Kriza e vlerave dhe e ardhmja pa formë

Nga Ilir Yzeiri, botuar në Shqip, 4 prill 2016

ilir-yzeiri-foto-640x427Jo vetëm ne, shqiptarët, por, në përgjithësi Europa është në krizë dhe bota gjithashtu nuk është në gjendjen e saj më të mirë. E pranojnë të gjithë se globalizimi e ka bërë botën më të hapur, por ka krijuar edhe mundësinë që pabarazitë, deformimet dhe diferencat të shfaqen më hapur dhe të bëhen më të ashpra. Ne, shqiptarët, për hir të së vërtetës, jemi kombi që kemi përfituar më shumë se të tjerët në Ballkan nga shembja e diktaturave të Lindjes dhe nga globalizmi. Fitorja më e madhe ishte çlirimi i Kosovës dhe rritja e peshës së shqiptarëve në Ballkan. Po ashtu, transformimet ekonomike në Shqipëri kanë qenë të jashtëzakonshme dhe sot varfëria e tejskashme dhe izolimi absurd kanë mbetur një kujtim i largët. Mirëpo, në këta njëzetegjashtë vjet tranzicion, për fat të keq, shqiptarët nuk arritën të ruajnë apo të kultivojnë në shpirt vlerat, madje përkundrazi po i shkërmoqin ato me shpejtësi marramendëse.

Një ndihmë tragjike në këtë proces po jep media shqiptare, sidomos televizioni, i cili ka zëvendësuar artefaktin e pasqyrimit të jetës shpirtërore dhe është bërë një lloj bible e shqiptarëve apo një llok Kur’ani prej nga vijnë të vërtetat, prej nga zgjidhen dilemat dhe më në fund prej nga vijnë edhe protagonistët e së keqes. Është e vërtetë se media dhe sidomos televizioni apo interneti që është një autostradë e jashtëzakonshme e kalimit të informacionit, e kanë transformuar botën dhe kanë sfiduar dy pengesa të mëdha për njeriun, që ishin koha dhe hapësira. Ky transformim që ka sjellë media është reflektuar sidomos në peshën e madhe që ka fituar liria e informimit dhe e drejta mbi të. Zhvillimi i madh i teknologjive të informimit ka hequr monopolin mbi të vërtetën. Monopolin mbi të nuk e ka askush. Dhe asnjë qeveri, të paktën në vendet demokratike, nuk mund ta fshehë veten dhe lajmin. Madje, në disa raste, është kaluar në ekstremin tjetër dhe media ka marrë më shumë pushtet sesa ata që realisht janë të veshur me pushtet. Sidomos zhvillimi i madh i teknologjive të informacionit ka bërë që ne të gjithë të jetojmë si në një Big Brother gjigant, ku të gjithë shohim dhe të gjitha na shohin. Dhe, siç e preka më lart, ky pushtet i medias në shoqëri të shpartalluara si kjo e jona, rrezikon që ta çorientojë një vend dhe të shkatërrojë sistemin e vlerave. Unë përmenda më lart se në këta njëzetë e ca vjet tranzicion, shqiptarët kanë bërë përparime të paimagjinueshme në lëmin ekonomik, sidomos por edhe në atë social.

Ndërsa çlirimi i Kosovës është rasti i pashembullt në botë. Nëse do të hedhim sytë rreth nesh apo larg nesh, do të shohim se mijëra e mijëra njerëz janë vrarë, Mesdheu është mbushur me kufoma fëmijësh dhe, për fat të keq, bota apo Perëndimi po tregohet e pafuqishme ta ndalë këtë masakër. Ndërsa në rastin e Kosovës, SHBA dhe Europa u mobilizua si kurrë më parë dhe i dhanë jo vetëm dinjitet vëllezërve tanë, por u dhanë edhe vendin e tyre të marrë padrejtësisht pas rënies së Perandorisë Otomane. Mirëpo ne nuk po arrijmë ta përdorim këtë shans të madh historik në dobi tonën, përkundrazi sa u takon vlerave ne po i bjerrim ato përditë dhe po shfaqemi si një komb problematik që në lëmin politik nuk di të bëjë shtet, sepse në të dyja anët e kufirit, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, praktikisht Parlamentet e të dyja vendeve janë të bllokuara dhe të përfshira nga obstruksionizmi. Në të dyja anët e kufirit, sekretari amerikan i Shtetit u kujtoi politikanëve në Kosovë e në Shqipëri që duhet të bashkëpunojnë për hir të së ardhmes së vendeve të tyre. Mirëpo në Kosovë vazhdojnë bombat lotsjellëse në Parlament, në Shqipëri vazhdon çmenduria e opozitës dhe papërgjegjshmëria e qeverisë gjithashtu që të prodhojnë konflikt, korrupsion dhe një klimë asfiksuese për jetën në vend. Ata që ndjekin me kujdes jetën politike në vend por edhe në Europë, kanë vënë re se studiot televizive apo ligjërimi publik në përgjithësi, në raste krizash të tilla si këto që po kalojmë ne, i kthejnë sytë nga modelet historike. Kjo do të thotë se politikanët shqiptarë apo elitat shqiptare në aksionin e tyre duhet të kenë një sistem reference. Vendet e mëdha dhe të begata janë ndërtuar prej ideve të njerëzve të mëdhenj që kanë sakrifikuar për vendin e tyre.

Ne e kemi fshirë historinë tonë nga memoria kolektive dhe meqenëse komunizmi e masakroi memorien kolektive me lartësimin e vlerave abstrakte që ai vetë i përzgjodhi nga e kaluara, krijoi në vend sindromën e antivlerës dhe ndjeshmërinë e përbuzjes për të shkuarën. Nga fjalori ynë i përditshëm, thuajse po mërgohet fjala sakrificë.

Ne nuk promovojmë modelet nga e shkuara apo edhe nga e sotmja që kanë sakrifikuar për këtë vend. Mund të ishte e tepërt që në kufijtë e një analize të tillë të përmendej puna e madhe e atyre që e mbajtën gjallë shpirtin e këtij kombi, duke sakrifikuar nga pasuria e tyre për të botuar libra, për të bërë abetare apo për të hapur shkolla. Ka qenë një kohë në jetën e këtij kombi kur filozofi dhe dijetari më i shquar i Perandorisë Otomane, njohësi i dymbëdhjetë gjuhëve të huaja dhe i kulturave të të gjithë botës, Hasan Tahsini, erdhi në fshatin e tij pasi e përzunë nga Stambolli, sepse si rektori i parë i Universitetit të tij u shfaq më laik dhe më afër shkencës se ç’duhej, u fliste fshatarëve në Ninat për hapësirën e qiellin, për misterin e krijimit. Dhe nuk e kishte për turp, megjithëse kishte tri doktoratura të mbrojtura në Paris. Po ashtu, ka qenë një kohë kur Kristoforidhi shkonte shtëpi më shtëpi në Durrës apo Berat për të shitur librin e tij të Dhiatës. Kristoforidhi ishte një nga gjuhëtarët më të mëdhenj shqiptarë dhe ati i gjuhës moderne shqipe. Nëse trupi i Shqipërisë u bë pre e gjithë batakçinjve shqiptarë që ashtu siç kishin grabitur në hapësirën e gjerë shqiptare, ashtu bënë edhe në Shqipërinë që fitoi Pavarësinë, shpirti i saj, për hir të së vërtetës, u mbajt gjallë nga këta rilindës të mëdhenj apo nga Thimi Mitko, kjo figurë madhështore e kulturës shqiptare që një pjesë të pasurisë së tij e vuri në shërbim të librave për të ndihmuar shpirtin e një kombi që ishte në prag të zhdukjes. Për fat të keq, pas pavarësisë, shqiptarët me shumë vështirësi arritën të krijojnë vlerat dhe t’i çojnë më tej ato. Më së shumti ky vend u bë shesh-beteje për të eliminuar kundërshtarët politikë dhe për të grabitur këtë vend. Atentate, vrasje, gjuhë e ashpër dhe konfliktuale, grabitje të pasurisë publike dhe asnjë institucion të shenjtë besimi. Zogu ndërtoi një Monarki që nuk arriti t’i bindte të gjithë, Enver Hoxha ndërtoi një Republikë me themele gjaku, ndërsa në këta njëzetë e ca vjet tranzicion, askush nuk është në gjendje të thotë nëse po ndërtojmë republikën e lënë përgjysmë apo po vazhdojmë luftërat që nuk i ndërpremë asnjëherë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi