5. Populizmi përmes demokracisë së publikut dhe personalizimit të pushtetit

Intervistën e plotë mund ta lexoni në:  Fillimi   1   2   3   4   5   6

HL: Bernard, duke u përgjigjur në pyetjen e Nadias, mund të kujtoni kalimthi figurën e Segolene Royal dhe populizmin e saj të supozuar (referencat e saj për juritë e qytetarëve dhe masa të tjera “pjesëmarrje”)?

Bernard Manin: Së pari, një sqarim,. Unë nuk mbroj idenë se partitë politike janë të vjetëruara, as se ato janë në procesin e ribërjes. Formulimi im origjinal ndoshta nuk ishte i saktë. Në çdo rast, ideja nuk ishte ajo. Ideja ka qënë se në fazën e demokracisë së publikut detyrimet e besnikërisë të qëndrueshme dhe të ndershmërisë partizane janë në rënie. Ato nuk janë zhdukur, sigurisht, por ata janë duke u gërryer. Një numër në rritje i votuesve nuk votojnë më për partitë mbi bazën e besnikërisë, ata nuk janë më të pandjeshëm ndaj konjukturave, dhe tek ta po çrrënjosen diferencimet e paracaktuara klasore ose fetare. Tashmë, këta votues më pak besnikë, megjithatë rrallë votojnë për partinë kundërshtare, ndonjëherë për një parti aleate, dhe zakonisht luhaten në mes të abstenimit dhe votimit. Kjo nuk do të thotë se partitë e humbin rëndësinë e tyre. Partitë janë ende thelbësore në dy fusha. Së pari, votimi në parlament është gjithmonë i kontrolluar nga grupet partiake. Nga ana tjetër, partitë vazhdojnë të dominojnë arenën elektorale. Ato po përshtaten, pa dyshim, ndaj personalizimit të preferencave elektorale (një tjetër tipar i demokracisë së publikut). Kjo përshtatje i ka lejuar ato të ruajnë përsëri një vend qendror. Janë ato që financojnë, përgatisin dhe organizojnë fushatat zgjedhore.

Ju përmendët Segolene Royal. Ajo pikërisht ilustron rolin vendimtar të partive në garat zgjedhore në të njëjtën kohë me përshtatjen e tyre ndaj personalizimit të pushtetit. Personaliteti i saj ka qenë në ballë të fushatës. Por ajo e vendosi kandidaturën e saj jo sepse ishte e famshme në spektakël, kulturë apo në sport. Ajo kandidoi sepse ajo u caktua nga Partia Socialiste sipas një procedure zgjedhore të drejtuar nga ajo vet. Nuk ka dyshim se ajo nuk ishte një nga drejtuesit kryesorë të partisë, por e gjithë karriera e saj për më shumë se njëzet vjet, është bërë në parti dhe nga partia. Ka arsye të forta për të menduar se duke zgjedhur një grua, që nuk i përket rrethit të zakonshëm të liderëve, socialistët bënë një zgjedhje të qëllimshme për të shprehur dëshirën e rinovimit. Partitë politike sigurisht nuk janë në rrugën e zhdukjes. Në të gjitha demokracitë, ato i janë përshtatur njëherësh si erozionit të besnikërisë partiake ashtu dhe personalizimit të pushtetit.

Nadia Urbinati: Ky është një ndryshim i rëndësishëm që jeni duke bërë, Bernard. Sepse në librin tuaj, ju prezantonit demokracinë e partisë si një moment të caktuar historik, momentin e partisë së masave. Ju gjithashtu e paraqesnit demokracinë e publikut si të ardhmen e qeverisjes përfaqësuese. Ju madje shkronit se kur të jenë “të pavarur nga prirjet partiake individuale “, qytetarët do të ishin më të pavarur në gjykimin e tyre, sepse, çfarëdo që të ishin pikëpamjet e tyre partiake, ata “do të merrnin të njëjtin informacion mbi një temë të caktuar si qytetarët e tjerë”. Unë nuk pajtohem fare me këtë vlerësim të demokracisë së publikut. Unë mendoj se kjo është një formë e populizmit që jo vetëm nuk e bën gjykimin e qytetarëve më të pavarur, por e bën qeverisjen më pak të hapur ndaj kontrollit dhe pjesëmarrjes së tyre. Unë pajtohem me diagnozën tuaj të krizës të besnikërive të forta partiake. Por janë orjentimet partiake që kanë ndryshuar jo karakteri ideologjik i aleancave dhe i politikës. “Demokracia e Publikut” shënon jo fundin, por transformimin e partive, prej rolit të tyre të instrumenteve publike të pjesëmarrjes në atë të agjentëve menaxhus privatë të drejtimit dhe formimit të opinionit. Në Itali, vend që populizmi televiziv i ka bërë një sfidë të fuqishme sistemit partiak tradicional, Silvio Berlusconi ishte i aftë të fitojë një shumicë të qëndrueshme vetëm nga momenti kur ai krijoi partinë e tij, mori një identitet të fortë ideologjik, duke u dhënë votuesve të tij siguri se ata i përkisnin një partie, jo vetëm një publiciteti televiziv.

Në sipërfaqe, “demokracia e publikut” duket të materializoj një sistem fluid të përfaqësimit, të hapur, të papërcaktuar, dhe menaxhuar nga kandidatët individualë më shumë se nga strukturat partiake. Një analizë më e thellë, megjithatë, zbulon se ky sistem nuk është më pak hierarkik, i ngurtë, dhe i homologuar se paraardhësi i tij, me diferencën e madhe (dhe negative) që, për momentin, agjenti unifikues është, në mënyrë të drejtpërdrejtë, personi i liderit dhe, tërthorazi, fuqia sublime e mediave. Unë do të doja të theksoj përsëri faktin se pa partitë unë nuk mund të imagjinoj asnjë formë të demokracisë përfaqësuese. Siç e thashë, kjo do të ishte një formë e cesarismit ose populizmit; por nuk mund të quhet demokraci përfaqësuese. Në këtë pikpamje rasti i Italisë është i rëndësishëm. Musolini ishte një shkelje e qartë e demokracisë përfaqësuese. Berluskoni sot është një tjetër.

Bernard Manin: Unë pajtohem plotësisht me Nadian për të pohuar se ka një shkelje të përfaqësimit kur një udhëheqës synon të mishëroj i vetëm të gjithë komunitetin, e përtej tij diferencimet dhe ndarjet e tij, në vend që të paraqes një vizion të veçantë të komunitetit dhe të mirës së përbashkët. Caesarismi sigurisht shkel një normë themelore të qeverisjes përfaqësuese, veçanërisht në qoftë se kandidati për postin ja del efektivisht të skualifikojë kundërshtarët e tij të mundshëm duke u mohuar atyre pjesmarjen në garë. Por nuk është kjo ajo që ndodh në demokracitë e qëndrueshme. Personalizimi i fushatave zgjedhore nuk do të thotë heqja e dallimeve mes opsioneve të ofruara. Çdo orjentim i propozuar merr përkohësisht një formë të personalizuar, secila parti identifikohet me shefin e saj të momentit, por rezultati është që shumë shefa ballafaqohen, në fakt, në konkurrim.

Nadia Urbinati: Një teoricien konservator si Guizot meriton të citohet këtu. Sipas tij, qeverisja përfaqësuese do të thotë një shoqëri në të cilat interesat pluraliste të shoqërisë civile nuk hyjnë drejtpërdrejt në politikë por veprojnë në një mënyrë të ndërmjetësuar. Italia është një shembull elokuent i vendit në të cilin ky ndërmjetësim po bëhet gjithmon e më pak dhe herë pas here zhduket thuajse tërësisht. Kreu i një korporate të fuqishme private (dhe i angazhuar plotësisht në biznesin e mediave) hyn në arenën politike dhe gjithçka e bën ai vetë, drejtpërdrejt. Kjo është një shkelje e përfaqësimit. Përfaqësimi është një sistem i karakterizuar nga fakti që ai është i tërthortë dhe i ndërmjetësuar. Demokracia e publikut, si ajo e shfaqur në Itali, është një rregjim në të cilën një interes korporativ krijon partinë e vet, mediat e veta, për të promovuar interesat e veta. Shkelja e parimit përfaqësues ndodh kur shoqëria civile hyn në politikë në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo në mënyrë të ndërmjetësuar. Transferimi direkt i shoqërisë (sido që të jetë ajo ekonomike apo fetare apo kulturore) në politikë është një shkelje qartë e përfaqësimit.

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi