Qeveria: Krijimi, përgjegjësia dhe kompetencat e saj

Nga Didier Maus, ekspert i së drejtës kushtetuese

didier_maus_pays_sipaTermi “Qeveria” i referohet grupit të njerëzve, funksioni kryesor i të cilëve është që të sigurojë të ardhmen e një shoqërie politike, pra, të një vendi. Ky konstatim, njëherësh historik dhe gjeografik, na shtyn për të bërë dy dallime të rëndësishme.

Dallimi i parë ka të bëjë me origjinën e qeverisë dhe me mënyrën se si titullarët e saj marrin detyrën dhe se si largohen prej saj. Në botën e sotme bashkëekzistojnë disa mënyra të marrjes së funksionit qeverisës. Nëse legjitimiteti teokratik, që lind prej pushtetit fetar, tenton të zhduket, nëse trashëgimia e dinastive përbën më shumë një mënyrë e caktimit të Kryetarit të Shtetit se sa e qeveritarëve të vërtetë (p.sh. në monarkitë europiane), vihet re se qeveritë bashkëkohore vijnë në pushtet ose nëpërmjet një procesi partizan, veçanërisht në vendet me një parti të vetme, apo nëpërmjet zgjedhjeve të hapura dhe pluraliste, gjatë të cilave disa ekipe apo shumica konkurrojnë për marrjen e pushtetit.

Dallimi i dytë, konsiston, në rregjimet ku qeveritë krijohen përmes zgjedhjeve, në njohjen, nga njëra anë, të sistemeve presidenciale, dhe nga ana tjetër, të sistemeve parlamentare. Në rastin e parë, modeli i të cilit është ai i Shteteve të Bashkuara, ka një konfuzion midis funksionit të kreut të Shtetit dhe funksionit të drejtuesit të qeverisë, me veçantinë se ekipi qeverisës konsiderohet përgjegjës vetëm para Parlamentit. Në rastin e dytë, rasti më i zakonshëm, merret kryesisht nga britanikët, sistem i lindur në gjysmën e parë të sistemit të shekullit të XVIII-të, ekipi qeverisës dallohet nga kreu i Shtetit (ky e fundit është një monark apo një president Republike). Rregulli i artë i një rregjimi të tillë është se qeveria mund të funksionojë sa kohë që ajo gëzon besimin e Parlamentit ose, më saktë, të Dhomës, të zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë, universal, të ngarkuar për të shprehur vullnetin popullor. Ekzistenca e kësaj lidhjeje të besimit politik midis Parlamentit dhe Qeverisë përbën kriterin më të rëndësishëm për të dalluar këtë formë të organizimit politik.

Nga një pikëpamje gjeografike, qeverisja parlamentare, takohet, në forma mjaft të ngjashme, së pari në vendet e Bashkimit Evropian dhe në shumicën e demokracive të reja të Evropës Qendrore, Lindore dhe Balltikut, duke lënë mënjanë Rusinë dhe pothuajse të gjitha vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Vendet që, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë marrë ndikimin kushtetues perëndimor, veçanërisht India, demokracia më e madhe parlamentar në botë, Kanadaja, Zelanda e Re, Australia, Izraeli ose Japonia, praktikojnë gjithashtu Parlamentin.

  1. Krijimi i qeverisë
  • Elementët kushtetues

Të gjitha kushtetutat përmbajnë dispozita tejet të hollësishme mbi mënyrën se si qeveritë duhet të emërohen dhe të marrin detyrën. Edhe në Britaninë e Madhe, e cila nuk ka një kushtetutë të shkruar, rregullat janë krijuar në mënyrë të mjaftueshme nëpërmjet zakonit, që ata e respektojnë plotësisht dhe nuk mund ta shkelin.

Në përgjithësi, procedurat e marrjes së funksioneve qeveritare duhet tu përgjigjen disa pyetjeve.

Pyetja e parë: cili është roli i kreut të Shtetit? A duhet ai thjesht të konstatojë ekzistencën e një shumice dhe automatikisht të emërojë kreun e qeverisë atë që duket si shefi “natyral” i shumicës? Në të kundërtën, a mundet ai, në varësi të rrethanave, të konsultohet me shumë përgjegjësa politikë, të presi derisa situata të qartësohet dhe të ketë një fuqi më të madhe të iniciativës?

Pyetja e dytë: Cilat duhet të jenë rolet përkatëse të Parlamentit dhe të kreut të Shtetit, duke e ditur se në pothuajse të gjitha hipotezat, pjesmarrja e këtyre dy institucioneve do të jetë e nevojshme për të bërë emërimin efektiv të qeverisë? Në një hipotezë të parë, qeveria emërohet nga kreu i Shtetit (presidenti ose monarku) dhe pastaj paraqitet në Parlament për të shpjeguar programin e saj dhe për të kërkuar mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve. Në një hipotezë të dytë, votimi i Parlamentit, i kualifikuar në këtë rast, përbën një kusht paraprak për emërimin ligjor nga ana e kreut të Shtetit.

Pyetja e tretë: kreu i qeverisë duhet thjesht të konsiderohet si një nga anëtarët e ekipit të qeverisë apo të ketë një status të veçantë kushtetues? Pamvarësisht se si quhet, Kryeministër, Kancelar apo Kryetar i Këshillit, duhet ai të përfitojë një mandat ose një emërim në raport me anëtarët e tjerë të qeverisë, gjë që i jep atij një peshë më të madhe politike?

Analiza krahasuese e disa vendeve kryesore, në veçanti të vendeve të Bashkimit Evropian, zbulon një gamë mjaft të gjerë të situatave. Në të gjitha vendet, me përjashtim të Suedisë, prerogativa formale e emërimit të qeverisë i takon kreut të Shtetit.

Në Francë, neni 8 i Kushtetutës së vitit 1958 preçizon që presidenti i Republikës emëron në mënyrë krejtësisht autonome dhe pa asnjë parakusht Kryeministrin dhe me propozimin e këtij të fundit, emëron anëtarët e tjerë të qeverisë. Në këtë rast, marrëveshja e shumicës në Asamblenë Kombëtare verifikohet me anë të një deklarate të përgjithshme politike, e cila pasohet nga një votim i qartë për miratimin ose thjesht hedhjen poshtë të një mocioni të mosbesimit, që paraqitet nga opozita. Ligji themeltar gjerman i vitit 1949 i jep kancelarit një status të rëndësishëm: ai zgjidhet nga Bundestagu pa debat me propozim të Presidentit Federal; ministrat në vazhdim emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti Federal me propozimin e Kancelarit. Procedura e Kushtetutës Spanjolle të 1978 parashikon se pas çdo zgjedhjeje, ose, nëse është e nevojshme, pas çdo ndryshimi të qeverisë, mbreti konsultohet me përfaqësuesit e grupeve politike parlamentare dhe propozon një kandidat për drejtimin e qeverisë. Ky paraqet në parlament programin e tij politik dhe mund të emërohet zyrtarisht nga mbreti, vetëm pas një votimi të Kongresit të Deputetëve me shumicë absolute të anëtarëve të tij. Anëtarët e tjerë të qeverisë do të emërohen nga Mbreti, me propozimin e Kryetarit të Qeverisë. Në rastin gjerman, si në rastin e Spanjës, në qoftë se një tentativë e parë e emërimit të shefit të qeverisë dështon, mekanizma komplekse janë parashikuar në përpjekje për të gjetur një tjetër zgjidhje. Në rast të dështimit të vazhdueshëm, mund të deklarohet shpërbërja e Parlamentit.

Në Suedi, ndryshe nga vendet e tjera, rolet e propozimit dhe emërimit i janë besuar Kryetarit të Parlamentit, dhe jo kreut të Shtetit.

Kushtetutat bashkëkohore kanë tendencë për të përforcuar mekanizmat e marrjes së funksioneve qeveritare, në mënyrë që të sigurohen se qeveria ka një mbështetje të mirëfilltë parlamentare.

  • Elementet politike

Përtej të gjitha mekanizmave kushtetuese, ekzistenca e qeverisë bazohet – duhet gjithmonë ta kujtojmë këtë – në një marrëveshje politike dhe forcën e një shumice.

Kur rezultatet e zgjedhjeve japin rezultat mjaft të qartë për ekzistencën në Parlament të një shumice të pakontestueshme, koherente, të organizuar dhe në gjendje të ushtrojnë pushtetin, e vetmja zgjidhje është që të emërohet, në përputhje me rregullat kushtetuese, si kryetar i qeverisë, lideri kryesor politik i shumicës së re.

Anasjelltas, zgjedhjet mund të çojnë, për shkak të shpërndarjes së votave apo defekteve në ligjin zgjedhor, në një asamble parlamentare të fragmentuar, të ndarë, në të cilin asnjë grup politik nuk ka një shumicë absolute. Në këtë rast mund të formohet një qeveri, e quajtur e pakicës, e cila është e dobët dhe jetëshkurtër. Në këto raste duhet të fillojnë diskutimet mes grupeve politike për të kërkuar kushtet e një programi minimal, që mund çoj në formimin e një qeverie të koalicionit dhe të sigurohet, nëse është e mundur, jetëgjatësia e saj.

Mjafton të hedhim një sy në zgjedhjet legjislative për të njohur dy situata. Në Mbretërinë e Bashkuar, me sistemin e zgjedhjeve njëemërore mazhoritare me një raund merret një rezultat i qartë politik dhe që të nesërmen e zgjedhjeve shumica, konservatore apo laburiste, ushtron pushtetin. Në të kundërtën, në vende më të ndara, të tilla si Italia, Belgjika dhe Holanda, zgjedhjet parlamentare vështirë se mund të gjenerojnë rezultate të maxhorancave të qarta. Prandaj duhet një periudhë kohe që forcat të rigrupohen, zakonisht rreth partisë me shumicën e vendeve, bashkohen dy ose tre grupe të tjera politike për të formuar një shumicë të vërtetë. Përvoja tregon se shumica të tilla, veçanërisht në Itali, janë lehtësisht të thyeshme dhe, prandaj ato nuk përbëjnë një infrastrukturë solide, për të cilën ka nevojëë çdo qeveri.

  1. Përgjegjësia e qeverisë

Ministrat janë kolegjialisht përgjegjës për dhomave për politikën e përgjithshme të qeverisë …” Kështu shprehej Neni 6 i Ligjit të Kushtetutës franceze të 25 shkurtit 1875. I deklaruar në këtë mënyrë apo në një tjetër version, parimi i përgjegjësisë së qeverisë është i qartë: Parlamenti ka të drejtë të ndërpresë funksionimin e qeverisë; në këmbim, qeveria ka detyrimin të përfitojë prej besimit të Parlamentit.

  • Mekanizmat e përgjegjësisë

Parashtrimi i parimit të përgjegjësisë nuk është i mjaftueshëm për të rregulluar të gjitha çështjet.

Është e rëndësishme të dihet se përpara kujt qeveria është përgjegjëse. Kur Parlamenti është i përbërë nga një asamble e vetme, është e qartë se zgjidhja imponohet vetë. Kur, në të kundërtën, ka dy dhoma, si në Francë, Gjermani, Britani të Madhe, Belgjikë, Itali, Spanjë dhe Holandë, është e rëndësishme të dihet nëse përgjegjësia ushtrohet para të dy dhomave, ose vetëm njërës prej tyre. Në shumicën e vendeve, Kushtetutat sigurojnë që përgjegjësia ushtrohet vetëm para dhomës së zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë, universal. Dhoma e dytë, që quhet Dhoma e Lordëve, Senat apo Bundesrat, nuk ka, në përgjithësi, mundësi për të rrëzuar qeverinë. Kjo rrjedh nga natyra e ndryshme e dy dhomave: e para, Dhoma e Përfaqësuesve apo Asamblea Kombëtare, shpreh drejtpërdrejt vullnetin e votuesve, ndërsa e dyta, zakonisht shpreh vullnetin e shteteve të federuara në një federatë ose, më në përgjithësi, atë të autoriteteve lokale. Në Itali, megjithatë, thuhet në mënyrë eksplicite, se qeveria duhet të ketë besimin e të dy dhomave, sepse në parlamentin italian ka një diferencim shumë të pakët ndërmjet Dhomës së Deputetëve dhe Senatit.

Është thelbësore që të jenë të përcaktuara shumë saktë mekanizmat e përgjegjësisë, si ato që ushtrohen nga vetë qeveria – kur ajo bën një mocion të besimit – ashtu edhe nga anëtarët e asamblesë, kur ata bëjnë një mocion mosbesimi, në veçanti nëpërmjet depozitimit dhe votimit të një mocioni të kontrollit. Gjithnjë e më shumë, Kushtetutat bashkëkohore përshkruajnë në mënyrë të hollësishme kushtet në të cilat Qeveria mund të vërë në lëvizje përgjegjësinë e saj, ose kur inisiativa është e deputetëve. Kjo bëhet për të penguar që përmes mekanizmave shumë të thjeshtë ose shumë të shpejtë, të vihet, në mënyrë të përsëritur, përgjegjësia e qeverisë në votime të njëpasnjëshme të mosbesimit, që në fund të fundit, çon në dobësimin vet sistemit kushtetues dhe mund të çojë në krizë të vërtetë politike, siç ka qënë rasti në Francë në kuadër të Republikës së IV-të, apo rasti i Italisë.

Një zgjidhje shumë e perfeksionuar gjëndet në Kushtetutën gjermane, që parashikon të ashtuquajturin “mocion të mosbesimit konstruktiv”. Kur dëshiron të rrëzoj qeverinë, Bundestagu duhet që krahas një shumice absolute të anëtarëve të tij, të zgjedhë në të njëjtën kohë, një kancelar të ri, i cili do të jetë i ngarkuar për formimin e qeverisë së re. Nuk mund të ketë një vakuum pushteti në mes të qeverisë së vjetër dhe asaj të re.

Pa shkuar shumë larg, sistemi i nenit 49 të Kushtetutës franceze parashikon se mocioni i kontrollit duhet votuar me shumicë absolute të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, duke konstatuar kështu që ekziston një shumicë e re kundër shumicës që deri tani kishte mbështetur qeverinë.

Në përgjithësi, kushtetutat bashkëkohore gjithashtu parashikojnë që mocionet e kontrollit mund të paraqitet vetëm nga një numër sinjifikativ i anëtarëve, shpesh një e dhjeta e anëtarëve të asamblesë. Përveç kësaj, ato parashikojnë që një periudhë minimale duhet të kaloj midis depozitimit, diskutimit dhe votimit, në mënyrë që qeveria, në njërën anë, dhe forcat politike, nga ana tjetër, të kishin kohën të vlerësonin sfidën e debatit dhe përfundimin e tij.

Ideja qendrore e këtyre rregullimeve të ndryshme, shpesh të njohur si “parlamentarizëm i racionalizuar” nuk është për të shmangur vënien në dyshim të përgjegjësisë së qeverisë, por për të rregulluar rrethanat që çojnë në të. Kur qeveria kërkon një votëbesim, ose parlamentarët kërkojnë një procedurë mosbesimi, duhet ta bëjnë këtë me arsye të vetëdijshme dhe për arësye të forta politike.

