Politikat Shëndetësore
Politikat e shëndetit (ose politikat shëndetësore, ose akoma politikat e shëndetit publik) përfshijnë tërësinë e synimeve strategjike të institucioneve publike dhe private për të përmirësuar gjëndjen e shëndetit të popullsisë, për të cilën ata kanë përgjegjësinë. Këto politika përcaktojnë fushat dhe objektet e ndërhyrjes, preçizojnë objektivat që duhet të arrihen, bëjnë zgjedhjen e arësyeshme të prioriteteve dhe programojnë mjetet që duhet të angazhohen në nivelin e kësaj përgjegjësie kolektive. “Qeveritë kanë përgjegjësinë e shëndetit të popujve të tyre” thuhet në preambulën e Kartës së Organizatës Botërore të Shëndetit. Politikat e qeverisë për shëndetin përbëjnë një nga temat më delikate dhe shpesh të nxehta, që tërheqin kritikat dhe pakënaqësitë e qytetarëve. Kjo është arësyeja pse qeveritë janë kaq shumë të interesuara në hartimin e dokumenteve të politikave shëndetësore.