Shqipëria transatlantike

Nga Leonard Demi, botuar ne Panorama, 1 qershor 2018

Shqipëria është pjesë e pandarë e komunitetit euroatlantik. Kjo përkatësi e fton të bashkëveprojë kundër kërcënimeve gjithnjë e më të rrezikshme, që synojnë të minojnë ligjësitë dhe vlerat tona, si: në misionet e NATO-s në Europën Lindore, në Mesdhe dhe në Afganistan; në Koalicionin e Madh kundër Terrorit, në Irak, Siri, në misionet e BE-së, si dhe nëstrategjitë evropiane kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, sot ngrenë krye tri çështje:

(i) partneriteti transatlantik,

(ii) përpjekjet e BE-së për mbrojtjen europiane komplementare me NATO-n, si dhe

(iii) sfida atomike. Marrëdhëniet transatlantike, themeli i Aleancës, po përballen me dy probleme serioze:

(i) tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja Atomike me Iranin pa mbështetjen europiane dhe

(ii) vendosja e tarifave për çelikun dhe aluminin e BE-së, që mund të dobësojnë sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe të pështjellojnë lidhjet ekonomike dhe politike midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Në qoftë se NATO do të përballet me ndonjë të ftohtë diplomatik transatlantik, Aleanca është e mbrojtur nga disa faktorë:

i. nga personalitetet amerikane që drejtojnë institucionet e mbrojtjes dhe të sigurisë të Shteteve të Bashkuara, të cilët nuk e kanë venë kurrë në dyshim rëndësinë e patjetërsueshme të Aleancës, duke u përpjekur ta forcojnë më tej atë dhe unitetin e saj;

ii. nga vetë institucionet dhe sistemi amerikan i mbrojtjes dhe sigurisë, të cilët janë në gjendje t’u bëjnë ballë ndryshimeve të menjëhershme;

iii. nga dëshira dhe përpjekjet europiane për t’i ruajtur marrëdhëniet transatlantike dhe

iv. është jashtëzakonisht e vështirë të lëshohen institucionet e ngritura.

Në këto kushte, vendi ynë ka përgjegjësinë e madhe, së pari, të mbajë barrën dhe angazhimet e veta ndaj Aleancës sipas Samitit të Uellsit dhe Varshavës (respektivisht më 2014 dhe 2016), duke investuar për të forcuar NATO-n dhe partneritetin transatlantik, si dhe aleancat tona ndërkombëtare në luftën kundër ideologjisë së terrorit dhe akteve terroriste, kundër veprimeve armiqësore dhe ndërhyrjeve të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë apo në hapësirën kibernetike.

Së dyti, Shqipëria ka interes të palëkundur të ruajë marrëdhëniet e veta transatlantike, të hapë negociatat dhe të përparojë me integrimin në BE. Kësisoj, mendoj se duhet të përqendrohemi në tri fusha:

(i) në nivelin diplomatik, për t’u konsultuar me njëritjetrin rregullisht për sfidat me të cilat përballemi dhe të koordinojmë përdorimin e mjeteve që kemi kur e kërkon interesi ynë;

(ii): të jemi të aftë të vazhdojmë të punojmë me njëri-tjetrin dhe të kemi rezultate në terren; si dhe

(iii) të zhvillojmë kapacitetet e mbrojtjes, të sigurisë e ato kibernetike për t’i bërë ballë kërcënimeve në rritje.

Në këtë drejtim, Shërbimi ynë Informativ ka një rol të pazëvendësueshëm, pasi sot ka mundësi të sigurojë një informacion që nuk mund të imagjinohej më parë. Informacioni sekret, kur është i saktë, shumëfishon forcën sepse ekonomizon përdorimin e saj. Kur të dhënat e shërbimit sekret i ofrohen rregullisht procesit vendimmarrës, krijon mundësi për të marrë vendime të arsyeshme dhe të lidhur me realitetin.

Studiuesi Sherman Kent, në veprën e vet “Strategic Intelligence for American World Policy”, shkruan: “Burri i shtetit që hedh poshtë informacionin që paraqitet në mënyrë të arsyeshme, duhet të marrë vesh që i kthen kurrizin dy instrumenteve: (i) instrumentit të arsyes dhe (ii) të metodës shkencore, me anën e të cilëve njeriu perëndimor ka zgjeruar horizontin dhe njohuritë e veta që nga koha e Aristotelit”.

Shërbimi Informativ informon, ai nuk jep këshilla se si duhet bërë apo çfarë vendimi duhet marrë dhe në qoftë se ky shërbim afrohet shumë me politikën, rrezikon të korruptohet. Kjo e dallon atë nga institucioni i diplomacisë, që bën dhe ekzekuton politikë, si dhe që mbledh informacion. Sot ka shtete si Rusia, që kërkojnë të dobësojnë lidhjet transatlantike, kundërshtojnë dhe veprojnë për të penguar integrimin euroatlantik të rajonit dhe hapjen e negociatave të vendit tonë.

Ata përpiqen të arrijnë objektivat e veta duke vepruar në mënyrë sekrete apo duke kërkuar të ndikojnë në punët e brendshme të vendit tonë

(i) nëpërmjet propagandës, që përfshin përdorimin e medias vendëse për të përcjellë një mesazh të caktuar;

(ii) nëpërmjet veprimeve politike, me anën e të cilave përpiqen të mbështesin financiarisht ose me mjete të tjera, si udhëheqës politikë apo qeveritarë nostalgjikë, parti politike, federata të punëtorëve, organizata joqeveritare, grupe fetare, organizma të ngjashme

(iii) apo ndonjë mënyrë tjetër për të ndjekur një drejtim politik apo veprimtari të caktuar. Në këto kushte, forcimi i Shërbimit Informativ dhe të gjithë institucioneve të sigurisë është një domosdoshmëri e dorës së parë.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan