Çfarë është përgjegjësia politike e qeverisë?

Quhet “përgjegjësi politike e qeverisë” detyrimi që ajo të dorëhiqet kur nuk ekziston më besimi i autoritetit politik para të cilit ajo është përgjegjëse. Në republikat parlamentare qeveria është përgjegjëse para parlamentit dhe kjo përgjegjësi shprehet nëpërmjet procedurave të mocionit të mosbesimit dhe të mocionit të besimit.

Mocioni i mosbesimit është një institut tipik i formës së qeverisë parlamentare dhe gjysmëpresidenciale; është fjala për një akt nëpërmjet të cilit parlamenti tregon se ka humbur besimin ndaj qeverisë.  Mocioni i mosbesimit mund të propozohet kundër qeverisë (ose kryeministrit, nëse raporti i besimit shtrohet vetëm me të) ose në disa vende kundër një ministri të vetëm; nëse mocioni miratohet, qeveria ose ministri kundër të cilit është propozuar mocioni duhet të dorëhiqet. Në disa kushtetuta, sipas formës së qeverisë, kur kryeministri është zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, miratimi i mocionit të mosbesimit shkakton, përveç dorëheqjes së qeverisë, shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të reja. Mocioni paraqitet nga një numër i përcaktuar deputetësh (shpesh të paktën 10) dhe miratohet me shumicën absolute të deputetëvë (në disa vende për shkak të stabilitetit parashikohen edhe 2/3 e anëtarëve të parlamentit). Ndërkaq logjika do që mosbesimi i qeverisë të sjellë zgjedhje të parakohshme, sepse kriza midis ekzekutivit dhe legjislativit duhet të zgjidhet nga vetë zgjedhësit.

Në disa vende ky sistem quhet « mocion mosbesimi konstruktiv ». Në këtë rast mocioni duhet të parashikojë emrin e zëvendësuesit të shefit të qeverisë së rrëzuar. Ky është rasti në Gjermani, Spanjë dhe në Belgjikë. Në Shqipëri, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, në mbështetje të nenit 105 të Kushtetutës, jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar njëkohësisht një Kryeministër të ri. Mocioni i mosbesimit duhet të përmbajë nënshkrimet e deputetëve dhe të jetë i arsyetuar.

Për të frenuar mocionin e mosbesimit kushtetutat parashikojnë edhe instrumentin e mocionit të besimit , që ushtrohet nga vetë kryeministri. Kështu, sipas Kushtetutës, Kryeministri mund të paraqesë në Kuvend mocion besimi. Mocioni i besimit paraqitet nga Kryeministri për një çështje që ai e vlerëson të rëndësishme dhe mund të lidhet me miratimin në Kuvend të një projektligji ose projektvendimi. Në rast se Kryeministri paraqet mocionin të lidhur me miratimin e një neni, pjesë të tij ose me projektligjin në tërësi, mocioni votohet pasi të jenë paraqitur të gjitha amendamentet në lidhje me të. Teksti i propozuar nga Kryeministri hidhet i pari në votim. Mocioni i besimit nuk mund të lidhet me propozime për hetime të Kuvendit, emërime dhe shkarkime personash, heqje imuniteti dhe në përgjithësi me çështje që lidhen me funksionimin e Kuvendit.

Duke vëzhguar praktikat parlamentare të kohëve të fundit, mund të thuhet se iniciativa parlamentare e mocionit të mosbesimit e ka humbur peshën e vet të dikurshme; tanimë gjithmonë e më shumë kemi të bëjmë më shumica parlamentare homogjene dhe të displinuara, pasojë e sistemeve zgjedhore që japin qëndrueshmëri të qeverisjes, por edhe e instrumenteve të tjera të politikës së sotme. Përdorimi i mocionit të mosbesimit është bërë më shumë një instrument simbolik që u shërben grupeve politike të opozitës për të manifestuar publikisht dhe solemnisht kundërshtimin e politikave të qeverisë, sidomos në rastet kur kryeministri dhe shumica parlamentare shpërfillin çdo propozim apo kërkesë të bërë nga opozita. Në Kuvendin e Shqipërisë qysh nga viti 1992 nuk është zhvilluar asnjë rast i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Në disa kushtetuta, si në atë Shqipërisë, parashikohet që qeveria të paraqes programin e saj politik në parlament në fillim të marrjes së mandatit qeverisës. Ky moment zakonisht quhet votbesimi i qeverisë . Në praktikë qeveria nuk shtron problemin e marrjes së besimit, por ajo më shumë do të konfirmojë kohezionin e deputetëve që e mbështesin atë.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan