Nova Demokratia dhe sindromi i mungesës së saj!

Nga Klajdi Logu, publikuar në Mapo, 17 shtator 2016

tonin-gjuraj-768x512

Libri i profesor Gjurajt, është një shumësi përgjigjesh për pikëpyetje, që të gjithë ne kemi mbi realitetin tonë social, politik dhe ekonomik. Për të kuptuar mirë procesin e demokratizimit, autori analizon dinamikat sociale dhe politike, duke i dhënë një vëmendje të madhe politikës së brendshme, kulturës dhe strukturës së sistemit demokratik.

Demokracia në Shqipëri erdhi si një lindje e vështirë, e shumëpritur, nga një popull i përballur me vite izolimi, në një kohë kur bota po ecte me shpejtësinë e globalizmit. Pas kaq shumë vitesh, demokracia mbetet ende një “projekt i papërfunduar”.

Libri “Nova Demokratia” i prof. dr. Tonin Gjurajt trajton rastin e Shqipërisë si një rast “sui generis” në procesin e demokratizimit. Profesor Gjuraj në librin e tij thekson se: ‘Nëse marrim në konsideratë parakushtet për demokracinë në kohën kur vendi u hap drejt perëndimit, mund të thuhet se parakushtet e një vendi normal pothuajse nuk ekzistonin. Shqipëria karakterizohej nga mungesa e përvojës me pluralizmin politik, mungesa e një shtrese të mesme, një vend i pazhvilluar ekonomikisht dhe i izoluar, pa asnjë lloj ndikimi politik, shoqëror e ekonomik nga perëndimi i zhvilluar dhe demokratik; një shoqëri e pamodernizuar, pothuajse pa traditë të shoqërisë civile’.

Libri i profesor Gjurajt, është një shumësi përgjigjesh për pikëpyetje, që të gjithë ne kemi mbi realitetin tonë social, politik dhe ekonomik. Për të kuptuar mirë procesin e demokratizimit, autori analizon dinamikat sociale dhe politike, duke i dhënë një vëmendje të madhe politikës së brendshme, kulturës dhe strukturës së sistemit demokratik. Profesor Gjuraj ka ngritur për diskutim një çështje interesante dhe të munguar në debatin mbi demokratizimin, përshtatjen e kulturës me strukturën e sistemit politik dhe duke iu referuar autorëve Almond dhe Verba mbështet idenë se nëse struktura e sistemit politik dhe kultura përputhen, atëherë sistemi është persistent. Profesor Gjuraj argumenton se shteti shqiptar nuk ka ruajtur autonominë që duhet të ketë nga shoqëria dhe si pasojë strukturat shoqërore në formën e klaneve kanë mbizotëruar.

Sot, pas 24 vitesh, a mund të themi se ka përfunduar tranzicioni?! Profesor Gjuraj në esenë e tij “A ka përfunduar tranzicioni”, duke u bazuar edhe te veprat e studiuesve si Linz & Stepan, Sartori dhe Huntington, argumenton se, për sa kohë demokracia shqiptare nuk është një proces që riprodhohet vazhdimisht dhe vetëpërforcues përtej ndikimit të jashtëm, me qëndrime transparente dhe hartim gjithëpërfshirës të politikave që krijojnë shanse të barabarta, konsolidimi demokratik duket ende larg.

Demokracia nuk kuptohet thjesht vetëm si një akt i shprehjes së vullnetit politik përmes votimit, por më shumë si një proces i vazhdueshëm ku pushteti ka mandat të limituar dhe llogaridhënës. Llogaridhënia në rastin tonë është e minimizuar dhe pjesëmarrja e individit në vendimmarrje është e ulët.

Është vetë evolucioni i shoqërive demokratike që karakterizohet nga reduktimi i pjesëmarrjes politike të qytetarëve që vjen nga rënia e ideologjive mobilizuese, ajo që sjell një krizë legjitimiteti të institucioneve politike. Kjo gjendje sjell një personalizim më të madh të pushtetit. Institucionet politikëbërëse dhe aktorët e saj kanë treguar në të shumtën e rasteve mungesën e dialogut për arritjen e konsensusit, duke lënë pezull shumë reforma jetike për vendin, të cilat janë zhbllokuar përmes influencës së fortë të ndërkombëtarëve.

Një tjetër kusht themelor për demokratizimin, i analizuar nga autori është tolerimi i opozitës – sigurimi i një gare të hapur mbi të drejtën për të fituar kontrollin e qeverisjes, zgjedhje të lira. Analiza historike e realitetit shqiptar dëshmon për një garë, ku elementet demokratike mungojnë, cenohen dhe si përfundim mungon konsensusi për njohjen e rezultateve të zgjedhjeve.

Autori argumenton se problemet e tranzicionit shqiptar nuk kanë të bëjnë me idenë e demokracisë, por me zbatimin e saj dhe në këto kushte tranzicionin demokratik ne nuk mund ta quajmë të përfunduar ose kompletuar. Profesor Gjuraj në vijim bën një analizë konkrete të problemeve që shoqërojnë procesin e demokratizimit të Shqipërisë:

Si problem të parë të demokracisë shqiptare, ai cilëson sjelljen politike, ku grupet politike kanë bërë përpjekje për të përmbysur regjimin demokratik, sjellja e tyre politike nuk ka tiparet dhe kulturën demokratike. Për Robert Dahl (2005), “asnjë sistem i qëndrueshëm në botën reale nuk është tërësisht i demokratizuar”, ndaj ai përdor termin poliarki, i cili përkufizon “regjime relativisht (por jo krejtësisht) të demokratizuara”.

Problemi i dytë që konstatohet ka të bëjë me qëndrimin demokratik, ku shumica e njerëzve janë skeptikë për institucionet demokratike në vend. Evidencat nuk janë të pakta dhe ndër më kryesoret mund të përmendim: Abuzimin me të mirat publike për përfitime individuale, monopoli i partive politike ndaj pozicioneve në administratë, korrupsioni i lartë në institucionet e drejtësisë, rastet e denoncuara të bashkëpunimit të krimit me strukturat e ruajtjes së rendit, papunësia e lartë në radhët e të rinjve, të cilat janë disa nga momentet ku mbështetet skepticizmi lidhur me demokracinë e institucioneve në vend. Fakte të tilla cenojnë demokracinë, por është e vështirë të marrim në konsideratë alternativën ndaj demokracisë, duke qenë se ajo simbolizon shpresën dhe lirinë.

Problemi i tretë që ka demokracia shqiptare sipas Gjurajt ka të bëjë me kushtetutën, e cila ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme disa herë. Kjo manifeston mungesën e stabilitetit të sistemit, prodhon paqartësi në zbatimin e legjislacionit, por një ndër karakteristikat e sistemeve demokratike është ndryshimi, ose më mirë përshtatja ndaj kushteve të reja. Problemi në rastin shqiptar është ndryshimi arbitrar, i njëanshëm i saj, jo në interes të idealit më të madh të demokracisë, sigurimit dhe zgjerimit të lirisë së individit.

Atëherë demokracia dhe liberalizmi nuk shkojnë krah njëra-tjetrës, por bien ndesh. Kemi liri të shumicës dhe mungesë lirie të individit. Parë nga ky këndvështrim (anti)demokratik, kjo lloj demokracie nuk na jep siguri për lirinë e individit, por na tregon për sofistikimin e formave të robërisë dhe iluzionit të lirisë. A po rrezikojmë që nga këto manifestime të elementeve (anti)demokratike, po jetojmë një “diktaturë demokratike” siç e quante Mills?!

Në këtë moment gjen vend thënia e George Bernard Shaw se: “Demokracia është një mekanizëm që siguron se do të qeverisemi jo më mirë sesa e meritojmë”.

Libri “Nova Demokratia” i profesor Gjurajt, një analizë e saktë dhe e plotë shkencore e realitetit të tranzicionit shqiptar, është një bazë shumë e mirë për të inspiruar matje të reja shkencore, analiza mbi temën e procesit të demokratizimit, aq të domosdoshme si një kontribut real në mirëkuptimin dhe mirëfunksionimin e demokracisë së brishtë shqiptare, një terren i hapur i dialogut rreth alternativave të zhvillimit adekuat në kuadër të sofistikimit global. Një model sesi duhet lexuar me maturi dhe inteligjencë progresi dhe zhvillimi ynë i deritanishëm, për të gjetur dhe kompensuar sa mundemi kohën e humbur në kërkimin tonë të gjatë drejt demokracisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi