rastësisht, Komisioni i Çmimit Nobel e zgjodhi Bashkimin Europian në vitin 2012 si fitues të çmimit Nobel të Paqes me motivacionin se “për 60 vjet ai kishte kontribuar në dobi të paqes, pajtimit dhe të drejtave të njeriut”. Bashkimi Europian ia doli të mendojë për sigurinë e tij edhe gjatë luftës së ftohtë, duke ekzistuar brenda një “komuniteti sigurie”, nëse do t’i referoheshin një përkufizimi të studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Karl Dojc. Pra brenda këtij komuniteti, ku mbizotëronte bashkësia e vlerave politike, ekonomike e social-kulturore apo ushtarake përmes NATO-s, duke ia dalë të përballojë kërcënimet e kësaj periudhe. Por, sa herë që BE ndjen sfidat e brendshme të sigurisë apo probleme që nxjerrin në pah pafuqinë e saj, “viktima” e parë, duket sikur bie interesi për Ballkanin. Vitin e kaluar, gjatë përkujtimit të 100-vjetorit të parë të Luftës I Botërore, e cila nisi në Ballkan, u duk sikur këtij përvjetori në të vërtetë i bënin sfidë paqja dhe siguria shumëvjeçare e Europës, por në fakt tashmë ajo dukej si një “paqe e ftohtë”. Përballë situatës në Ukrainë dhe në Mesdheun lindor, krizës të stërzgjatur financiare në Europë, debatit mes linjave të ashpra apo të buta kundër Rusisë etj., Europa dukej se nuk po kujdesej aq shumë për “oborrin e saj të prapmë ballkanik”, për sa kohë raporti i Europës me sigurinë sot është i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë në kufijtë e saj të jashtëm, që ndan me Mesdheun Lindor, lindjen e Europës dhe jugun e saj. Investimi i fuqishëm diplomatik i dyshes më të fortë politike në BE, asaj franko–gjermane, për situatën në Ukrainë, është një dëshmi e kësaj vetëdijeje të Europës.

Megjithatë, ndikimi i sfidave të ndryshme në BE për një lloj “asocimi të vakët” me vendet e Ballkanit është i lidhur me disa faktorë që i janë shtuar rrugës së Procesit të Stabilizim-Asocimit. Mes këtyre faktorëve bëjnë pjesë jo vetëm kërcënimet asimetrike të sigurisë, tashmë të njohura për Europën, por edhe stresi social–ekonomik i disa prej vendeve të Europës Jugore, që nuk po arrin të shërohet; me gjithë recetat e vazhdueshme të ‘doktorëve’ të financës, që çuditërisht vazhdojnë të japin të njëjtat ilaçe, të sëmurët nuk po përmirësohen. Kjo situatë e stërzgjatur që pas krizës së vitit 2008 ka krijuar një lloj vakumi, që vjen nga mungesa e optimizmit për një Europë të ripërtërirë. Jo rastësisht ky vakum optimizmi po mbushet nga votat e protestës, që po sjellin apo mund të sjellin në të ardhmen parti apo forca që me thjeshtësinë e argumenteve të populizmit mund të dëmtojnë projektin më të madh e më të gjatë të paqes e sigurisë që Europa ka njohur përgjatë historisë së saj. Nga ana tjetër, duket sikur BE tashmë ka në qendër të vëmendjes ripërcaktimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së saj, veçanërisht pas ngjarjeve në Francë apo dyndjes së valës së emigrantëve nga vendet e Afrikës e Lindjes së Mesme. Në Strategjinë Europiane të Sigurisë, të miratuar për herë të parë në Samitin Europian të Dhjetorit 2003, BE përcaktoi si elementë të kërcënimit të saj terrorizmin, përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, konfliktet rajonale, shtetet e dështuara dhe krimin e organizuar. Nëse këtyre elementëve mund t’i mbivendosim kërcënimet nga krimi kibernetik apo sigurinë energjetike, atëherë do të shohim një panoramë të mbushur me sfida sigurie, të cilat nuk zhduken, por vetëm transformohen. Megjithëse BE miratoi në vitin 2010 edhe një strategji për sigurinë e brendshme, ende vazhdojnë debatet mes studiuesve e politikëbërësve nëse BE-së i duhet një strategji e re sigurie në kushtet e një mjedisi sigurie që po ndryshon. Për sa kohë koncepti i “rrezikut zero” ka rënë për çdo vend në Europë, pavarësisht pozicionit apo vendimeve të tij në arenën ndërkombëtare, sfidat e përgjithshme të sigurisë janë të ndërlidhura përmes hallkave të shumta. Nëse dikur aktorët kryesorë të sigurisë apo të pasigurisë ishin shtetet që kishin monopolin e forcës, tashmë globalizmi, teknologjitë e informacionit kanë krijuar njëfarë “demokratizimi të pasigurisë”, ku secili grup apo individ i përjashtuar, i pakënaqur apo i papunë, mund t’i bashkëngjitet lirisht këtij pushteti, që shkakton pasiguri për të tjerët në emër të revoltës apo ideologjisë ekstreme. Në këtë hartë të rreziqeve të sigurisë për Europën, duket sikur procesi i asocimit është strukur; vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe veçanërisht Shqipëria, përpiqen të ndihen sikur ndodhen në të njëjtën varkë, veçanërisht në raport me luftën kundër terrorizmit apo krimit të organizuar. Por ato vazhdojnë të vuajnë sfida të brendshme sigurie, nga problemet e korrupsionit, polarizimi i tejskajshëm politik, papunësia dhe mungesa e efektivitetit të ligjit, tensionet etnike etj. Këto elemente shpesh kanë dëshmuar se mund të krijojnë parakushtet për kërcënime të sigurisë së brendshme apo më gjerë. Në këtë rast, një qasje e vendosur drejt një koncepti apo dimensioni të sigurisë njerëzore që ka në qendër sigurinë politike, sociale e ekonomike të njerëzve pa rënë viktimë e llogarive të ftohta: “kosto/përfitim” në politikat publike, do të ishte një përgjigje për të pakësuar sa më shumë radhët e tyre.

