Adrian Civici: Hayek, Tronditja ime intelektuale
Friedrich Hayek. Liberalizmi përballë etatizmit” është libri më i ri nga Presidentit të UET-it, Prof.Dr. Adrian Civici. Libri botohet nga UET-Press si pjesë e kolanës “Acta libertas”, i mbështetur nga Fondacioni për Liri Ekonomike
Shekulli XX është cilësuar si shekulli i tij, ai vetë ka marrë epitetin “Papa i Liberalizmit”, themeluesi i shoqërisë “Mont Pelerin”, jetoi aq sa të shihte idetë e tij të vlerësuara duke marrë Nobel në Ekonomi, por mbetet ende i panjohur për një pjesë të botës, ende i sulmuar apo i keqkuptuar. Në Shqipërinë paskomuniste që vazhdopn të ketë probleme të mëdha në ekonomi është pothuajse i panjohur, por profesori i historisë së mendimit ekonomik dhe politikave ekonomike, Prof.Dr. Adrian Civici ka vendosur ta sjellë Friedrich Hayek me gjithë shkëlqimin e tij, me gjithë tezat e tij bazë, jo vetëm për studentët, por për admirues të liberalizmit dhe çdo shtetar që zbaton politikat ekonomike. Civici, një ekonomist “besnik” i teorive Keynes-iane pranoi se teoritë dhe vepra e filozofit liberal e kishin tronditur dhe bërë për vete.
“Friedrich Hayek. Liberalizmi përballë etatizmit” është libri më i ri shkruar nga Presidenti i UET-it, Prof.Dr. Adrian Civici, libër që vetë autori e quan “një udhëtim në veprën, idetë dhe konkluzionet e Hayek”. Libri botohet nga UET-Press si pjesë e kolanës “Acta libertas”, i mbështetur nga Fondacioni për Liri Ekonomike dhe u promovua dje në Universitetin Europian të Tiranës.
Botuesi dhe themeluesi i Fondacionit për Liri Ekonomike, Henri Çili, bëri shaka duke folur për “të shkuarën” kenesiane të Civicit dhe se si ai e kishte bindur atë që të përqafonte liberalizmin, por vetë Civici pranoi se ishte “dashuruar intelektualisht” me Hayek-un pasi e kishte njohur dhe studiuar atë për shumë vite me radhë.
“Profesor Civici, ka qenë kryesisht një ekonomist Kejnesian dhe ndoshta mbetet ne thelbin e tij edhe pse Civici insiston fort kundër ideologjizimit dhe që ka një linjë ose ka një rrugë teknike të specialistit dhe të ekonomistit në shoqëri. Unë jam më shumë ideologjik dhe insistoj që ka një kënd nga i cili ekonomisti e sheh botën”, tha ndwr tw tjera Çili.
Civici pranoi njohjen e vonshme të tij me Hayek-un dhe sigurisht dhe tronditjen që i shkaktuan idetë e tij deri në momentin që mori të shkruaj një libër mbi të dhe veprën e tij. Duke folur para të pranishmëve, profesor Civici tha se “hayek-u besonte se një ekonomist nuk është kurrë ekonomist nëse është thjesht dhe vetëm një ekonomist, ndaj dhe në këtë prizëm vetë Hayek nuk ishte një ekonomist, ishte një filozof i ekonomisë politike”.
Më tej pranoi se Hayek ia kishte tundur përkatësinë kenesiane në ekonomi. “Njeriu ka shumë dashuri në jetë, por për mua dashuria intelektuale ka qenë Hayek”, tha ai duke shtuar se “duhet pranuar pa hezitim, se Hayek dhe librat apo artikujt e tij e kanë pa limit shkëlqimin dhe magnetin që të të bëjnë për vete dhe të përfshijnë pa rezerva në universin e tyre.