Shërbimi Informativ i Shtetit

Shërbimi Informativ i Shtetit është institucion qendror, që funksionon bazuar në Ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar.”, i ndryshuar me Ligjin nr. 8479, datë 29.04.1999 dhe me Ligjin nr. 9400, datë 12.05.2005.  SHISH-i është organ informativ i depolizituar që kryen veprimtarinë e tij në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe ka për mision sigurinë e interesave kombëtare të vendit, ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe të rendit kushtetues. SHISH-i varet nga Kryeministri i Shqipërisë. Veprimtaria e SHISH-it mbikëqyret nga Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.  SHISH-i nuk është institucion ekzekutiv dhe nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor.

SHISH-i raporton tek Presidenti i Republikës dhe tek Kryeministri, si dhe bashkëpunon e shkëmben informacion me institucionet e tjera shtetërore për përmbushjen e detyrave që i ngarkon ligji në funksion të sigurisë kombëtare.

SHISH-i përgjigjet për mbledhjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike. Shërbimi Informativ i Shtetit mbledh informacion për kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare; ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe rendit kushtetues; terrorizmin; prodhimin dhe trafikun e narkotikëve; prodhimin e armëve të dëmtimit në masë; krimet kundër mjedisit; krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare, etj. Për problemet që lidhen me Sigurinë Kombëtare SHISH siguron informacionin e domosdoshëm nga Zbulimi dhe Kundërzbulimi.

Për realizimin e detyrave të mësipërme, SHISH ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës për sigurimin e informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. SHISH mbron burimet dhe metodat informative. SHISH-i është organ i depolitizuar. Punonjësit e tij nënshkruajnë dhe zbatojnë deklaratën e departizimit, ruajtjes së sekretit dhe veprojnë në përputhje me rregullat e etikës

Organizimi i strukturave të SHISH-it përputhet me kërkesat e përmbushjes së misionit të tij. Prioritetet e SHISH-it përcaktohen nga Qeveria, duke u bazuar edhe në Dokumentin e Strategjisë Kombëtare. Kjo Strategji  përfaqëson tërësinë e instrumenteve shtetërore që sigurojnë mbrojtjen e qytetarëve, të shoqërisë dhe të Shtetit Shqiptar nga kërcënimet dhe rreziqet, e jashtme dhe të brendshme.

Tipar themelor i SSK-së është respektimi i shtetit ligjor dhe kthimi i Shqipërisë nga një vend që ka konsumuar siguri në një vend që kontribuon në siguri. SHISH-i ka rol të drejtpërdrejtë në misionet themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë:

Ushtrimi i sovranitetit të Republikës së Shqipërisë;

Mbrojtja e pavarësisë dhe integritetit territorial;

Mbrojtja e jetës dhe e pasurisë;

Zhvillimi i pandërprerë demokratik dhe prosperiteti ekonomik;

Mbrojtja e dinjitetit dhe vlerave kombëtare.

 Gjithashtu, SHISH-i jep kontribut me vlerë në realizimin e objektivave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK), e konkretisht në:

Paqen e sigurinë në vend;

Bashkëpunimin rajonal;

Konsolidimin e shoqërisë demokratike dhe të drejtave të njeriut;

Konsolidimin e institucioneve dhe instrumenteve të sigurisë;

Integrimin në strukturat evropiane;

Mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore;

Luftën kundër terrorizmit;

Luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

SHISH-i vlerësohet si kontribues në sigurinë për qytetarët, shoqërinë dhe shtetin, brenda vendit, si dhe në Rajon e më gjerë.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan