Për zhvillimet mbi rrjedhën e Vjosës
Nga Ksenofon Krisafi, botuar në Ballkanweb, 24 shkurt 2015
Njoftimet mediatike të ditëve të fundit për zhvillimet në basenin e Vjosës janë veçanërisht shqetësuese, sepse bëhet fjalë për një sipërmarrje që do të shoqërohet me pasoja serioze për të gjithë Shqipërinë Jugore dhe një pjesë të Shqipërisë së Mesme, jo vetëm për sot, por edhe për brezat e ardhshëm. Çështja e lumit Vjosa dhe e ujërave të tjera të përbashkëta që rrjedhin nga Greqia dhe hyjnë apo ndikojnë në territorin shqiptar, është e hershme dhe e trajtuar zyrtarisht nga autoritetet e të dyja vendeve. Në vitin 1978 pala greke njoftoi palën shqiptare se kishte ndërmend të devijonte përgjithmonë 12 % të ujërave të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosa për ndërtimin e një vepre hidroenergjetike, hidrocentralit të Pigait, afër Metsovos. Vite më pas midis të dyja palëve nisën negociatat.
Raundi i parë u zhvillua në Tiranë, në prill të vitit 1984. Rezultoi se në të vërtetë pala greke do të merrte 13% të prurjeve mesatare vjetore të Vjosës, që ishte e barabartë me 7 metër kub ujë në sekondë dhe rreth 50% të prurjeve mesatare vjetore në stinën e verës. Duke iu shmangur diskutimit në themel të çështjes, ajo pretendoi se takimi duhet t’i kushtohej vetëm shkëmbimit të mendimeve për problemet e ekonomisë ujore, sepse shumë shpejt do të nënshkruhej marrëveshja për përdorimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave të përbashkëta. Takimi i Tiranës përfundoi me krijimin e një organi që u quajt “Komisioni i Përbashkët Shqiptaro-Grek për Ujërat e Lumenjve Kufitarë”, i cili rezultoi një krijesë formale, që nuk pati jetë. Pala shqiptare përgatiti dhe i paraqiti në prill 1985 projektet e marrëveshjes dhe të statutit të Komisionit të përbashkët të Ekonomisë ujore, duke pasur parasysh normat dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare për ujërat kufitare si dhe përcaktimet e marrëveshjeve që Greqia kishte përfunduar me vendet e tjera fqinje për çështje të kësaj natyre. Pala greke iu shmang për vite të tëra diskutimit nën pretekstin se autoritetet e saj kompetente “nuk kishin përfunduar ende studimin e tyre”! U kuptua se spostimi i diskutimeve në çështje dytësore synonte shmangien e angazhimeve nëpërmjet marrëveshjes dhe vazhdimin e punimeve në Hc e Pigait, për vënien e palës shqiptare para faktit të kryer.
Në 1988, pala greke paraqiti një raport teknik për planet perspektive të punimeve hidroteknike dhe programet e shfrytëzimit të ujërave të lumit Vjosa dhe degëve të tij në rrjedhën e sipërme dhe në pellgun ujëmbledhës, në territorin grek, për ujë të pijshëm, ujitje, përdorim industrial dhe shfrytëzim energjetik. Rezultoi se pas mbarimit të hidrocentralit të Pigait, grekët parashikonin fillimin e punimeve të fazës së dytë, gjatë të cilave do të devijoheshin përgjithmonë edhe 77% deri në 80% e ujërave të Vjosës ose mbi 43 metër kub ujë në sekondë. Kjo përfshinte ndërtimin e veprave hidroteknike në tri degët kryesore të Vjosës, para kufirit me Shqipërinë. Nëpërmjet një tuneli rreth 20 km ato bashkohen dhe devijohen në pellgun e lumit Kalamas, jashtë pellgut të Vjosës, ku ishin projektuar të ndërtoheshin katër hidrocentrale të tjerë. Sipas një informacioni të Ministrisë së Punëve Publike e Shqipërisë të marsit 2001, del se përveç hidrocentralit të Pigait dhe hidrocentraleve në lumin Kalamas, janë parashikuar të ndërtohen gjithashtu edhe gjashtë hidrocentrale të tjera, respektivisht në Pirsogiani, Epitachori, Agios Varvara, Armata, Voyoussa, Efeftheros.
Nga zbatimi i këtij projekti, sipas mendimit të specialistëve shqiptarë të kësaj fushe, shkaktohen probleme dhe dëme të pallogaritshme për territoret shqiptare në aspektet ekonomike, sociale, demografike, mjedisore etj. Delegacioni shqiptar e konsideroi alarmant njoftimin e mësipërm dhe i vuri në dukje delegacionit grek se jo vetëm për projektet për devijimet e parashikuara, por edhe për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Pigait – “Pieos Aos”, kërkohej detyrimisht shqyrtimi dhe trajtimi i tyre, nëpërmjet një marrëveshjeje të përbashkët. Kërkesave për sqarime rreth punimeve për devijimin e ujërave të Vjosës, pala greke iu përgjigjej se “nuk ka asnjë projekt të palës greke për devijimin e rrjedhës së lumit Vjosa”. Delegacioni shqiptar dorëzoi projektin e vet teknik, në qendër të të cilit ishte ndërtimi i një hidrocentrali në Badëlonjë të Përmetit, që do të kërkonte krijimin e një rezervuari ujëmbledhës me shtrirje dhe përmbytje në territorin grek, çka nuk u pranua nga pala greke.
Dështoi edhe përpjekja e janarit 1989, për përfundimin e marrëveshjes, sepse pala greke synonte ta zhvleftësonte dhe reduktonte marrëveshjen në një akt formal e skeletik pa ndonjë vlerë. Ajo kundërshtoi nenin 1 të projektit shqiptar, ku thuhej se palët marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të zgjidhin me marrëveshje të gjitha çështjet e ekonomisë ujore, që është parim bazë i të drejtës ndërkombëtare të shfrytëzimit të ujërave kufitarë, të cilin vetë Greqia e ka fiksuar në të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me fqinjët e tjerë. Ndërkohë që zvarriteshin pa shkak mbledhjet e Komisionit ose devijohej sistematikisht objekti i bisedimeve ne çështje periferike, në territorin grek vazhdonin intensivisht punimet për hidrocentralin e Pigait, i cili përfundoi dhe u vu në shfrytëzim në fundin e vitit 1991, për çka pala greke njoftoi zyrtarisht në takimin e Gjirokastrës, në janarin e vitit 1992, duke përgënjeshtruar zyrtarisht vetveten.
Delegacioni grek, në shkelje të nenit 7 pika b të Rregullores së Komisionit të Përbashkët, refuzoi diskutimet për hidrocentralin e Pigait, që çoi në ndërprerjen e bisedimeve. Prej asaj kohe (1992), që përkoi me rënien e sistemit komunist në Shqipëri, kur në administratën shtetërore shqiptare u krijua një vakuum relativ institucional dhe legjislativ, nuk pati më bisedime dhe Komisioni nuk funksionoi për shumë vjet, ndonëse sipas Rregullores, duhej të mblidhej çdo vit. Çështja u ringrit në tetorin e vitit 1999, gjatë punimeve të Sesionit të 7 të Komisionit të Përbashkët shqiptaro-grek për bashkëpunimin ekonomik, industrial dhe tekniko-shkencor, por pala greke, që e kishte zvarritur çështjen për 15 vjet, gjeti që ta rifillonte gjithçka nga e para. Katër vjet më vonë, më 3 prill 2003, u nënshkrua Marrëveshja për krijimin e Komisionit të Përhershëm Shqiptaro-Grek mbi çështjet e ujërave të ëmbla ndërkufitare, (që ishte krijuar njëherë gati 20 vjet më parë) e cila do të hynte në fuqi, pas dy vjetësh, më 23 nëntor 2005. I njëjti skenar u përsërit me Protokollin e Komisionit Kryesor të Përbashkët Shqiptaro-Grek për çështje kufitare, nënshkruar më 3 nëntor 2005 dhe me të ashtuquajturën Rregullore të Komisionit të Përhershëm për ujërat e ëmbla, që do të duhet të nënshkruhej sërish më 10 prill 2008. I ashtuquajturi Komision i Përbashkët pas shumë përpjekjesh u mblodh në 2008, në dy mbledhje formale, pa asnjë rezultat konkret.
Kjo është kronologjia e trajtimit të kësaj çështjeje, e cila pasi zvarritet dekada të tëra ndërpritet në dhjetorin e vitit 2008, shtatë vjet më parë pa ndërmarrë asnjë nismë, së paku nga pala shqiptare, e cila është realisht e interesuar për çështjen.
Nuk është shumë e vështirë që, duke pasur parasysh shpërfilljen mbi 30-vjeçare të propozimit dhe kërkesës shqiptare, për të rregulluar juridikisht dhe institucionalisht përdorimin e ujërave të përbashkëta të lumit Vjosa, pa harruar ndërkohë veprimtarinë e ndërtimit të hidrocentralit të Pigait dhe hamendësimet për nisjen e fazës së dytë për devijimin e një pjese tjetër prej 77% deri në 80% të ujërave të saj, të kuptohet qëllimi i palës greke. Ajo bëhet edhe më evidente nëse kjo zvarritje tej mase e pajustifikuar për trajtimin dhe zgjidhjen e një çështjeje që cenon dhe dëmton rëndë interesat e Shqipërisë, krahasohet me përgatitjen brenda rreth një viti, nëpërmjet dy apo tre takimeve farsë, të të ashtuquajturës marrëveshje për caktimin e kufirit detar shqiptaro-grek, në prillin e vitit 2009, që kërkonte të sanksiononte grabitjen e disa qindra km katrorë territor shqiptar.
Praktika e ndjekur nga pala greke për këtë çështje vihet në pikëpyetje edhe nëse mbahet parasysh se ndërsa për përfundimin e një marrëveshjeje me Shqipërinë nuk kanë mjaftuar 31 vjet, me ish-Jugosllavinë dhe me Bullgarinë Athina ka vepruar në afate më se optimale. Me ish-Jugosllavinë, brenda 13 vjetëve (1959-1972), ka përfunduar 3 marrëveshje për çështjet e ujërave të përbashkëta, respektivisht më 18 qershor 1959, 2 qershor 1970 dhe 24 mars 1972, me Bullgarinë, brenda 7 vjetëve ka nënshkruar dy të tilla, përkatësisht më 9 korrik 1964 dhe 12 korrik 1971. Në marrëveshjet e Greqisë me ish-Jugosllavinë, Bullgarinë dhe Turqinë, figuron detyrimi i secilës palë për t’u marrë vesh me tjetrën për çdo ndërhyrje në ujërat e lumenjve apo liqeneve të përbashkët, detyrim i cili nuk pranohet prej saj në rastin e marrëveshjes me Shqipërinë, meqenëse neni 1 i projektit shqiptar, që fiksonte këtë parim, “cenonte parimin e sovranitetit shtetëror, sepse i hiqte të drejtën shtetit që të bënte ç’të donte me ujërat që rrjedhin në territorin e tij”!
Qëndrimi i autoriteteve greke ndaj çështjes së ujërave të përbashkëta me Shqipërinë ka tërhequr edhe vëmendjen e opinionit grek. Gazeta greke “Eksusia”, e datës 9 shkurt 2001, njoftonte se projekti për devijimin e ujërave të lumit Vjosa ishte diskutuar edhe në Komisionin parlamentar grek për Vlerësimin e Teknologjisë, në shkurtin e vitit 2001, ku ishte zhvilluar një debat ndërmjet dy deputetëve të PASOK-ut dhe zëvendësministrit të Veprave Publike dhe Ruajtjes së Mjedisit. Gjatë vitit 2012 dy eurodeputetë grekë kanë informuar në Bruksel për projektin e qeverisë së tyre, të cilësuar të paarsyeshëm dhe destruktiv. Megjithatë, në 8 korrik 2013, Ministria e Transportit dhe Ministria e Mjedisit në Greqi, si dhe 7 ministri dhe institucione të tjera dhe në datën 4 shtator 2013 Këshilli Kombëtar grek për menaxhimin e lumenjve, miratuan projektin e devijimit të lumenjve në veri të Greqisë, përfshirë edhe lumin Vjosë, për ndërtim hidrocentralesh dhe për pastrimin dhe pasurimin e liqenit të Janinës. Për të kundërshtuar këtë vendim disa organizata joqeveritare greke i janë drejtuar Këshillit të Lartë të Shtetit, i njohur si Gjykata Supreme Administrative e Greqisë, duke vënë në dukje se ai ka shkelur normat ndërkombëtare, sepse Vjosa përshkon territoret kombëtare të dy shteteve. Shteti shqiptar nuk është pyetur me argumentimin se nuk janë zgjedhur përfaqësuesit e institucionit të Këshillit Kombëtar të Menaxhimit të Ujërave dhe pushteti lokal nuk funksionon. Në kërkesën drejtuar, thuhet se devijimi i lumit, krijon edhe probleme të mëdha natyrore, me florën dhe faunën e zonave ku kalon. Reagime të ambientalistëve dhe të shoqatës për mbrojtjen e Vjosës, ka pasur edhe në Shqipëri. Ato i kanë kërkuar qeverisë shqiptare ta ndjekë me vëmendje dhe seriozitet çështjen dhe të mos e lejojë Greqinë që të dëmtojë interesat shqiptare.
Mësohet se çështja është shtruar edhe nga ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati në dy raundet e bisedimeve të zhvilluara me kreun e diplomacisë greke. Kjo duket se çoi në riaktivizimin e Komisionit të përbashkët për Ujërat, i cili u mblodh në janar 2015, ku palës greke iu përmend detyrimi për zbatimin e akteve bilaterale. Nëpërmjet një note zyrtare asaj iu kërkua informacion konkret. Shpresohet të ketë një përgjigje më të plotë nga ana e palës greke këto ditë gjatë vizitës së zëvendësministrit të Jashtëm grek në Tiranë. Përsa i përket mbledhjes së lartpërmendur të Komisionit të Përbashkët shqiptaro-grek për ujërat kufitare, përsa kohë që bëhet fjalë për një çështje me sensibilitet të veçantë, do të ishte e domosdoshme që të shpërndahej një lajm informativ i shkurtër për disa nga çështjet më kryesore të diskutuara. Kjo kërkesë e rëndësishme në zbatim të parimit kushtetues të transparencës do të shërbente për të vënë në dijeni opinionin e gjerë shqiptar, i cili u traumatizua nga negociatat sekrete për detin, të zhvilluara 6 vjet më parë.
Në këtë histori shkakton brengë shpërfillja nga ana e autoriteteve greke, jo vetëm e interesave kombëtare të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, një vendi fqinj, me të cilin pretendojnë të kenë marrëdhënie miqësore, por edhe e normave themelore të parashikuara nga akte të shumta ndërkombëtare dypalëshe e shumëpalëshe që rregullojnë përdorimin e ujërave ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare nuk lejon që një shtet t’i shfrytëzojë ujërat e lumit duke iu shkaktuar dëme shteteve të tjera. Çdo shtet i epërm duhet t’i respektojë të drejtat e njëjta të shteteve të tjera të interesuara për atë lumë. Kjo del edhe nga një vendim i Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare, i 10 shtatorit 1929, për çështjen Juridiction of the International Commission of the River Oder. Gjykata u shpreh për konceptin, mbi të cilin është bazuar e drejta ndërkombëtare për lumenjtë, mbështetur në disa konventa ndërkombëtare që nga akti final i Kongresit të Vjenës, më 1815. Ai kishte si premisë bazë “bashkësinë e interesave të shteteve breglumore”, e cila në një lumë të lundrueshëm “bëhet baza e një të drejtë të përbashkët, tiparet thelbësore të së cilës janë barazia e plotë e të gjitha shteteve breglumore në përdorimin e krejt rrjedhës së lumit dhe përjashtimi i çdo privilegji preferencial për ndonjë shtet breglumor në lidhje me të tjerët”. Ky parim u riafirmua edhe nga Konventa Për vlerësimin e ndikimit mjedisor në kontekstin ndërkufitar, miratuar në Espoo (Finlande), më 25 shkurt 1991 (ESPOO 1991), në të cilën janë palë Shqipëria prej 4 tetorit 1991 dhe Greqia prej 24 shkurtit 1998, nga Konventa e Helsinkit, e 17 marsit 1992 Për mbrojtjen dhe përdorimin e rrjedhave ujore ndërkufitarë dhe të liqeneve ndërkombëtare, që ka hyrë në fuqi më 6 tetor 1996, në të cilën janë palë si Shqipëria (05.01.1994) ashtu edhe Greqia (06.09.1996), nga Konventa Për të Drejtën e Përdorimeve Jolundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 21 maj 1997, ku Greqia ka aderuar më 2 dhjetor 2010, nga Direktiva 2000/60/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e datës 23 Tetor 2000 dhe akte të tjera.
Në këto akte sanksionohet parimi i rëndësishëm se në ujërat e përbashkëta, asnjë nga shtetet që laget prej tyre nuk duhet të ndërmarrë punime apo veprime që cenojnë sasinë dhe cilësinë e ujërave, pa u marrë vesh me shtetin apo shtetet e tjerë, që ndodhen në rrjedhat e sipërme apo të poshtme të tyre. Pra, shteti grek, sikurse edhe shteti shqiptar nuk duhet të nisin asnjë veprimtari në shtretërit e lumenjve të përbashkët, përfshirë në radhë të parë Vjosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin. Zgjidhja e kësaj çështjeje ka edhe një precedent gjyqësor mjaft të përmendur në literaturën juridiko-ndërkombëtare, që njihet me emërtimin çështja e liqenit Lanu (Laoux) dhe që është trajtuar me qytetari dhe kulturë moderne nga dy shtete europiane, Franca dhe Spanja, nëpërmjet arbitrazhit ndërkombëtar. Lanu ndodhet në pjesën franceze të Pyreneve, pranë kufirit me Spanjën. Ushqehet nga një numër përrenjsh që burojnë nga territori francez. Ujërat e tij derdhen në lumin Carol, që buron në Francë dhe futet në Spanjë, për t’u bashkuar me lumin Rio Segre dhe më tej me lumin Ebro. Statusi i tij është rregulluar nëpërmjet tri traktateve të nënshkruar në Bayonne në vitet 1856, 1862 dhe 1866. Konflikti ndërmjet dy shteteve lindi për shkak se Franca dëshironte t’i përdorte ujërat e liqenit për prodhimin e energjisë elektrike. Projekti francez, sipas palës spanjolle, do të ndikonte në furnizimin e Carolit. Rrjedhimisht do të cenonte interesat e saj, duke e privuar nga e drejta e përdorimit të ujërave. Franca premtoi se ujin e devijuar të liqenit Lanu do ta rikthente sërish te lumi Carol, por Spanja i kërkoi që çështja të shqyrtohej nga një Gjykatë Arbitrazhi, kërkesë që u pranua. Në vendimin e 16 nëntorit 1957 arbitrazhi i hodhi poshtë argumentet e Spanjës, sepse plani i paraqitur nga Franca nuk e prekte volumin e ujërave që hynin në Spanjë nëpërmjet lumit Carol. Reports of International Arbitral Aëards, – Recueil des Sentences Arbitral, – Affaire du lac Lanoux (Espagne, France), 16 November 1957, VOLUME XII pp. 281-317 Nations Unies – United Nations, Copyright (c) 2006.
Përsa i përket zgjidhjes së çështjes tepër komplekse dhe delikate për të cilën po flasim në këtë shkrim, ndryshe nga sa thuhet në njoftimet e mediave, autoritetet shqiptare, nuk kanë arsye të presin sa të publikohet vendimi i Këshillit të Lartë të Shtetit grek për çështjen objekt shqyrtimi, por duhet të ndërhyjnë menjëherë. Lajmet e shpërndara janë të mjaftueshme për t’i vënë ato në lëvizje që të kërkojnë shpjegime të hollësishme se ç’po ndodh me një pasuri vitale që është e të dy vendeve dhe se cila është alternativa e zgjidhjes së saj nga ana e palës greke, duke iu referuar akteve përkatëse juridiko-ndërkombëtare. Nuk përjashtohet që skenari që po zhvillohet në Athinë lidhur me këtë çështje, të jetë edhe një simetri e sajuar për të dalë te një qëndrim i stisur, i ngjashëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, të janarit 2010, që hodhi poshtë si të paqenë marrëveshjen shqiptaro-greke për kufijtë detarë, të vitit 2009. Mbi këtë bazë mund të avancohet ideja e një kompromisi, “na jepni detin, t’ju japim Vjosën”. Mirëpo midis dy rasteve nuk ka asnjë pikë takimi dhe rrjedhimisht njëra nuk mund të shërbejë si precedent për zgjidhjen e tjetrës. Së pari, sepse ne e kemi Vjosën dhe nuk ka pse ta kërkojmë dhe të na e japin, sikurse e kemi edhe detin tonë brenda kufijve të përcaktuara nga aktet juridiko-ndërkombëtare gati 100 vjet më parë. Së dyti, zgjidhja e çështjes së Vjosës lidhet ngushtë me zbatimin e akteve autoritare juridiko-ndërkombëtare multilaterale dhe bilaterale shqiptaro-greke.
Zgjidhja e çështjes së Vjosës, le të shpresojmë që nuk do të shndërrohet në çështje, bëhet shumë e thjeshtë në se mbështetet mbi normat e së drejtës ndërkombëtare të përmendura më sipër dhe në se merr në konsideratë faktin që edhe përkëtej kufirit shqiptaro-grek, në tokat ku rrjedh uji i Vjosës jetojnë e punojnë njerëz, që meritojnë të vlerësohen dhe të respektohen jo më pak se ata që të ndodhen në rrjedhën e sipërme të saj. Vjosa rrjedh në trojet e grekëve dhe të shqiptarëve prej mijëra vjetësh dhe ka shërbyer për t’i bashkuar dhe jo për t’i ndarë. Politika e ditëve tona, në të dyja anët e kufirit, duhet të shohë përpara, të tregohet vizionare dhe e matur, të mos ecë as kundër rrjedhës së Vjosës dhe as kundër ndjenjave miqësore që shqiptarët ushqejnë për grekët dhe anasjelltas. Ajo duhet të lejë pas njëherë e përgjithmonë dhe të shkëputet nga reminishencat e politikave të dështuara dhe të mbajë parasysh se shqiptarët dhe grekët jetojnë në Europën e integruar, në Europën moderne, në Europën e të ardhmes së popujve.
*Autori është specialist i së drejtës ndërkombëtare, ka qenë anëtar i delegacioneve shqiptare në negociatat me palën greke për çështjen e ujërave të Vjosës (1984-1991) dhe është dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës.