1. Origjina e demokracisë përfaqësuese
Intervistën e plotë mund ta lexoni në: Fillimi 1 2 3 4 5 6
Hélène Landemore: Bernard Manin dhe Nadia Urbinati, ju të dy keni shkruar libra me tituj të përafërt, përkatësisht Parimet e qeverisjes përfaqësuese (Calmann Levy, 1995) dhe Demokracia Përfaqësuese: Parimet dhe Gjenealogjia (University of Chicago Press, 2006). Por, përfaqësimi nuk është domosdoshmërisht demokratik dhe demokracia nuk është domosdoshmërisht përfaqësuese. Si këto dy koncepte janë ballafaquar nga një pikëpamje historike? Dhe, kur koncepti i demokracisë përfaqësuese shfaqet për herë të parë?
Nadia Urbinati: Sipas Gordon Wood, termi është përdorur për herë të parë nga Alexander Hamilton në 1777 në një letër drejtuar guvernatorit Morris. Revolucioni amerikan, ndryshe nga revolucioni francez, nuk përjetoi një konflikt
dramatik midis sovranitetit popullor dhe përfaqësimit, Ai padyshim ka qënë ndoshta përpjekja e parë vendimtare për të veçuar demokracinë e Modernëve nga ajo e të Vjetërve, që do të thotë, demokracinë “përfaqësuese” prej demokracisë së “pastër”. Për të shënuar ndarjen dhe për të shmangur çdo konfuzion, udhëheqësit amerikanë kanë preferuar të përdorin termin “republikan” për të karakterizuar qeverinë e tyre popullore. Në të gjitha rastet, termi “demokraci përfaqësuese” është përdorur në mënyrë sistematike në fillim të viteve 1790, veçanërisht nga Paine, Condorcet dhe Sieyès. Në Bazat e rendit shoqëror (1794), Sieyès bën një dallim interesant midis dy interpretimeve të qeverisjes përfaqësuese, nga të cilat vetëm një është demokratike, edhe pse të dyja janë të bazuara në parimin e zgjedhjeve. Të dy interpretimet janë të zbatueshme për territore të mëdha dhe shumë të populluara, por i pari konsiston në realizimin e “zgjedhjeve të pjesshme në lokalitete të ndryshme” ndërsa i dyti konsiston vetëm në “caktimin e deputetëve në një asamble qendrore”. Kështu, sipas Sieyes, i pari mund të rezultojë vetëm prej një “vullneti të përgjithshëm” të vetëm, sepse ai u jep votat e qytetarëve që jetojnë në lokalitete, të ngjashme me atë në modelin e propozuar nga Condorcet. Ajo që na intereson këtu është se Sieyes kuptonte shumë mirë dallimin ndërmjet formave të ndryshme të qeverisjes përfaqësuese.
HL: Bernard Manin, mund të themi se dallimi konsiston në faktin që demokracia përfaqësuese është në të vertetë demokratike ndërsa qeveria përfaqësuese është, në thelb, aristokratike?
Bernard Manin: Jo, nuk është aspak ajo që unë them. Përfaqësimi ka shumë elemente demokratike, në veçanti, mundësia që të gjithë qytetarët mund tu kërkojnë llogari përfaqësuesve në fund të mandatit të tyre dhe ti largojnë ata nëse performanca e tyre në pushtet nuk gjykohet e kënaqshme. Këto elemente demokratike janë reale dhe të rëndësishme. Por teza është se përfaqësimi përfshin jo vetëm elemente demokratike. Përfaqësimi është gjithashtu një qeverisje nga elitat që nuk janë të detyruara në mënyrë rigoroze të realizojnë dëshirat e votuesve të tyre. Kështu, qeverisja përfaqësuese kombinon elemente demokratike dhe elemente jo-demokratike. Kjo është arsyeja pse unë e karakterizoj si një formë qeverisje “të përzierë”, duke u frymëzuar nga ideja e kushtetutës të përzier të të Vjetërve, e cila daton prej Aristotelit dhe Polibit. Përshkrimi i demokracive përfaqësuese moderne vetëm si sisteme në të cilat populli është “sovran” ose vetëqeveriset në mënyrë “indirekte” errëson natyrën e përzier të sistemeve të tilla. Qeverisja përfaqësuese kurrë nuk ka qenë një formë e thjeshtë e qeverisjes. Ajo gjithmonë ka qënë komplekse dhe e përbërë. Përveç kësaj, në dekadat e fundit, në një numër të demokracive përfaqësuese janë krijuar institucione që nuk kanë qënë pjesë e strukturave fillestare, të tilla si gjykatat kushtetuese, të cilat ushtrojnë kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe agjensitë e “pavarura”, që janë të pazgjedhura. Rritja e shpejtë e këtyre institucioneve e bën akoma më të dukshëm karakterin e përzier të demokracive në ditët tona.
HL: Ju doni të thoni se të Vjetrit nuk njihnin asnjë formë të përfaqësimit?
Bernard Manin: Po, kjo është ajo që unë do të thoja. Unë nuk besoj se ju mund ta shihni këshillin athinas [Boulè] si një organ përfaqësues. Burimet e identifikojnë Asamblenë me “popullin e Athinës”, por nuk e identifikojnë me Boulè dhe demos, duke nënvizuar që Këshilli nuk është parë si përfaqësues i popullit. Boulè ishte thjesht një magjistraturë kolegjiale.
Nadia Urbinati: Unë jam dakord. Vendi i përfaqësimit politik është atje ku bëhen ligjet. Në këtë kuptim, dijetarët dhe udhëheqësit politikë të shekullit të XVIII-të zbuluan se Modernët kishin futur diçka që të Vjetrit nuk e njihnin. Ndoshta revolucioni kushtetues anglez i shekullit të XVII-të ishte një etap e rëndësishme në ndërtimin e qeverisjes përfaqësuese. Tranzicioni nga zgjedhja në zgjedhje, ose institucionalizimi i një konkurence të hapur për postet legjislative, ka përfaqësuar një kthesë vendimtare në ndërtimin e përfaqësimit politik. Qeverisja përfaqësuese kërkon të jetë e lidhur me zgjedhjet dhe ka të bëj me pushtetin legjislativ.
Këta dy faktorë të kombinuar na çojnë në pohimin se qeverisja përfaqësuese është qeverisja e Modernëve.
H.L. Kur lindi koncepti i përfaqësimit?
Nadia Urbinati: Kjo është një histori e gjatë. Historianët thonë se ajo fillon në mesjetë në gjirin e Kishës. Në këtë rast gjithashtu, çështja ishte për të zgjidhur lidhjen midis qendrës dhe periferisë. Kisha kërkonte për të përfaqësuar të gjithë komunitetin e krishterë. Përfaqësimi ishtë përdorur si një mënyrë për unifikuar popullin ose për të lidhur bashkësinë e madhe të besimtarëve. Në mesjetë ishte përhapur përfshirja e rregullës së kontratës në të drejtën publike. Bashkësitë fetare dhe laike pranonin se vendimi për emërimin në pushtet duhej të ishte i rregulluar nga ligji publik, dhe, si shkruan Otto Gierke, ky emërim do të thoshte se i gjithë pushteti i llojit politik duhej të “përfaqësonte” të gjithë komunitetin. Ndërkaq Scipione Maffei shkroi në një studim krahasues dhe historik mbi format republikane të qeverisjes që nga viti 1736, se Romakët praktikonin [tashmë] përfaqësimin duke u lejuar votimin kombeve të shumtë të perandorisë. Këtij fakt i u referua Tacite, i cili në Germania përshkruante format e përfaqësimit dhe institucionet parlamentare të përdorur nga fiset gjermanike për të shprehur pretendimet e tyre ndaj Senatit romak. Përfaqësimi në këtë rast ishte një mënyrë për të lidhur pjesët e ndryshme të territorit të gjerë të Republikës përmes një lloj sistemi federal.
Manin: Origjinat e përfaqësimit pa asnjë dyshim duhen kërkuar në Mesjetë në kuadrin e Kishës dhe të qyteteve në marrëdhëniet e tyre me mbretin apo perandorin. Ideja ishte të dërgonin delegatë që kishin kompetencë të hynin në lidhje me ata që i dërgonin. Këtu është origjina e përfaqësimit. Një komunitet i caktuar delegonte anëtarët që kishin pushtet të lidheshin me ata që i kishin emëruar. Kjo është zemra e nocionit të përfaqësimit. Në vazhdim teknika është transferuar në kontekste të tjera dhe është përdorur për qëllime të tjera.
Nadia Urbinati: Ka pasur gjithashtu praktika dhe institucione private, të tilla si tek avokatët ose juristët.
HL: Cili është roli i Hobbes në këtë histori?
Nadia Urbinati: Hobbes ka përdorur strategjinë e përfaqësimit në një mënyrë të re dhe të rëndësishme për të krijuar shtetin sovran. Përfaqësimi ishtë për atë një mjet për të legjitimuar sovranin absolut duke i a marrë pushtetin popullit, që është vetëm subjekt. Kjo është një mënyrë interesante për të legjitimuar autoritetin politik duke i hequr pushtetin popullit. Përfaqësimi është një sajim që krijon sundimtari absolut.
Manin: Hobbes ndoshta artikulon me saktësi të veçantë idenë e një autoriteti Sovran që vepron në vendin dhe emrin e subjekteve. Megjithatë, fakti se teoria e Hobsit ishtë veçanërisht e spikatur, për ne nuk është dëshmi se ajo ka patur një ndikim të madh në zhvillimet reale historike. Si Nadia dhe unë thjesht vetëm vëmë në dukje, se institucionet dhe teknikat përfaqësuese kanë ekzistuar gjerësisht para Hobbes. Vini re gjithashtu se Hobbes nuk i përmend zgjedhjet si një metodë e caktimit të autoritetit sovran. Në aspektin e përfaqësimit, është e sigurtë se Sieyes ka lexuar Hobbes dhe e ka përdorur atë për të artikuluar dhe justifikuar disa nga idetë e tij mbi qeverisjen. Por unë nuk mendoj se mund të gjendet një referim të tillë tek Hobbs prej Etërive themelues amerikanë. Të kërkosh ide hobsiane tek revolucionarët amerikanë dhe themeluesit e Kushtetutës amerikane duket, të paktën, një sipërmarrje e komplikuar.
Nadia Urbinati: Skinner thekson rolin e Hobbes në krijimin e sistemit përfaqësues në një funksion anti-republikan. Por Hobbes nuk përdor përfaqësimin si institucion politik ose si një mënyrë për të krijuar një qeverisje që është e lidhur me opinionet e popullit dhe është në këtë kuptim reaktive dhe e kufizuar. Ne duhet të ndajmë përfaqësimin politik prej kësaj tradite, e cila ishte një mënyrë për ti dhënë mbretit një pushtet absolut, jo për të krijuar një qeverisje me pëlqimin e popullit. Shekulli i XVIII-të është më interesant për të vëzhguar rrugët e ndryshme të huazuara nga ideja e demokracisë përfaqësuese. Unë mendoj se rasti amerikan është shumë interesant. Themeluesit amerikanë kanë organizuar përfaqësimin në praktikë më shumë se në teori.