Stop bujkrobërisë së fermerëve!
Nga Selami Xhepa, botuar në Mapo, 9 tetor 2015
Që në fillim do doja të apeloja ndaj qeverisë që të tërhiqet nga vendimi që ka marrë se, duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, fermerët nuk do të lejohet të shesin prodhimin e tyre duke dalë vetë direkt në treg. Sipas këtij vendimi, gjysma e popullsisë së vendit do të ndalohet të jetë pjesë e tregut dhe ata duhet të mbeten të lidhur vetëm me tokën dhe jo me tregun. Fermerët nuk do të kenë të drejtë të shesin vetë prodhimin e tyre por do të duhet të kalojnë në treg nëpërmjet një ndërmjetësi tregtar që do të licencohet nga ministria! Ky është akti më i rëndë që ndërmerr ndonjëherë një qeveri në ndonjë vend demokratik, duke ja kaluar në fakt edhe regjimit të diktaturës komuniste. Edhe në sistemin komunist, kur fshatarëve iu lejohej të kishin një oborr të vogël privat, një herë një javë ata kishin të drejtë të shkonin vetë në treg, dhe duke paguar një tarifë 5 lekë në hyrje të tregut (kundrejt një bilete), atyre iu lejohej të shisnin atë pak tepricë prodhimi direkt, pa qenë nevoja t’ia kalonin ndërmarrjeve shtetërore të grumbullimit.
Por, më në fund qeveria ka vendosur se kjo mënyrë e tregtimit të prodhimit direkt nga fermerët nuk është sipas praktikave të “oksidentit”, prandaj dhe nuk do të tolerohet më. Me sa duket linja e arsyetimit të qeverisë është kjo: “Duke shitur vetë në tregun e qytetit, fermerët krijojnë evazion fiskal shkatërrues për financat e vendit si dhe krijojnë imazh të shëmtuar në qytete duke tregtuar nëpër rrugë”. Zgjidhja? T’iu ndalohet të shesin vetë në tregun e qytetit. Të gjejnë një ndërmjetës tregtar (që do ta licencojë ministria!) dhe t’ia shesin atij prodhimin me çmimin që vendos ky i fundit. Sipas meje, ky është hapi i parë i bujkrobërisë së fermerit në kohët moderne.
A është e ndërgjegjshme qeveria për atë se çfarë ndodh në zinxhirin tregtar të shitjes së prodhimit bujqësor, që nga ferma deri tek konsumatori? A ka ndonjë studim që është kryer se çfarë ndikimi do të ketë kjo masë në rritjen e varfërisë në fshat dhe në veçanti tek shtresat më vulnerabël të fshatit, por edhe në qytet, tek konsumatorët final? Studimet e kryera për ekonomi të ndryshme, edhe pse kanë diferenca midis tyre nga njëri vend në tjetrin në varësi të organizimit të strukturës së tregut dhe të kostove përkatëse, tregojnë se diferencat e çmimit nga prodhimi në fushë deri kur ai përfundon në treg, mund të rritet me 3-5 herë (në tregun vendas) ose disa herë më shumë kur ky produkt shkon për eksport. Nuk është shumë e vështirë të bëhet një investigim në tregun e vendit për ta analizuar këtë proces shpërndarjeje të vlerës në gjithë zinxhirin tregtar, për të kuptuar dhe zbërthyer ndikimin e këtij vendimi që po ndërmerr qeveria. Nëse sot fermeri ka mundësi që të rrisë vlerën e prodhimit të tij duke dalë vetë në treg, me këtë vendim të qeverisë atij do t’i ndalohet kjo e drejtë. Të ardhurat e fermerit, në rastin më të mirë, do të përgjysmohen. Kështu, me këtë vendim kemi rrënuar jetesën e pjesës më të madhe të popullsisë dhe kemi krijuar një biznes fitimprurës për një grusht personash që do t’i futen tregtisë së këtyre produkteve. Çmimet për fermerin do të ulen më tej ndërsa për konsumatorët final qytetar, do të rriten më shumë. Rezultati: përjashto tregtarët që do të licencohen nga ministria, askush tjetër nuk do të jetë i kënaqur!
Të pretendosh se me këto masa do të luftohet informaliteti dhe do përmirësohen financat e vendit, është gjëja më ironike që mund të rrokë mendja njerëzore. Kur trau i doganës dhe thesi i tatimeve janë shqyer nga ujqër të mëdhenj, kur përditë në media gëlojnë histori me afera miliona euroshe nga “peshkaqen” që po gërryejnë jo vetëm financat e vendit, por po minojnë kërcënueshëm besimin e shoqërisë tek demokracia, të kërkosh të mbushësh buxhetin nga të robtuarit e tokës është, siç thotë populli, të nxjerrës dhjamë nga pleshti!
Sa për modernizimin e tregtimit të prodhimit bujqësor dhe eliminimin e “ndotjes vizive” në trotuaret e qyteteve, që qeveria mund të ketë patur si synimin tjetër, duhen gjetur mënyra të tjera rregulluese, dhe jo ndaluese. Ata që kalojnë gjithë ditën në kushte atmosferike dhe mjedisore të papërshtatshme kanë nevojë të ndihmohen që t’ju japim kushte më të mira, por jo të shkojmë drejt ndalimit. Kushdo që udhëton me makinë nëpër rrugët e Maqedonisë apo Greqisë, sheh anë rrugës fermerë që nxjerrin direkt nga parcelat prodhimet e tyre dhe mund t’i shesin lirisht, vetë, pa qenë nevoja të thërrasin një tregtar të kryej këtë punë për ta. Dhe nuk besoj se ata kanë marrë licenca nga ministria për të shitur prodhimet e tyre.
Fshati ka nevojë të modernizohet dhe fermat bujqësore duhet të asistohen që të modernizojnë prodhimin dhe tregtimin e produkteve të tyre. Por druaj se rruga që po zgjedh qeveria me këto masa vetëm se do ta rëndojë gjendjen tashmë pothuaj të mjeruar të fshatit dhe fermerëve. Prandaj, them se është e nevojshme që qeveria të rikonsiderojë edhe një herë masat që po ndërmerr. Të mos vazhdojë me metodën e aksioneve siç është bërë një praktikë e zakonshme tashmë në shumë fusha. Le të fillojë një proces dialogu dhe edukimi me fermerët për të gjetur mënyra më të pranueshme dhe që nuk cenojnë jetesën pothuaj mjerane të kësaj pjesë të popullsisë.
Liria për të hyrë në transaksione shkëmbimi, është një e drejtë themelore, bazike në një shoqëri demokratike. Shteti mund të vendos rregulla për të organizuar tregjet, si instrumente ndihmuese dhe lehtësuese për pjesëmarrësit e tregut, mund të vendos një tarifë nëse e ofron këtë shërbim në territorin e zotëruar prej saj dhe të investuar prej saj, mund të vendos edhe masa të tjera që lidhen me standardet e tregtimit për hir të shëndetit të konsumatorit, por nuk mund të ndaloj askënd të bëjë çfarë të dojë me prodhimin e tij. Shteti nuk mund të limitojë askënd në lirinë e tij të shkëmbimit.
*Fondacioni për Lirinë Ekonomike