  • Funksionimi i përgjegjësisë

Vëzhgimi i vendeve të tipit parlamentar ka çuar në konstatimin se qeveritë janë rrëzuar rrallë herë. Në Francë, në dyzetë vjet, vetëm një qeveri u rrëzua në 1962; në Britani vetëm një rast në 1979; në Spanjë, në njëzetë vjet të jetës demokratike, asnjë votim mosbesimi nuk raportohet; në Gjermani, pesëdhjetë vjet të funksionimit të Ligjit Themeltar, vetëm një krizë ka ndodhur (1982), dhe kjo ishte provokuar shumë vullnetarisht. Sigurisht, Italia, apo Franca e Republikës së IV-të, janë të njohura për paqëndrueshmërinë e qeverive të tyre, por shumë pak prej tyre e lënë pushtetin pas një votimi kushtetues për përgjegjësinë. Në shumicën e rasteve, është fjala për një dezintegrim të brendshëm që mund të çojë në një votë mosbesimi.

Sipas pikëpamjes strikt juridike, refuzimi nga asambleja i një votimi të besimit për qeverinë, ose miratimin e një mocioni të mosbesimit, automatikisht çon në paraqitjen e dorëheqjes nga kreu i qeverisë tek kreu i Shtetit. Të gjitha Kushtetutat janë të sakta në këtë pikë dhe përmbajnë një dispozitë të ngjashme me nenin 50 të Kushtetutës franceze: “Kur Asambleja Kombëtare kalon një mocion të besimit ose refuzon programin e një deklarate të politikës, Kryeministri duhet të japë Kryetarit të Shtetit dorëheqjen e qeverisë”. Nuk ka në këtë rast asnjë manovrim të mundshëm: një qeveri, që Parlamenti sapo i ka refuzuar besimin, duhet të largohet nga funksionet e saj.

Në sistemin parlamentar, kur ndodh rrëzimi i qeverisë konstatohet prishja e marrëveshjes së shumicës, kjo të çon në shpërbërjen e parlamentit dhe në zgjedhje të reja. Ekziston, në të vërtetë, një logjikë që konflikti mes shumicës parlamentare dhe qeverisë të mos zgjidhet vetëm brenda forcave politike në parlament, por të kërkohet opinioni i votuesve. Kjo është e rrallë, megjithatë, përveç rastit të një refuzimi të përsëritur të votimit të parë të besimit në favor të një qeverie, shpërbërja është automatike. Në përgjithësi, kreu i Shtetit ka disa liri për të vlerësuar rrethanat politike dhe për të përcaktuar nëse rënia e qeverisë është rezultat i një konflikti të personave, që do të mund të zgjidhet përmes formimit të një qeverie të re, apo është, me të vërtetë, një krizë politike e besimit, në të cilin rast vetëm votimi i përgjithshëm mund të sigurojë një zgjidhje.

  1. Kompetencat e qeverisë

Qeveria përcakton dhe drejton politikën e kombit” kështu shprehet neni 20, paragrafi 1, i Kushtetutës franceze. Është e vështirë të imagjinohet një frazë më e shkurtër për të përmbledhur, përcaktuar dhe strukturuar detyrat e një qeverie. Në mënyrë më eksplicite, neni 97 i Kushtetutës Spanjolle deklaron: “Qeveria drejton politikën e brendshme dhe të jashtme, administratën civile dhe ushtarake dhe mbrojtjen e shtetit. Ajo ushtron funksionin ekzekutiv dhe pushtetin rregullator në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet“. Nëse një frazë e këtij lloji ekziston ose nuk ekziston në Kushtetutat, pak rëndësi ka. Realiteti mbetet gjithmonë i njëjtë: Qeveria është strumbullari i impulseve politike të një vendi.

  • Kompetencat specifike

Ekziston, së pari, një funksion global i përkufizimit dhe i zbatimit të politikës së përgjithshme. I përket qeverisë jo vetëm të paraqesë objektivat kryesore, por mbi të gjitha të sigurojë koherencën e tyre. Ndërsa çdo ministër, me përkufizim, ka veçse një pamje të pjesshme të veprimit qeveritar, për shëmbull, punët e jashtme, çështjet financiare, çështjet sociale, ose në kuptimin strikt, të çështjeve të brendshme, mbledhja e të gjithë ministrave dhe sekretarëve të shtetit, nën kryesimin e kreut të qeverisë dhe, në disa raste, e kreut të Shtetit, siguron një sintezë të vërtetë të elementëve të ndryshëm të politikës kombëtare.

Natyrisht, në drejtim të kreut të qeverisë konvergon tërësia e prerogativave juridike dhe politike. Në mënyrë eksplicite, neni 65 Ligjit Themelor të Gjermanisë shpërndan detyrat në mes të qeverisë, kancelarit dhe ministrave: “Kancelari federal përcakton orjentimet e mëdha politike dhe duke marrë përgjegjësinë e tij. Në kuadër të këtyre orjentimeve të mëdha çdo ministër federal drejton departamentin e tij në mënyrë të pavarur dhe nën përgjegjësinë e tij. Qeveria federale zgjidh divergjencat e mendimit midis ministrave federale“. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, neni 21 i Kushtetutës franceze parashikon se” kryeministri drejton veprimin e qeverisë”.

Misionet, si atribute të qeverisë, shprehen nëpërmjet kompetencave juridike në fushën civile ose në fushën ushtarake. Në fushën civile, është e domosdoshme që qeveria, përmes kryetarit të saj, ministrave apo organit kolegjial, ka fuqinë normative të deleguar – gjë që francezët e quajnë pushteti rregullator – autoriteti hierarkik mbi strukturat administrative qendrore dhe aftësinë për të vënë në lëvizje forcat e rendit. Në fushën ushtarake, parimi tashmë i pranuar në të gjitha demokracitë, është se përgjegjësia e mbrojtjes kombëtare dhe e forcave të armatosura kombëtare duhet të jetë siguruar nga një civil dhe jo nga një ushtarak.

Qeveria duhet të jetë në gjendje të përpunojë orjentimet, të udhëzojë, të zbatojë vendimet e saj dhe të sanksionojë, nëse ka nevojë, ata të cilët, megjithëse janë nën autoritetin e saj, nuk i binden qeverisë në zbatimin e detyrave. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të mos harrohet asnjëherë, se qeveria është një organ kolegjial me natyrë krejtësisht politike dhe që vendimet e saj mund të shprehin divergjenca të anëtarëve të saj dhe të çojnë në zgjidhje që kombinojnë njëherësh nevojat politike dhe efikasitetin administrativ . Çdo qeveri është në udhëkryqin mes të legjitimitetit politik, që e krijon, dhe veprimit administrativ, që e përligj.

  • Raportet me pushtetet e tjera

Në raport me e Kryetarin e Shtetit, që mund të jetë një mbret apo një president, një qeveri e tipit parlamentar gjëndet së pari në një situatë të respektit protokollar. Edhe nëse kreu i Shtetit luan – si në shumë vende – një rol shumë të vogël politik, statusi i tij kushtetues, trashëgimia dinastike ose autoriteti i tij personal, i jep atij një situatë të veçantë, përmes forcës së gjërave të ndryshme nga ato të qeverisë. Në disa vende, kreu i Shtetit ka të drejtë të kryesojë Këshillin e Ministrave dhe firmos tekstet më të rëndësishme juridike, si ligjet ose traktatet. Ai gjithashtu siguron një funksion të përfaqësimit, në veçanti në marrëdhëniet me jashtë. Parimet e rregjimit parlamentar kërkojnë që shprehjet publike të kreut të Shtetit të jenë të përgatitura dhe të garantuara nga qeveria. Situata franceze paraqitet mjaft e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera evropiane: Presidenti i Republikës, përmes mënyrës së tij të zgjedhjes, kompetencave të tij kushtetuese, dhe veçanërisht praktikave të Republikës së Pestë, ai merr, kur ka një shumicë të vërtetë parlamentare dhe në këtë mënyrë një qeveri besnike, një pushtet të vërtetë qeverisës. Në periudhat e bashkëjetesës, përkundrazi, qeveria rigjen një rëndësi reale.

Parlamenti është bashkëbiseduesi i natyrshëm, legjitim, i përditshëm, i qeverisë. Të gjitha Kushtetutat organizojnë në mënyrë të detajuar, marrëdhëniet e vendosura në mes ekzekutivit dhe legjislativit, domethënë qeverisë dhe parlamentit. Analiza politike çon në përfundimin se ekziston një solidaritet i vërtetë në mes të shumicës së dhomës së parë apo dhomës së vetme të Parlamentit dhe të qeverisë. Kjo lidhje politike çon në shumë raste, në perfeksionimin e mekanizmave kushtetuese. Megjithatë, në të gjitha rregjimet parlamentare, dy akset kryesore të punës parlamentare, domethënë gatimi i ligjit dhe kontrolli parlamentar, kërkojnë një dialog konstant dhe, nëse është e mundur, të frytshëm mes Qeverisë dhe Parlamentit. Në të gjitha demokracitë perëndimore, qeveria është, logjikisht, burim i legjislacionit. Asaj përket kompetenca e depozitimit të projektligjeve në Parlament, e mbështetjes së tyre, e përdorimit të kompetencave të saj për të shpejtuar procesin dhe e kujdesit që ndryshimet e ligjshme e bëra nga asambleja parlamentare të mos ndikojnë në koherencën e politikës për të cilën ajo është përgjegjëse.

Lidhur me kontrollin parlamentar, qeveria përballet me tre grupe të procedurave: e para, ka të bëjë me mekanizmat e përgjegjësisë së analizuar më sipër; e dyta, përcakton procedurat e pyetjes dhe të çështjeve, që përfshijnë qeverinë të përgjigjet sipas teknikave shpesh të sofistikuara, pyetje me gojë ose me shkrim nga deputetët e parlamentit; e treta, lidhet me komisionet hetimore parlamentare me qëllim kontrollin e veprimtarisë së qeverisë. Ato veprojnë sipas rregullave shumë të sakta.

Natyra e vërtetë e marrëdhënieve mes qeverisë dhe parlamentit varet në masë të madhe, në fund të fundit, nga cilësia e marrëdhënieve politike midis qeverisë, shumicës dhe opozitës, por edhe nga traditat kushtetuese dhe njerëzore që ekzistojnë në çdo vend.

Kundrejt pushtetit gjyqësor, qeveria ndodhet, në përgjithësi, në një situatë të veçantë. Parimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor kërkon që qeveria të mos japi urdhra gjyqtarëve dhe të mos ndërhyjë në zhvillimin e procedurave gjyqësore. Në të njëjtën kohë dhe në mënyra të ndryshme, në të gjitha vendet, sistemi gjyqësor është një nga degët e sistemit politiko-administrativ. Për të përdorur një term francez, ai është një shërbim publik. Si i tillë, qeveria nuk mund të jetë e painteresuar për funksionimin e këtij aktiviteti dhe për këtë arsye, duhet të kujdeset që burimet në dispozicion të drejtësisë, të lejojnë efikasitetin e tij: për mënyrat se si gjykatat janë të organizuara ose për procedurat e rekrutimit dhe alokimit të magjistratëve. Ekzistenca në pothuajse të gjitha qeveritë, e një Ministri të Drejtësisë, reflekton veçorinë e kësaj marrëdhënieje.

Historia tashmë ka tendencë për të karakterizuar periudhat me emrin e personit që drejton qeverinë. Kjo e karakterizon më mirë se analizat e gjata rolin e tij qendror dhe thelbësor. Në demokracitë, jeta politike është e organizuar rreth rolit të qeverisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi