Strategjitë e Zhvillimit Kombëtar

 

Ky dossier përmban ..

 

strlZhv

 Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim paraqet drejtimin politik nga periudha afatmesme drejt asaj afatgjatë për qeverinë gjatë një horizonti planifikues 7-vjeçar. Ajo është krijuar mbi një vision kombëtar dhe një grup të plotë strategjish sektoriale dhe ndër-sektoriale. Strategjia kombëtare përcakton politika të përballueshme dhe të arritshme në secilin sektor për lëvrimin e qëllimeve të politikës së Qeverisë.

Strategjitë sektoriale përfshijnë angazhime politike strategjike nga Programi i Qeverisë, kërkesat për integrim në Evropë, si dhe prioritetet më të rëndësishme në fushën e investimeve publike apo të asistencës së huaj. Strategjitë ndërsektoriale mbulojnë angazhime politike, të cilat shtrihen në disa njësi të qeverisjes qendrore. Strategjitë sektoriale sigurojnë bazën politike për Programin Buxhetor Afatmesëm.

Strategjitë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, të mbështetura në Programe Buxhetore afatmesme, përfshijnë një kostim të përgjithshëm të politikave gjatë periudhës afatmesme-afatgjatë sipas disa skenarëve të financimit. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim përfshin informacion mbi implikimet financiare të të gjitha strategjive sektoriale dhe ndihmon manovrimet me shpenzimet publike për të garantuar që strategjitë të jenë të përballueshme në tërësinë e tyre.

Dokumenti i parë strategjik i qeverisë shqiptare është hartuar në maj të vitit 2000 dhe titullohej “Dokumenti i Ndërmjetëm i Strategjisë për Pakësimin e Varfërisë në Shqipëri” (PRPS), që pasoi marrëveshjet ESAF 1 dhe ESAF 2 me Bankën Botërore dhe FMN. Për të mbështetur perspektivën e zhvillimit të vendit në vizione strategjike afatgjata qeveria shqiptare kaloi në Programin Afatmesëm për Rritjen Ekonomike dhe Reduktimin e Varfërisë (SRERV 2002-2004), ndërsa strategjia u preferua të quhej Strategjia Kombëtare e Zhvillimit Ekonomik dhe Social. SRERV ishte një dokument shumë më i plotë se PRPS.

Në nëntor të vitit 2005 Qeveria vendosi krijimin e Sistemit të Planifikimit të Integruar (SPI), që përbën një hap të mëtejshëm cilësor në procesin kombëtar të vendimmarrjes për përcaktimin e drejtimeve strategjike dhe shpërndarjen e burimeve. Në vitin 2006 u hartua Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) për periudhën 2007-2013, që përfshinte edhe Strategjinë Kombëtare të Integrimit. Për periudhën 2014 – 2020 është hartuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI).

Në këtë Dossier përfshihen dokumentet e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), ato të Programit Afatmesëm Buxhetor, Raportet vjetore të progresit. Gjithashtu këtu përfshihen edhe raportet apo studimet të kryera nga Banka Botërore dhe UNDP në nivel kombëtar. Strategjitë sektoriale të zhvillimit gjënden në dossier-et e veçantë të politikave publike.