Ngjarjet në Maqedoni, raportet Serbi-Shqipëri, Serbi–Kosovë apo më gjerë etj.; përkundër këtyre faktorëve, siç dëshmon edhe Samiti i Vjenës, BE s’është përpjekur ta mbajë gjallë idenë e tij dhe që prej Procesit të Stabilizim–Asocimit, emri i tij është transformuar në Procesi i Zagrebit, Selanikut, dhe tashmë së fundi në atë që quhet Procesi i Berlinit. Të gjitha këto transformime emrash duket sikur rreken t’i shpëtojnë asaj shprehjes që: sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë”. Në mes shteteve dhe popullsive të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka filluar të vërehet një lloj “entuziazmi i ftohtë” për BE apo “lodhja nga pritja e anëtarësimit”. Formula e zgjerimit të BE, “cilësia para shpejtësisë”, nuk arrin të pajtojë durimin e BE me padurimin e vendeve të Ballkanit, që duan ndryshime të shpejta. Nëse vendet e Ballkanit shpresonin në një Plan Marshall gjatë Samitit të Sarajevës, kur u shpall iniciativa e Paktit të Stabilitetit, shuma prej 26 miliardë eurosh në 20 vjet (2000-2020) që BE ka dhënë apo pritet të japë për vendet e rajonit duket sikur e ka përmbushur këtë shpresë. Por në fakt, kjo ndihmë është një mesatare aritmetike prej 1 miliard e gjysmë çdo vit për të gjitha vendet e rajonit, dhe ku shpërndarja për secilin vend ka qenë e ndryshme (nga 60-200 milionë euro në vit). Nëse Programi CARD ofroi 4.6 miliardë euro për gjithë vendet e rajonit të Ballkanit për një periudhë 6-vjeçare (2000-2006), programi IPA I (2007-2013) e trefishoi ndihmën për vendet e rajonit me 11 miliardë e 698 milionë euro, ndërsa IPA II (2014-2020) parashikon 11 miliardë e 700 milionë euro, nëse nuk harrojmë faktin se, duke pasur parasysh se në instrumentin e IPA u përfshi edhe Turqia, një vend me 80 milionë banorë ose afro katërfishi i të 6-ta vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Mal i Zi, Kosovë, Bosnjë–Hercegovinë).

Përtej këtyre llogarive për fondet e BE në Ballkan, “sindroma e shtetit “të dobët” e ka vendosur Ballkanin përballë BE sipas dilemës: “Pula vezën apo veza pulën? Pra vendet e Ballkanit duhet të luftojnë më parë korrupsionin e të forcojnë institucionet apo të këmbëngulin për më shumë fonde nga BE që të mbushin boshllëqet infrastrukturore e të rrisin ekonomitë e tyre ende të varfra. Pyetja që të vjen në mendje në këtë rast është, nëse po stabilizohet asocimi i Ballkanit me BE, apo mungesa e një Plani Marshall mund të zëvendësohet nga ndonjë Plan tjetër i formës “Marshallah”, që rreket të joshë vende të rajonit. Vetë Procesi i Stabilizim–Asocimit u parashikua për vende në situatë post-konflikt, megjithëse brenda secilit vend të Ballkanit Perëndimor ishin të pranishme shumë konflikte të tjera me karakter etnik apo politik. Si për ironi të fatit, Samiti i Zagrebit në vitin 2000, që u dha vulën zyrtare Marrëveshjeve të Stabilizim-Asocimit, e nisi me Maqedoninë, e cila ishte në valën e një shpërthimi etnik. “Sindroma e shteteve të dobëta” ishte një diagnozë e përbashkët për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që u përfshinë në Procesin e Stabilizim-Asocimit, ndonëse ai u konsiderua një ilaç i përbashkët, pavarësisht se marrëveshjet ishin në bazë të parimit të “rrobaqepësit”: çdo kostum sipas trupit. Me përjashtim të Kosovës që sapo nënshkroi MSA-në, të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit janë në “fazën e asocimit” me BE. Në Bruksel e kanë bërë të qartë, se nuk kanë arsye të nxitohen për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto vende janë në një “proces asocimi me BE”. Por, a do të mundet të jetë vazhdimisht i stabilizuar asocimi në pritje të rrugës drejt anëtarësimit? Kjo është një pyetje për të cilën nuk duhet të ketë vetëm një përgjigje.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan