Për politika reale, efikase të zhvillimit bujqësor
Nga Koço Broka, botuar në Monitor, 27 qershor 2015
Në fushën e programeve, letrave, fjalimeve është shpallur se nxitja e prodhimit bujqësor mbetet një objektiv parësor në vendin tonë. Kjo për disa arsye. Midis të tjerash përmenden se Shqipëria vazhdon të jetë një vend neto importues agrar me 7 herë më shumë importe se sa eksporte; 50 për qind të krahëve të punës punojnë ende në bujqësi, niveli i kreditimit dhe financimit është shumë larg nivelit që kjo degë jep në prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Ndërkohë, niveli i kursimeve dhe për rrjedhojë i investimeve me burimet e brendshme të fermës, është i ulët.
Në këto kushte, nga qeveria është shpallur se: Do të pesëfishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural, do të përcaktohen modalitetet e nxitjes së kreditimit për bujqësinë dhe agropërpunimin në raport me fondet e garancive që do të vihen në dispozicion për këtë qëllim, do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agropërpunimin, do të ristrukturohet dhe fuqizohet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural… etj. Në Strategjinë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural e Bujqësor 2014-2020, mbështetja drejtpërdrejt e fermerëve është parashikuar si nga skemat kombëtare të mbështetjes, ashtu dhe nga programi IPARD -Like e IPARD II. Ndërsa në Programin e Buxhetit Afatmesëm 2015-2017, ato janë detajuar e konkretizuar edhe më tej. P.sh. shpenzimet për skemat mbështetëse kombëtare në bujqësi, sipas këtij dokumenti janë parashikuar: -1 655 000 mijë lekë për vitin 2014, 1 908 650 mijë lekë për vitin 2015, 2 065 900 mijë lekë për vitin 2016 dhe 2 052 950 mijë lekë për vitin 2017.
Pavarësisht nga shtresat apo pakësimet si programe, angazhime pjesë të strategjisë të zhvillimit rural e bujqësor, vështirë se mund të mos jesh dakord me sa më sipër. Por siç tregon përvoja, si e vendit tonë edhe e vendeve të tjera, por dhe e çdo biznesi, kryesorja nuk është thjesht ajo që deklarohet të bëhet, dëshirohet a po do ishte mirë të bëhet. Prej vitesh sa s’mbahet mend të paktën që nga viti 1997, partitë kanë deklaruar para zgjedhjeve se do të punësojnë kush 200 mijë, kush 250 mijë e kush 300 mijë vetë, madje dhe gjysma e tyre në bujqësi?! Në fakt, këto programe elektorale kanë precipituar në mosrealizim të ndjeshëm të punësimit, e madje në rritje kreshendo të emigracionit, e kohët e fundit në tkurrje të popullsisë së vendit tonë. Pra kryesorja është zbatimi i vazhdueshëm dhe ekselent i tyre. Nëse një program B zbatohet mirë, ai tejkalon programin A që mund të jetë më i mirë, por zbatohet dobët.
Por si është situata e këtyre programeve, angazhimeve të mësipërme? Referuar deklarimeve të drejtuesve aktualë të Ministrisë së Bujqësisë lidhur me problemet më të rënda në bujqësi, në Kongresin IV të KASH, muajin e kaluar, midis të tjerash u nënvizua: “Pamundësi totale për fermerët për thithjen e fondeve e granteve të BE-së, në 5 vitet e ardhshme… Nivel i papërfillshëm i kreditimit dhe interesa tepër të larta (deri në 34%) …Pasojat. Politika amatoreske, të improvizuara nga zyrat – rrjedhoja keqorientim dhe keqpërdorim i fondeve publike dhe private. Shih Agrobiznesi – 16 Maj 2015, faqe 9.
Kjo diagnozë e qartë mjaft domethënëse për këdo që e ka lexuar e dëgjuar do të ishte më e plotë dhe pa ekuivokë nëse do të plotësohet me të dhënat e mëposhtme:
Të dhënat do të vinin pikën mbi i, në diagnozën e mësipërme. Në këtë rrafsh mendoj se çdo përmirësim në politikat bujqësore e zbatimin e tyre, fillon nga transparenca dhe matja e realizimit të programeve. Nëse plotësohen kutitë bosh, e më tej detajimi i tyre, atëherë të paktën debati dhe konkurrimi i ideve dhe alternativave dhe rrugëzgjidhja e problemeve të evidentuara në sektorin rural dhe bujqësor do të ishte sa konkrete aq dhe konstruktive. Ndërkohë, praktika jonë ka dëshmuar se pa mendimin e lirë dhe kritik, mirëkuptimin dhe tolerancën elementare ndaj tyre, nuk mund të pretendohet as kultura demokratike aq e domosdoshme për çdo shoqëri të qytetëruar, por as dhe përzgjedhja, zbatimi i synuar e mirëfunksionimi i vetë politikave të vendosura… Bujqësia jonë është një shembull mjaft bindës për këtë.
Nëse sipas të dhënave të tabelës nr. 1, nga viti 2009 në vitin 2011 niveli i mbështetjes nga skemat kombëtare është zvogëluar ndjeshëm, kjo e bën më të nevojshme dhe të domosdoshme për të njohur se sa ka qenë kjo mbështetje në vitet 2012, por sidomos 2013 dhe 2014? Vetëm kur di ku je mund të përcaktosh mirë se ku do shkosh, por edhe se si do të shkosh dhe arrish atje?
Ndihma për fermerët nuk është vetëm çështje dëshire. Vitet 2009-2011, flasin se ajo është dhe çështje buxheti.
Politika e rimbursimit të TVSH
Në këtë rrafsh, nuk mund të mos lënë vragë deklarimet e polikëbërësve se – “Ne kemi provuar dhe kemi fakte kokëforta, se duke rimbursuar TVSH-në e grumbulluesit, kemi siguruar TVSH-në e grumbulluesit, kemi siguruar çmime shumë më të kënaqshme për prodhuesit”. Specialistët e fushës, të vetëdijshëm për sentencën i zoti e shet, tellalli nuk e shet, që kanë nxjerrë ndonjë mësim nga politikëbërja e tufëzimit nuk mund t’i lejojnë vetes që të përsëriten gabime që mund të shmangen. Ata nuk janë skeptikë por vetëm të kujdesshëm. Kjo e fundit presupozon që përveç deklarimeve të mësipërme le të jepen të dhënat (pra faktet kokëforta – të mbështeten me të dhënat konkrete) se sa kanë qenë konkretisht rimbursimet e TVSH–së për fermerët, në funksion të zbatimit të Udhëzimit nr. 19, datë 3.11.2014 PËR ZBATIMIN E REGJIMIT TË VEÇANTË TË SKEMËS SË KOMPENSIMIT TË PRODHUESVE BUJQËSORË PËR QËLLIME TË TATIMIT MBI VLERËN E SHTUAR, në cilat kultura bujqësore apo produkte blegtorale, janë deri në tremujorin e parë të 2015-s. Këtu nuk mund të mos mbahet parasysh se skema e rimbursimit të TVSH-së për inputet që përdorin fermerët, ku këta të fundit marrin kompensim të menjëhershëm, ka hyrë në fuqi që në maj 2013 dhe ajo për produktet një vit më vonë.
Por, personalisht, mendoj se kjo nuk është as rruga e duhur dhe as rruga e mundur e formalizimit të bujqësisë dhe fermave në vendin tonë. Formalizimi i fermave duhet të bëhet për të gjithë fermat dhe fermerët, pavarësisht nga skema aktuale e rimbursimit të TVSH-së për fermerët, apo skemat e tjera mbështetëse në dobi të tyre. Ka ardhur koha që çdo fermer të ketë NIPT-in e tij, por dhe të dorëzojë pasqyrat financiare, ku të deklarohet të paktën se çfarë i jep fermeri shtetit. Për vetë veçoritë specifike që ka ferma shqiptare, madhësia tepër e vogël, do të ishte e dobishme që ky NIPT të ishte specifik dhe i dallueshëm nga degët e tjera të ekonomisë. Ndërkohë dhe Pasqyrat Financiare, duke qenë sa më të thjeshta, ia vlen të mbajnë parasysh nivelin e xhiros, prodhimit të fermës dhe kategorizimit të tyre. Ato është e nevojshme të jenë të kategorizuara dhe të shumëllojta sipas aftësisë ekonomike dhe financiare të fermerëve. Ky formalizim mund të marrë jetë nëse të gjithë forcat politike deklarohen se ato nuk kanë për të rritur në një periudhë 3-5-vjeçare tatimtaksat ndaj fermerëve, por edhe për të argumentuar tek institucionet e BE-së, se kur financimet e saj për fermerët, shërbejnë si një grant i thjeshtë për taksa negative dhe kur si burim për financimin e zhvillimin e fermave. Pra, në thelb, jepet garancia se formalizimi i fermave nuk i shërben aspak rritjes së ngarkesës reale të fermerëve. Nga ana tjetër ka ardhur koha që për realizimin e Pasqyrave Financiare të fermave në vendin tonë të ndërtohen software adekuatë për këto ferma, që mund t’i plotësojë çdo fermer me arsim të mesëm. Përdorimi i software-ve që përdoren aktualisht nga institucionet e kredidhënies) mikrokreditë apo bankat) për fermat dhe fermerët është një rrugë tjetër e shtruar. Ka ardhur koha që KASH dhe shoqatat e agrobiznesit, t’i blejnë të paktën fillimisht për veten dhe më tej t’i shtrijnë ato gjerësisht për fermerët që janë të gatshëm dhe duan financim nga skemat kombëtare të mbështetjes dhe financimit të fermerëve, apo nga ato të BE-së dhe donatorëve të tjerë.
Ndërkohë ka ardhur koha që çdo fermer, por dhe çdo specialist që merret me zhvillimin bujqësor rural, të njihet me angazhimin ligjor për unifikimin e skemës urbane dhe rurale të pensioneve dhe efekteve konkrete që ka kjo reformë në rritjen e nivelit të kontributit të sigurimeve shoqërore nga fermerët deri në vitin 2018. Bëhet fjalë për miliarda lekë që pritet të dalin nga fermat në arkën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Kjo e bën edhe më të domosdoshme që të gjitha skemat mbështetëse (kombëtare dhe të BE-së) në dobi të fermave dhe fermerëve të jenë funksionale dhe të mundësojnë rritjen e të ardhurave të tyre jo thjesht nga financim grant, por nga efektet e tyre në rritjen e qëndrueshme të prodhimit dhe të të ardhurave të fermerëve.
Pa këtë formalizim të drejtpërdrejtë të fermave, nga ana tjetër, skema mbështetëse për fermerët rrezikojnë të jenë jo vetëm jo të plota por dhe korruptive. Janë të njohura p.sh. efektet e rregullat e bankave për zbatimin koeficentëve të shërbimit të borxhit (kredive):- raporti midis pagesave mujore të shlyerjes së kredive nga njëra anë dhe të hyrave – cash flow të kredimarrësit nga ana tjetër. Nëse një kredimarrës ka një cash flow – të ardhura nga shitja prej 10 000 euro p.sh. në vit, ndërsa pagesa e shërbimit të kredisë (principal + interesa) është për të njëjtën periudhë, atëherë koeficienti i shërbimit të borxhit është 2. Në qoftë se pagesa e shërbimit të kredisë është 7500 euro, atëherë koeficienti i shërbimit të borxhit rezulton 1.33. Bankat e kanë të padëshirueshme dhe të papranueshme të japin kredi kur koeficienti i shërbimit të borxhit është më pak se 1.25. Fermerit i duhet që me të ardhurat nga shitja të mbulojë shpenzimet për konsumin e familjes fermere. Koeficientë të tillë dhe mbajta parasysh e tyre në praktikë ka pasur efekte të drejtpërdrejta në parandalimin e kredive të këqija. E njëjta gjë mund të thuhet për fermat dhe skemat mbështetëse. Nëse këto ferma paraqiten me NIPT-in e caktuar dhe Pasqyrat financiare apo Fletoren e fermerit të rekomanduar nga MBZHRAU. Në kushtet e vendosjes dhe zbatimit të koeficentëve të financimit – raportin midis të ardhurave neto nga shitja për fermë dhe masës së financimit nga skemat mbështetëse, mundësohet reduktimi i shpërndarjes klienteliste politike të mbështetjes së fermerëve, reduktimi i formularëve të shumtë burokratikë, por dhe mundësitë potenciale për rritjen e përfituesve nga skemat mbështetëse. Përmirësimi në dobi të tyre, duke kufizuar rregullat e shumta dhe të panevojshme është një rrugë për të shmangur sa financimin klientelist aq edhe për të rritur përthithjen e fondeve, përdorimin eficent të tyre.
Kjo është e nevojshme edhe për funksionimin dhe mirëfunksionimin e skemës së Fondit të Garancisë Kombëtare për Fermerët, në dobi të së cilës janë caktuar 17 milionë dollarë nga shteti shqiptar. Epërsitë e pretenduara të kësaj skeme ia vlen të shihen drejtpërdrejt në sy. Një prej tyre është që Fondi i Garancisë siguron që bankat e nivelit të dytë të kreditojnë pa risk. Kjo realizohet dhe jo rastësisht bankat e kanë mirëpritur dhe e mirëpritën këtë masë të qeverisë. Por është i njohur se shqetësimi janë fermat dhe fermerët dhe jo bankat e fitimi i tyre. Është e njohur se megjithëse ulja e normës mesatare të ponderuar të interesit të kredive është ulur dhe se sipas publikimeve për kreditë njëvjeçare, ajo për vitin 2014 rezultoi në 7.66% nga 11.17% në vitin 2011 (shih Raporti Statistikor, mars 2015) të ardhurat e bankave vitin e kaluar janë rritur. Element tjetër i kësaj epërsie është se risku nuk kërkohet për sipërmarrësit (fermerët), por këtë e merr përsipër ky fond. Ndërkohë pretendohet se fermerët-sipërmarrësit do të çlirohen nga ecejaket nëpër banka, dërgo letra e prit aprovime, por do të jetë shteti si ndërmjetës, nëpërmjet AZHBR-së.
Është e njohur se kjo skemë është zbatuar prej vitesh në vendin tonë në kuadrin e skemave kombëtare të mbështetjes së fermerëve. Si fermerët, por dhe kushdo që është i interesuar për problemet e zhvillimit bujqësor e rural, do donte të dinte të mësonte nga AZHBR apo dhe institucione të tjera se sa kanë qenë, se çfarë ka ndodhur konkretisht me zbatimin e kësaj skeme në vendin tonë deri tani? Sa ka qenë numri i kredive të dhëna pa interes ose me interes të reduktuar si rezultat i skemave mbështetëse?! Cila është kthyeshmëria e principalit, niveli i vonesave në këtë kthyeshmëri, a ka pasur dukuri të klientelizmit, e pse jo të korrupsionit? Një gjë është e sigurt, kjo skemë, në kushtet e mungesës së plotësimit të fletores së fermerëve, apo dorëzimit të Pasqyrave Financiare, eliminimit të gjithë risqeve të bankave nga njëra anë dhe përfituesve të fondeve, fermerëve apo agropërpunuesve nga ana tjetër, ka një risk në rritje nga njëra anë, uljen e përdorimit eficent të principalit të përfituar nga fermerët dhe, nga ana tjetër, mundësinë e rritjes së klientelizmit dhe pse jo të korrupsionit. Vetëm nëpërmjet transparencës për realizimin e kthyeshmërisë së kredive pa interes ose me interes të reduktuar, analizës pro dhe kundër për problematikën e rezultuar, mund të mundësohen fermerët për të përfituar nga skemat mbështetëse si ato kombëtare dhe ato nga BE apo donatorë të tjerë si SARED apo USAID. Siç e thashë edhe më lart, realizimi dhe rritja e përfitimit nga skemat e mbështetjes së drejtpërdrejtë, është më e nevojshme dhe më e domosdoshme se kurrë.
Funksionimi, mirëfunksionimi dhe shmangja keqfunksionimit të tyre është tashmë një emergjencë kombëtare, ku për fat të keq, as retorika e kandidatëve për kryetar bashkie de fakto nuk po kontribuon. Me besimin se do të ndihmonim sado pak në vendosjen e shkallëve për ata që kanë nevojë për mbështetje, çdo mendim alternativ është i mirëpritur.