Negociatat, dera që na u hap përgjysmë

Shqipëria nuk po i bind plotësisht europianët. Negociatat do të hapen, por me kusht. Kryefjala është Reforma në Drejtësi. Në mesin e dhjetorit të këtij viti, propozimi i KE-së do të vlerësohet nga Këshilli Europian ku dhe do të merret një vendim se si do të procedohet më tej me hapjen e negociatave nëse Shqipëria përmbush prioritetin e kësaj reforme. Ekspertët thonë se ky është më shumë një mesazh për politikën

Nga Elona Bedalli

Dy vjet nga marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, Shqipëria mundi të fitonte një “po” të shoqëruar nga një “por” për hapjen e negociatave. Zbatimi i Reformës në Drejtësi të miratuar me unanimitet në korrik të këtij viti do të jetë edhe fjala magjike që do të mund t’i hapë dyert Shqipërisë për të qenë më afër familjes së madhe europiane. Ky ishte një lajm i pritshëm, duke qenë se edhe më herët, zyrtarët e Brukselit kishin dhënë sinjale se hapja e negociatave nuk do të vononte, por natyrisht nuk do të ishte një “shëtitje në park”, siç u shpreh edhe komisioneri për politikat e Fqinjësisë dhe Procesit të Zgjerimit, Johannes Hahn, përpara kolegëve eurodeputetë.
Në fjalën e tij, ai theksoi se pjesa më e madhe e vendeve që janë në proces afrimi me BE-në kanë bërë përpjekje serioze për të modernizuar legjislacionin dhe për të strukturuar sistemet e drejtësisë. Megjithatë, ato vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e pavarësisë, e cila ndikon në gjendjen ekonomike dhe politike.
Në aspektin ekonomik theksohet se ka pasur përmirësim, por mbeten ende sfidat që kanë të bëjnë me administratën publike, menaxhimin e dobët financiar, normën e lartë të papunësisë, sundimin e dobët të ligjit, i cili ndikon në tërheqjen e investimeve publike.
“Puna e çdo shteti që synon të anëtarësohet duhet të përqendrohet tek ajo që është thelbësore për të”.
Komisioni Europian vërejti se vendet e Ballkanit Perëndimor(pjesë e Procesit të Berlinit) kanë bërë progres të mirë gjatë këtij viti për të rritur bashkëpunimin dhe ndërlidhjen me tregje të tjera.
Sipas tij, negociatat e pranimit nuk janë një qëllim në vetvete, por një proces strategjik që sjell rezultate konkrete përmes reformave ekonomike dhe demokratike. Ai është një proces i gjatë dhe kompleks. “Për çdo kapitull që hapet, ai sjell ndryshim, përmirëson qeverisjen dhe forcon bashkëpunimin rajonal. Na duhen udhëheqës që të jenë më të përgjegjshëm. Ata duhet me të vërtetë të bëjnë reforma. Të jenë pjesë e pashmangshme e axhendës së tyre politike dhe procesi i anëtarësimit vë në dispozicion mjetet. Shikoni hartën. Ballkani Perëndimor tashmë është një “enklavë” në BE, ndaj është në interesin e të gjithëve që t’u jepet prioritet reformave të duhura”, tha komisioneri Hahn.
Kjo është hera e dytë që rekomandimet e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian janë në të njëjtën linjë.

Johannes HahnHahn: Tregu i përbashkët i Ballkanit Perëndimor, i mundur brenda 2-3 viteve

Për komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, Ballkani Perëndimor i ka të gjitha gjasat që të kthehet në një treg të vetëm brenda dy apo tri viteve, nëse ka vullnet politik.
Sipas tij, qëllimi i përbashkët është që të ndalet ‘dalja e trurit’ nga rajoni, t’i jepet perspektivë dhe të shtohen vendet e reja të punës.
Një treg i përbashkët konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit, që ekziston tashmë mes 28 vendeve të BE-së. Por, Hahn nuk e specifikon sesi mund të jetë një treg i vetëm i vendeve që aspirojnë të hyjnë në BE.

Mali i Zi, kritikohet korrupsioni

Raporti i Komisionit Europian për Malin e Zi përshkruan zgjedhjet parlamentare të tetorit si “me pjesëmarrje të gjerë dhe transparente”, por ka qenë kritik për luftën kundër korrupsionit dhe gjendjen e lirisë së medias. Raporti bën të ditur se “korrupsioni është i pranishëm në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”. Numri i dënimeve për korrupsion te zyrtarët e lartë “mbetet i kufizuar”.
Podgorica gjithashtu u kritikua ashpër në fushën e lirisë së medias. Komisioni vuri në dukje se rastet për shpifje mbeten të larta, gjë e cila tregon për mekanizmat e dobët të vetërregullimit, si dhe për sfidat në të kuptuarit e rolit të medias”.
Mali i Zi është aktualisht vendi i Ballkanit Perëndimor më afër anëtarësimit në BE. Ka hapur 24 kapituj negocimi nga 35 që janë. Kapitujt përfshijnë legjislacionin e BE-së në fusha të ndryshme, që një vend duhet të miratojë në mënyrë që të bashkohet në të. Mali i Zi pritet të bëhet anëtar i NATO-s në fillim të vitit 2017.

Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën

Raporti i zgjerimit i Komisionit Europian i kërkon Beogradit të përmirësojë sundimin e ligjit dhe të bëjë progres në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Serbia ka bërë përparim të ngadaltë në procesin e pranimit, duke hapur vetëm katër nga kapitujt e pranimit në BE.
Si Serbia, ashtu edhe Kosova, kanë nënshkruar disa marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të përfaqësimit të pakicave serbe në Veri, por zbatimi i tyre ka qenë i ngadaltë.
Raporti thekson: “Përpjekje të vazhdueshme janë të nevojshme për të zbatuar marrëveshjet tashmë të arritura me Kosovën”. Progresi i këtij viti ka qenë i kufizuar, për shkak të zgjedhjeve në Serbi dhe mungesës së stabilitetit politik në Kosovë.

Kosova, e përqendruar te stabilizimi

Dokumenti i Komisionit për Kosovën gjithashtu ngriti shqetësime për mungesën e dialogut mes opozitës dhe mazhorancës. Raporti i KE-së bën të ditur: “Funksionimi normal parlamentar është penguar në pjesë të konsiderueshme të periudhës së raportimit, ku është përfshirë edhe përdorimi i mjeteve të dhunshme nga anëtarët e opozitës”.
Megjithatë, pesë shtetet anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës nga Serbia në vitin 2008, duke penguar bisedimet e pranimit.
Por, asnjë vend nuk do të bashkohet me BE-në përpara vitit 2020. Vetë BE-ja është duke kërkuar mënyra të ndryshme për ta bërë procesin e zgjerimit më të dukshëm. Në këtë mënyrë, Brukseli shpreson të rrisë popullaritetin e tij në rajonin e Ballkanit.

Maqedonia, kritike zgjidhja e krizës

Për Maqedoninë, raporti i komisionit ngre shqetësime rreth krizës politike. Raporti i KE-së thotë: “Demokracia dhe sundimi i ligjit janë sfiduar vazhdimisht, në mënyrë të veçantë për shkak të kapjes së shtetit që ndikon në funksionimin e institucioneve demokratike dhe në fushat kryesore të shoqërisë”.
Raporti shtoi se Maqedonia “vuan nga një kulturë përçarëse politike dhe mungesë kapaciteti për kompromis”.
Komisioni ka rekomanduar negociatat fillestare me Maqedoninë që nga viti 2009, por Greqia e ka bllokuar në mënyrë të përsëritur për shkak të çështjes së vazhdueshme të emërtimit juridik të shtetit.

Bosnja, hapa domethënës ndaj anëtarësimit

Së fundi, raporti i zgjerimit i Komisionit Europian thotë se Bosnjë-Hercegovina ka bërë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE këtë vit, duke paraqitur një kërkesë për t’u bashkuar me bllokun.
Raporti vlerëson reformat e ndërmarra nga Sarajeva, edhe pse ai vë në dukje problemet e mëdha strukturore që mbeten në këtë vend.

Integrimi – BEShqipëria, gjetjet kryesore të raportit

Raporti është pozitiv dhe cilëson se në rreth 90% është bërë progres, ndërsa në masën 5%, Shqipëria nuk ka bërë aspak progres krahasuar me një vit më parë. Për drejtuesit e delegacionit të BE-së në Tiranë, hapja e negociatave nis dhe përfundon me kapitujt 23-24. Komisioni ka nxjerrë një rregullore sipas së cilës, negociatat mund të ndalen (pezullohen përkohësisht) nëse vlerësohet se vendi nuk po bën progres në këta dy kapituj. Me përmirësimin e ecurisë në plotësimin e këtyre kapitujve mund të ecet më tej, në të kundërt, procesi ndalet për një kohë të pacaktuar.
Por, Komiteti parlamentar i Stabilizim Asocimit, gjatë takimit të 11 në Bruksel, ka hartuar rekomandimet e tij.
Sipas tyre, Shqipëria ka performuar mirë në politikën e jashtme, në 20 çështje progresi ka qenë i moderuar dhe në 10 i ulët.
Hapja e negociatave dhe procesi i integrimit lidhet ngushtësisht vetëm me një togfjalësh: Zbatimi i reformës në drejtësi. Pika ku Brukseli pritet të vërë theksin më shumë dhe për të cilën qëndrimi është i qartë: Nuk ka kthim pas.
Por, cilat janë disa nga gjetjet e Komitetit parlamentar të Stabilizim Asocimit, SAPC (Parlamenti Europian): Dy janë frazat që janë të kudondodhura në këtë dokument; ka pasur progres në vazhdimësi dhe ecuria ka qenë decizive.
Vihet re se në asnjë çështje Shqipëria nuk ka regres.
Në raport janë përmendur 45 çështje, për 40 progresi vlerësohet i mirë ose i moderuar, për 5 nuk është bërë progres. Çështjet për të cilat nuk është bërë aspak progres në krahasim me një vit më parë janë: Liria e medias dhe e shprehjes, liria e lëvizjes së punës, peshkimi, prokurimet publike dhe audiovizualiteti.
Brukseli e kushtëzon integrimin e Shqipërisë në BE edhe me pesë prioritetet e përcaktuara, por fokusi do të jetë te Reforma në Drejtësi.

Kriteri politik

Pas polarizimit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për të nisur një reformë të thellë dhe të plotë të sistemit të drejtësisë dhe përjashtimin e atyre që kanë kryer vepra penale nga zyrat publike. Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme që do të mbahen në vitin 2017, Shqipëria pritet të miratojë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ato duhet të trajtojnë në mënyrë të veçantë paanësinë dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore.
Shqipëria, në anën tjetër, po zbaton reformën e administratës, si dhe strategjinë për menaxhimin e financave publike.
Progresi i mëtejshëm është çelësi për të konsoliduar arritjet drejt një administrate publike më të efektshme, të depolitizuar dhe profesionale.
Sistemi gjyqësor në Shqipëri ka një nivel të caktuar përgatitjeje. Janë miratuar ndryshimet kushtetuese që lidhen me organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë. Kjo i hap rrugën një reforme të plotë të drejtësisë.
Progres është bërë në hartimin e legjislacionit: u miratua ligji për rivlerësimin (verifikimin) e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë, si dhe një sërë ligjesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me riorganizimin institucional të strukturave gjyqësore. Përveç kësaj, rreth 40 tekste të tjera legjislative janë në faza të ndryshme të përgatitjes. Progres i mëtejshëm është i nevojshëm për të miratuar dhe për të zbatuar këtë legjislacion. Administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm dhe joefikas; korrupsioni mbeti i përhapur në të gjithë sektorin.
Shqipëria ka bërë progres në përgatitjen ndaj luftës kundër korrupsionit. Progres i mëtejshëm është i nevojshëm për krijimin e një historiku të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve. Më shumë përpjekje janë të nevojshme për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë. Hetimet proaktive, vlerësimet sistematike të rrezikut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të përmirësohen. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz.
Vendi ka arritur njëfarë progresi në luftën kundër krimit të organizuar. Janë bërë disa përparime, sidomos në identifikimin dhe shkatërrimin e plantacioneve me kanabis. Policia është modernizuar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar policor është intensifikuar, sidomos me Europolin. Megjithatë, bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet të forcohet më tej për të shpërbërë rrjetet kriminale në mënyrë më efikase. Numri i dënimeve përfundimtare në rastet e krimeve të organizuara është ende i ulët, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë në vitet e fundit. Hetimet financiare që lidhen me grupet e organizuara kriminale nuk janë përdorur në mënyrë sistematike dhe në mënyrë efektive.
Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është gjerësisht në përputhje me standardet europiane. Shqipëria ka ratifikuar konventat më të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Megjithatë, zbatimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duhet të forcohet. Sa i përket lirisë së shprehjes, Shqipëria ka bërë progres të moderuar. Mjedisi i përgjithshëm është i favorshëm për lirinë e shprehjes, por zbatimi më i mirë i legjislacionit është i nevojshëm. Pavarësia e autoritetit rregullator dhe transmetuesit televizivë publikë duhet të forcohen më tej, po kështu edhe transparenca e reklamave shtetërore në media mbetet për t’u përmirësuar.
Shqipëria ka marrë masa për të trajtuar kthimin ose kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit. Një ligj i ri parashikon ngritjen e një mekanizmi kombëtar për kompensimin. Procesi i regjistrimit të pronës gjithashtu ka nevojë për t’u çuar përpara.
Kushtet e jetesës për romët dhe egjiptianët duhet të përmirësohen. Përpjekje shtesë janë të nevojshme për të zhvilluar histori të rasteve të kundërdiskriminimit. Mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për të trajtuar dhunën me bazë gjinore mbeten të varfra.
Shqipëria ka vazhduar të ketë rol konstruktiv dhe aktiv në bashkëpunimin rajonal dhe mban marrëdhënie të mira fqinje, në linjë me angazhimet e saj në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Kriteri ekonomik

Shqipëria është në mënyrë të moderuar e përgatitur në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut. Janë bërë disa përparime në përmirësimin e bilancit buxhetor, duke luftuar informalitetin, por dhe për reformimin e sektorit të energjisë elektrike. Rritja ekonomike është përshpejtuar dhe gjendja e tregut të punës është përmirësuar, por papunësia mbetet e lartë.
Borxhi publik është i lartë dhe ende nuk ka filluar ulja, ndërsa mosrealizimi i shpenzimeve për investime publike vazhdon.
Sektori financiar është i qëndrueshëm. Megjithatë, sektori bankar është ende i ngarkuar me kreditë me probleme dhe huadhënia po rritet ngadalë.
Biznesi vazhdon të ndiejë mungesën e sundimit të ligjit, e cila pengon investimet. Reforma e drejtësisë, në vazhdim, pritet të ketë ndikim në mjedisin e biznesit.
Shqipëria ka bërë progres në lidhje me aftësinë e saj për të përballuar presionin dhe forcat e tregut konkurrues brenda Bashkimit Europian. Disa përparime janë bërë në veçanti për sa i përket përmirësimit të arsimit të lartë dhe profesional. Megjithatë, cilësia e arsimit duhet të ngrihet në të gjitha nivelet për të pajisur më mirë njerëzit me aftësi dhe njohuri në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Përpjekjet kanë nisur për t’u dhënë prioritet investimeve në infrastrukturë, por mangësitë në transport, energji dhe infrastrukturën dixhitale ende pengojnë konkurrencën dhe kufizojnë tregtinë.
Tregtia me jashtë është nën potencial dhe është e përqendruar sipas sektorëve, duke e bërë ekonominë më vulnerabël. Kapacitetet për kërkim, zhvillim dhe inovacion mbeten të ulëta.

Legjislacioni i BE-së

Shqipëria vazhdon me përafrimin e legjislacionit, me kërkesat e BE-së në një numër të caktuar fushash, duke rritur aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit.
Në shumë fusha, vendi është i përgatitur në mënyrë të moderuar, siç janë: kontrolli financiar, prokurimi publik dhe statistikat.
Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për sa i përket përgatitjes së përgjithshme për miratimin dhe zbatimin e ‘acquis’ të BE-së. Ajo duhet të vazhdojë punën për zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe të energjisë, me qëllim përmirësimin e ndërlidhjes me të gjithë rajonin. Kapacitetet administrative dhe standardet profesionale të organeve të ngarkuara me zbatimin e ‘acquis’ duhet të përforcohen.
Rritja e transparencës dhe llogaridhënies, në veçanti sigurimi i funksionimit me efikasitet dhe transparencë i sistemit të prokurimit publik dhe menaxhimit të financave publike, mbetet thelbësore.
Shqipëria ka bërë progres të mirë në politikën e jashtme. Por, duhet të marrë masa të menjëhershme për mekanizmin post-viza të monitorimit të liberalizimit, për të adresuar në mënyrë efektive këtë fenomen.

Datat kyçe

1999 – BE-ja propozon procesin e Stabilizim Asocimit për vendet e Europës Juglindore
Qershor 2000 – Këshilli Europian thekson se të gjitha vendet e Stabilizim Asocimit janë kandidate potenciale për anëtarësim në BE
Qershor 2003 – Samiti i Selanikut; perspektiva e BE-së për Ballkanin Perëndimor është konfirmuar
Qershor 2006 – U nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në
Prill 2009 – MSA hyri në fuqi. Shqipëria paraqiti aplikimin e saj për anëtarësim në BE
Nëntor 2010 – Komisioni jep opinionin e tij mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke përfshirë edhe një grup prej 12 prioritetesh kyçe për t’u përmbushur në funksion të hapjes së negociatave për anëtarësim
Dhjetor 2010 – Liberalizohen vizat me zonën Shengen për qytetarët e Shqipërisë
Qershor 2014 – Këshilli i Europës i jep Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi