Klasifikimi i referendumeve
Sipas qëllimit të organizimit të tyre, referendumet mund të dallohen në:
– propozues: të propozojë një ligj të ri (e detyron legjislatorin të miratojë një ligj në përputhje me
shprehjen popullore); është i pranishëm, për shëmbull, në legjislacionin e San Marinos dhe Zvicrës;
– konsultues: për të dëgjuar mendimin popullor për një çështje të caktuar politike (kërkesa është thjeshtë për mendim, jo e detyrueshme për marrjen më vonë të vendimit);
– konfirmues: të kërkojë pëlqimin popullor që një ligj apo një dispozitë kushtetuese të mund të hyjë në fuqi;
– shfuqizues: të anulojë një ligj ekzistues ose një akt që ka fuqinë e ligjit (dekret apo vendim) duke hequr atë nga legjislacioni;
– deliberativ: me anë të të cilit qytetarët vendosin në bazë të parimit të sovranitetit popullor (në komuna dhe provinca, vendosin “rregulloret” që janë akte që kanë fuqinë e ligjit);
– legjislativ, me të cilat futen ligje lokale ose shtetërore.
Në Bashkimin Evropian nuk ekziston institucioni i referendumit abrogativ (shfuqizues), as mund të kërkohet në Gjykatën e Drejtësisë moszbatimi i një direktive në një Shtet Anëtar, nëse kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e tij, gjithashtu nuk është e pranueshme propozimi ose shfuqizimi i një ligji komunitar. Për ligjet e nivelit kushtetues ose për ratifikimin e traktateve, e Drejta e Bashkimit i lë shteteve Anëtare zgjedhjen e referendumit për miratim dhe/ose shfuqizimin. Shtetet e veçanta europiane të Bashkimit Evropian kanë sistemet e tyre referendare shumë të ndryshme midis tyre.
Referendumi për pavarësinë është një lloj i veçantë i referendumit, në të cilin qytetarët e një territori thirren për të vendosur mbi mundësinë që territori I tyre të bëhet një shtet i pavarur. Referendumi konsiderohet pozitiv nëse qytetarët e miratojnë pavarësinë apo negativ, në rastin kur e kundërshtojnë atë. Suksesi i këtij lloji të referendumit mund ose jo të çojë në pavarësinë sepse vendimi varet nga shteti i cili ka dhënë pëlqimin për zhvillimin e referendumit.