Roli i bankave në krizën aktuale financiare
Kapitulli i I-rë i librit “13 Bankers”
27 marsi i vitit 2009 qe një ditë e bukur në Washington, D.C., por jo për ekonominë globale. Bursa e Shteteve të Bashkuara kishte rënë me 40 përqind vetëm në 7 muaj, ndërsa ekonomia amerikane kishte humbur 4.1 milion vende pune. Prodhimi total botëror po zvogëlohej për herë të parë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.
Pavarësisht tri ndihmave qeveritare, aksionet e Citigroup ishin nën 3 dollarë për aksion, rreth 95 përqind më poshtë nga piku i tij; aksionet e Bank of America, e cila kish përfituar dy ndihma, kishte humbur 85 përqind të vlerës së tyre. Publiku ishte i zemëruar ndaj lajmeve të fundit se American International Group, e cila qe ndihmuar nga premtime në deri 180 miliard dollarë të taksapaguesve, po paguante 165 milion në bonuse për drejtuesit dhe ndërmjetësit në degën që e kish çuar kompaninë në kolaps shtatorin e mëparshëm. Propozimet e Administratës Obama or të ndaluar rrjedhjen e gjakut, fillimisht të shprehura në shkurt, akoma po merrnin një reagim të vakët në shtyp dhe në tregje. Ekonomistë me emër po bënin thirrje për disa banka të mëdha që të merreshin në dorë nga qeveria dhe të ristrukturoheshin. Mënyra e jetesës së Wall Street ishte nën kërcënim.
Atë të premte marsi, 13 banikerë – drejtorët ekzekutivë të 13 institucioeneve financiare më të mëdha të vendit – u mblodhën në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Presidentin Barack Obama. “Ndihmomëni mua, t’ju ndihmoj ju”, e nxiti Presidenti grupin. Të takuar me gazetarët më vonë, ata ju përmbajëtn linjës. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, e përmblodhi kështu mesazhin e Presidentit: “Secili duhet të kontribuojë. Jemi sëbashku në të gjithë këtë”.
“Jam i mendimit se jemi të gjithë sëbashku në këtë”, i bëri jehonë Vikram Pandit, Drejtori Ekzekutiv i Citigroup. Drejtori Ekzekutiv i Wells Fargo, John Stumpf, e përsëriti idenë: “Mesazhi bazë është “Jemi sëbashku në gjithë këtë”. Çfarë nënkuptonte “Jemi sëbashku në gjithë këtë”? shikohej qartë se 13 bankierët kishin nevojë për qeverinë.
Vetëm ndërhyrja masive qeveritare, në formën e investimeve të drejtpërdrejta të parave të taksapaguesve, garancive qeveritare për tregje të shumëfishta, huazim emergjence praktikisht të pakufizuar nga Federal Reserve dhe përqindje interesi historikisht të ulëta i kishin ndaluar bankat e tyre nga ndjekja e Bear Stearns, Lehman Brothers, Merrill Lynch, Washington Mutual dhe Wachovia në rrugën e falimentimit apo të blerjes në çastin e fundit. Por pse qeverisë i duheshin bankierët?
Çdo ekonomi moderne ka nevojë për një sistem financiar, jo vetëm për të proceduar pagesat, por gjithashtu dhe për të transformuar kursimet në një pjesë të ekonomisë në investime prodhuese në anënn tjetër të ekonomisë.
Megjithatë, ashtu si administratat George W. Bush dhe Bill Clinton më parë, edhe Administrata Obama kishte vendosur se i duhej ky sistem financiar – një sistem i dominuar nga 13 bankierët që shkuan në Shtëpinë e Bardhë në mars. Bankat e tyre përdornin bilance pasurore të mëdha për të luajtur në tregjet financiare fringo të reja, duke përzier derivate komplekse me pengje ekzotike në një përzierje që në fund helmoi ekonominë globale. Në vijim, ato u bënë aq të mëdha sa që falimentimi potencial i tyre kërcënonte stabilitetin e të gjithë sistemit, duke u dhënë atyre një shkallë unike influence ndaj qeverisë. Pavarësisht rolit qendror të këtyre bankave në shkaktimin e krizës financiare dhe reçisionit, Barack Obama dhe këshilltarët e tij vendosën se ato qenë bankat tek të cilat vareh prosperiteti i vendit. Dhe kështu ata vazhduan ta mbrojnë Wall Street kundër zemërimit popullor që po përfshinte vendin – “cfurqet” që ju referua Obama në takimin e 27 marsit.
Për hir të së vërtetës, Obama po përpiqej që të përfitonte nga kriza e Wall Street për të nxjerrë lëshime nga bankierët – në mënyrë të veçantë, ai donte që ata dimensiononin bonuset që e tërbonin publikun dhe të mbështesnin planin e Administratës së tij për të rinovuar rregullimin e sistemit financiar. Por teksa kaluan pranvera dhe vera, u bë gjithnjë e më e qartë se ai kishte dështuar në fitimin e bashkëpunimit të tyre. Ndërsa megabankat, të drejtuara nga JPMorgan Chase dhe Goldman Sachs, raportonin fitime rekord apo afër rekordit (dhe bonuse korresponduese), industria nxoreri artilerinë e rëndë për të luftuar reformat relativisht të moderuara të propozuara nga Administrata, duke vënë shënjestër të veçantë në masat që synonin të mbronin konsumatorët e shkujdesur nga hedhja në erë prej kredive të kushtueshme e rriskuese, kartat e kreditit dhe llogaritë bankare. Në shtator, kur Obama mbajti një fjalim të rëndësishëm në Federal Hall të New York duke i kërkuar Wall Street që të mbështeste reforma domethënëse, asnjë drejtues ekzekutiv i ndonjë banke të madhe nuk begenisi që të merrte pjesë. Nëqoftëse Wall Street do të ndryshohej, atëhere Obamës do t’i duhej të përdorte forcën (politike).
Pse ndodhi kjo? Pse dhe pothuajse kolapsi i sistemit financiar dhe shpëtimi i dëshpëruar i tyre nga dy administrata ngurruese dështuan që t’i japin qeverisë ndonjë influencë reale mbi bankat e mëdha?
Në mars të 2009, bankat e Wall Street nuk qenë një grup interesi i zakonshëm. Gjatë 30 viteve të fundit, ata qenë bërë një prej industrive më të pasura në historinë e ekonomisë amerikane dhe një prej forcave politike më të fuqishme në Washington. Paratë e sektorit financiar u derdhën në arkat luftërave të përfaqësuesve kongresualë. Bankierët e investimeve dhe aleatët e tyre morën pozicione të larta në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Thesarit. Më e rëndësishmja, ndërsa sistemi bankar bëhej më i komplikuar, më prestigjioz dhe më fitimprurës, ideologjia e Wall Street – se novatorizmi i pakontrolluar dhe tregjet financiare të parregulluara qenë mirë për Amerikën dhe botën – u bë pozicioni i konsensusit në Washington për të dyja anët e shëtitores politike.
Kontributet e fushatave dhe dera rrotulluese midis sektorit privat dhe shërbimit qeveritar u dhanë bankave të Wall Street influencë në Washington, por fitorja përfundimtare e tyre qëndron në postimin e gjykimit të shëndoshë në favorin e tyre, në pikën ku pikat biseduese të lobistëve u dukeshin krejtësisht të qarta kongresistëve dhe zyrtarëve të administratës. Sigurisht, kur u shfaqën të çara në konsensus, si në periudhën menjëherë pas krizës financiare, bankat ende mund ta shfaqnin armatimin e tyre konvencional – para fushate dhe lobistë; por për shkak të fuqisë së tyre ideologjike, shumë prej këtyre betejave u fituan në avancë.
Influenca politike e Wall Street ndihmoi që të krijohej mjedisi laissez-faire në të cilin bankat e mëdha u bënë akoma më të mëdha dhe akoma më rriskuese, deri në vitin 2008 kërcënimi i falimentimit të tyre mund ta mbante peng pjesën tjetër të ekonomisë. Kjo influencë politike nënkuptonte se kur qeveria i erdhi në ndihmë sistemit financiar, ajo e bërë këtë gjë në terma që qenë të favorshme për bankat. Ajo çka realisht nënkuptonte “jemi sëbashku në të gjithë këtë” qe se bankat më të mëdha tashmë qenë ngulur në zemrën e sistemit politik dhe qeveria kishte vendosur se kishte nevojë për to po aq sa bankat kishin nevojë për qeverinë. Për aq kohë sa establishmenti politik mbetej i kapur pas idesë së Amerika ka nevojë për banka të mëdha, të sofistikuara dhe rrisk-kerkuese, ata kishin avantazh në çdo negociatë. Politikanët mund të shkojnë e të vijnë, por Goldman Sachs mbetet.
Bankat e Wall Street janë oligarkia e re amerikane – një grup që fiton pushtet politik për shkak të pushtetit ekonomik të tij dhe më pas e përdor këtë pushtet politik në favorin e vet. Fitimet dhe bonuset gjithnjë e në rritje në sektorin financiar u transformuan në pushtet politik nëpërmjet kontributeve të fushatave dhe atraksionit të derës rrotulluese. Por këto fitime dhe bonuse gjithashtu e përforcuan kredibilitetin dhe influencën e Wall Street; në një epokë kapitalizmi të tregut të lirë triumfues, një industri që po bënte kaq shumë para duhej të ishte e mirë dhe njerëzit që po bënin të njëjtën gjë duhet ta dinin se për çfarë po flisnin. Paraja dhe ideologjia u forcuan reciprokisht.
Kjo nuk është hera e parë që një elitë ekonomike e fuqishme ishte rritur në rëndësi politike. Në fundin e shekullit të XIX-të, trustet gjigante industriale – shumë prej tyre të financuara nga bankieri dhe industrialisti J. P. Morgan – e dominonin ekonominë amerikane me mbështetjen për aleatët e tyre në Washington, derikur Presidenti Theodore Roosevelt përdori për herë të parë ligjet antitrust për t’i shpërbërë ato. Edhe më përpara, në agimin e republikës, Thomas Jefferson paralajmëronte kundër kërcënimit politike të paraqitur nga Bank of the United States.
Në Shtetet e Bashkuara pëlqejmë të mendojmë se oligarkitë janë një problem që e kanë vende të tjera,. Termi fitoi rëndësi me konsolidimin e pasurisë dhe të pushtetit nga një grusht biznesmenësh rusë në mesin e viteve Nëntëdhjetë; kjo zbatohet njëlloj mirë për tregjet e vendeve emergjente ku drejtues biznesi me lidhje të mira tregtojnë kesh dhe mbështetje politike për favore nga qeveria. Por fakti se oligarkia jonë amerikane operon jo nëpërmjet mitmarrjes apo shantazhit, por nëpërmjet soft power të aksesit dhe ideologjisë, e bën atë jo më pak të fuqishme. Ne mund të kemi sistemin politik më të avancuar në botë, por kemi gjithashtu dhe oligarkinë më të avancuar të saj.
Në vitin 1998 Shtetet e Bashkuara qenë në vitin e 7-të të një bumi ekonomik. Inflacioni po qëndronte fort midis 2 dhe 3 përqind, i mbajtur poshtë nga forcat binjake të teknologjisë dhe globalizimit. Alan Greenspan, ka mundësi ekonomisti më i respektuar në botë, mendonte se revolucioni më i fundit teknologjik do të lejonte rritje ekonomike të mbështetshme me inflacion të ulët: “Teknologjitë e bazuara tek kompjuteri dhe telekomunikacioni po e revolucionarizojnë vërtet mënyrën sesi ne prodhojmë mallra dhe shërbime. Kjo ka lejuar një shkallë substancialisht të rritur fleksibiliteti në vendin e punës, që bashkuar me strategjitë furnizuese just-in-time dhe disponueshmërinë e rritur të produkteve nga anembanë bota, i ka mbajtur kostot nën kontroll nëpërmjet prodhueshmërisë së rritur”. Perspektivat për ekonominë amerikane rrallë qenë dukur më të mira.
Por Brooksley Born qe e frikësuar. Ajo qe shefja e Commodity Futures Trading Commission (CFTC), agjencia përgjegjëse për kontratat financiare e njohura si derivate. Në mënyrë të veçantë, ajo qe e frikësuar rreth tregut që po rritej me shpejtësi, lehtësisht të rregulluar për derivatet over-the-counter (OTC) – kontrata të personalizuara në të cilat të dyja palët vendosnin oferta në lëvizjen e çmimeve për asetet ë tjera, të tilla si valutat, aksionet apo bonot. Megjithëse agjencia e Born-it kishte juridiksion ndaj derivatesh të caktuara që tregtoheshin në shkëmbime, qe e paqartë nëse ndonjë kishte autoritetin për të mbikëqyrur tregun e derivateve të personalizuara në gjendje bumi.
Në vitin 1998, derivatet qenë kufiri më i nxehtë i industrisë së shërbimeve financiare. Ndërmjetës dhe tregtues do të mburreshin rreth “marrjes së erzit” të klientëve të tyre – duke strukturuar dhe shitur gjëra të komplikuara që klientët nuk i kuptonin, por që gjeneronin fitime të mëdha për bankën që e ndërmjetësonte shitblerjen. Edhe sikur biznesi mund të ishte keq për klientët e tyre, bankat kryesore të Wall Street nuk mundën të rezistonin, për shkak se degët e tyre të derivateve po gjeneronin pjesë gjithnjë e më në rritje të fitimeve të tyre ndërsa vinin pak nga kapitali i tyre. Tregu global për derivatet e zakonshme ishte rritur në mbi 70 trilion dollarë në vlerë të shtypur (dhe mbi 2.5 trilion në vlerë tregu) nga pothuajse asgjë një dekadë më parë.
Industria e derivateve e kishte zmbrapsur kërcënimin e rregullimit edhe një herë më përpara. Në vitin 1994, humbjet e mëdha në tregtimin e derivateve të realizuara nga Orange County, California, Procter & Gamble dhe kompani të tjera çuan në një investigim kongresual dhe padi të shumta. Midis të tjerave, paditë zbuluan thënien monumentale të epokës, të bërë nga një punonjës i Bankers Trust: “Joshi njerëzit me qetësi dhe pastaj totalisht futua deri në rrëzë”. E përballur me legjislacion kongresual, industria dhe grupi lobues i saj reaguan, të ndihmuar nga miqtë e tyre brenda qeverisë. Kërcënimi i rregullimit u shmang dhe industria u kthye në shpikjen e derivateve akoma dhe më komplekse për të ruajtur marzhet e fitimit të saj.
Nga viti 1997 biznesi i derivateve kishte bile dhe mbrojtjen e Greenspan, i cili thoshte: “Nevoja për rregullim qeveritar të instrumentave dhe tregjeve të derivateve duhet të rishqyrtohet me kujdes. Zbatimi i Commodity Exchange Act për transaksionet jashtë shkëmbimit midis institucioneve dukej krejtësisht i panevojshëm – rregullimi privat e tregut duket e i arrin objektivat e politikës publike tejet me efikasitet dhe në mënyrë më produktive”. Me fjalë të tjera, qeveria duhet t’i mbajë larg duart e saj nga tregu i derivateve dhe shoqëria do të përfitojë.
Por Born nuk qe e bindur. Ajo kishte frikën se mos mungesa e mbikëqyrjes e lejonte përhapjen e mashtrimit dhe mungesa e transparencës e bënte të vështirë që të shikohej se çfarë rreziqesh mund të ndërtoheshin në këtë sektor të metastatizuar. Ajo propozoi që të nënshkruhej një “concept paper” që do të ngrinte pyetjen nëse rregullimi i derivateve duhej fuqizuar apo jo.
Edhe ky hap provokoi kundërshtime të ashpra, jo vetëm nga Wall Street, por gjithashtu edhe nga pecogrosot ekonomistë të qeverisë federale – Greenspan, Sekretari i Thesarit (dhe ish Presidenti i Goldman Sachs) Robert Rubin dhe Nënsekretari i Thesarit, Larry Summers. Në një moment të caktuar, Summers i bëri një telefonatë Born. Siç kujtohet nga Michael Greenberger, një prej bashkëpunëtorëve të Born, Summers tha: “Unë kam 13 bankierë në zyrën time dhe ata më thonë se nëqoftëse vazhdoni më këtë, kjo do t’ju shkaktojë krizën financiare më të keqe qysh nga Lufta e Dytë Botërore”.
Në fund, Summers, Rubin, Greenspan dhe industria financiare fituan. Born e nënshkroi “koncept paper” në maj, që nuk shkaktoi krizë financiare. Por Kongresi u përgjigj në tetor me miratimin e një moratoriumi që e ndalonte agjencinë e saj nga rregullimi i derivateve të zakonshme. Në vitin 1999, Working Group on Financial Markets i Presidentit – që përfshinte Summers, Greenspan, Presidentin e SEC-it, Arthur Levitt dhe kreun e ri të CFTC-së, William Rainer – rekomandoi që derivatet e zakonshme të përjashtoheshin nga rregullimi federal. Ky rekomandim u bë pjesë e Commodity Futures Modernization Act, të cilin Presidenti President Clinton e nënshkroi si ligj në dhjetor të vitit 2000.
Ne nuk dimë se cilët 13 bankierë po takoheshin më Nënsekretarin e Thesarit kur ai i telefonoi Brooksley Born; nuk dimë nëse aktualisht qenë 12 apo 14 bankierë; nuk dimë nëse qenë në zyrën e tij në atë kohë apo nëse Summers aktualisht u bind prej tyre – më shumë të ngjarë ka që ai të ketë arritur në konkluzionet e veta, që përkoi të ishte njëlloj me mendimin e tyre. (Summers nuk e komentoi lajmin e “Washington Post” që raportonte bisedën telefonike). As se një gjë e tillë ka rëndësi.
Ajo çka dimë është se nga viti 1998, kur filluan pikëpyetjet e financës moderne dhe të rregullimit financiar, drejtorët ekzekutivë dhe lobistët e Wall Street patën shumë veshë simpatizues dhe vendimmarrës politikë të rëndësishëm që qenë të prirur të ndiqnin këshillat e tyre.
Financa qe bërë një fushë komplekse, tejet sasiore që vetëm bankierët e Wall Street dhe mbështetësit e tyre në mjedisin akademik (përfshi fitues të shumtë Çmimesh Nobel) e zotëronin dhe njerëzit që i vinin në pikëpyetje ata mund të damkoseshin si luditë injorantë. Asnjë konspiracion nuk qe i nevojshëm. Edhe Summers, një ekonomist akademik skeptik brilant dhe i njohur (më pas do të bëhej Sekretar Thesari dhe eventualisht kryekëshilltar ekonomik i Presidentit Obama), u dorëzua nga sirenat e novatorizmit dhe derregullimit financiar. Nga viti 1998 ishte pjesë e pikëpamjes së elitës së Washington se çfarë ishte mirë për Wall Street, ishte mirë për Amerikën.
Periudha më pas është e njohur mirë. Megjithëse koncepti i Born-it nuk e shkaktoi një krizë financiare, dështimi për të rregulluar jo vetëm derivatet, por shumë novatorizma të tjera financiare, bën të mundur frenezinë financiare një dekadëshe e cila në fund krijoi krizën më të keqe financiare dhe reçisionin më të thellë që bota kish përjetuar qysh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Të lira nga kërcënimi i rregullimit, derivatet OTC u rritën në mbi 680 trilion dollarë në vlerë të shtypur dhe në mbi 20 trilion dollarë në vlerë tregu në vitin 2008. Credit default swaps, të cilat qenë tepër të rralla për t’u matur në vitin 1998, u rritën në mbi 50 trilion në vlerë të shtypur dhe në mbi 3 trilion dollarë në vlerë tregu, duke kontribuar në flluskën e shtëpive; kur kjo flluskë plasi, kolapsi në vlerat e securities të bazuara mbi tregun e shtëpive shkaktoi krizën financiare. Ekonomia amerikane u tkurr me 4 përqind, institucionet financiare pësuan 1 trilion dollarë humbje dhe Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të tjera shpëtuan sektorët e tyre bankarë me paketa ndihmuese që vlenin secila miliarda dhe triliona dollarë, varet nga mënyra sesi i llogarisni. Brooksley Born u mund nga oligarkia e re financiare, e simbolizuar nga 13 drejtorë ekzekutivë bankash që u mblodhën në Shtëpinë e Bardhë në mars të 2009 dhe “13 bankierët” që lobuan Larry Summers në vitin 1998.
Bankat e mëdha fituan pasurinë dhe prestigjin e nevojshëm për të hyrë në sallonet e pushtetit, për të influencuar opinionet e establishmentit politik dhe më pas ta përdorin në interes të tyre këtë influencë për politika – i të cilave mosrregullimi i derivateve qe vetëm një shekull – që i ndihmuan ato të dyfishojnë dhe ridyfishojnë pasurinë e tyre ndërsa e çonin ekonominë në pragun e humnerës, nga i cili u desh të tërhiqej prapa me paratë e taksapaguesve.
Zgjedhjet që qeveria federale bëri në shpëtimin e sektorit bankar në vitet 2008 e 2009 kanë gjithashtu implikime të konsiderueshme për shoqërinë amerikane dhe ekonominë globale sot. Jo vetëm që qeveria zgjodhi për ta ndihmuar sistemin financiar – një vendim që pak do ta vinin në pikëpyetje – por ajo zgjodhi që të vepronte kështu nëpërmjet dhënies së një çeku të bardhë për bankat më të mëdha e më të fuqishme në momentin e nevojës më të madhe të tyre. Qeveria zgjodhi jo të vendosë kushte që mund ta reformonin industrinë në fjalë apo edhe ta zëvendësojë menaxhmentin e bankave të mëdha të falimentuara. Ajo zgjodhi që të vazhdonte me bankierët që kishte.
Në ditët e zeza të fundit të vitit 2008 – kur Lehman Brothers u zhduk, Merrill Lynch u ble, AIG u mor në zotërim nga qeveria, Washington Mutual dhe Wachovia u kolapsuan, Goldman Sachs dhe Morgan Stanley u drejtuan nga shpëtimi nëpërmjet transformimit në “kompani që kontrollojnë shumë banka” dhe Citigroup e Bank of America lëkundeshin në prag të humnerës përpara se të shpëtoheshin – urtësia e shëndoshë ishte që kriza financiare shprehte fundin e një epoke marrje rrisku të tepruar dhe fitimesh përrallore. Në vend të kësaj, ato dolën nga kriza akoma më të mëdha dhe akoma më të fuqishme.
Kur Wall Street ndodhej në gjunjë, Washington erdhi në ndihmë të tij, jo si favor personal për një grusht bankierësh të fuqishëm, por për shkak të një besimi në një lloj të caktuar sektori financiar aq të fuqishëm sa që edhe zbulimet e shëmtuara të krizës financiare nuk mund ta humbisnin.
Ky besim u përforcua nga fakti që, kur goditi kriza, administratat Bush dhe Obama qenë të mbushura shumë me njerëz që ose vinin nga Wall Street, ose kishin vënë në veprim politika të favorizuara prej tij. Për shkak të këtyre marrëdhënieve afatgjata midis Wall Street dhe Washington, ekzistonte pak konsideratë serioze gjatë krizës për mundësinë që një lloj tjetër sistemi financiar mund të ishte i mundur – pavarësisht paralajmërimeve të ekonomistë të tillë të shquar si Paul Krugman, Joseph Stiglitz dhe shumë të tjerë. Nuk pati asnjë përpjekje serioze për të shpërbërë bankat e mëdha apo për të reformuar rregullimin financiar ndërkohë që qe e mundur – në kulm të krizës, kur bankat qenë të dobëta. Reforma u shty deri kur bankat më të fuqishme qenë bërë akoma më të mëdha, qenë kthyer me fitim dhe rifituar influencën e tyre politike. Kjo strategji ra ndesh me qëndrimin që Departamenti Thesarit kishte përpunuar gjatë kriza financiare të tregjeve emergjente në vitet Nëntëdhjetë, kur zyrtarë të lartë i nxisnin vendet e goditura nga kriza që t’i adresoheshin me shpejtë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë problemeve strukturore.
Teksa shkruajmë këtë, Kongresi duket se ka gjasa që të adoptojë njëlloj reforme bankare, por nuk ka gjasa se do të shkojë më thellë. Masat e propozuara nga Administrata Obama vendosin disa kufizime për Wall Street, por e lënë të paprekur superioritetin dhe pushtetin e një grushti megabankash, bile edhe këto propozime haësn në kundërshtime nga lobi financiar në Capitol Hill. Ligji i reformës ka mundësi që do të sjellë disa përmirësime, të tilla si mbrojtja më e mirë për konsumatorët kundër praktikave abuzive nga ana e institucioneve financiare. Por problemi thelbësor – bankat e fuqishme masive që janë njëherazi “tepër të mëdhaja për të falimentuar” dhe aq të fuqishme sa ta tronditin panoramën politike në favorin e tyre – do të mbesin teksa Wall Street kthehet si zakonisht në punën e tij.
Sipas të gjitha gjasave, bankat e mëdha – të paktën ato që mbijetuan të paprekura – qenë fituesit e mëdhenj të krizës financiare. JPMorgan Chase, Bank of America dhe Wells Fargo blenë rivalët e falimentuar për t’u bërë akoma më të mëdha. Bankat më të mëdha i rritën pjesët e tyre të tregut në gjithçka, nga emetimi i kartave të kreditit në nxjerrjen e aksioneve të reja për kompani. Goldman Sachs raportoi fitime rekord dhe, gjatë shtatorit 2009, kishin vënë tashmë menjanë mbi 500000 dollarë për punonjës për kompensim. Lloyd Blankfein, Drejtori Ekzekutiv i Goldman Sachs, u emërua Njeriu i Vitit nga “Financial Times”.
Implikimet për Amerikën dhe botën janë të qarta. Bankat tona të mëdha vetëm se janë bërë akoma më të mëdha. Në vitin 1983 Citibank, banka më e madhe e Amerikës, kishte 114 miliard dollarë në asete ose 3.2 përqind të GDP-së (njësia më e zakonshme e madhësisë së një ekonomie) së saj. Në vitin 2007, 9 institucione financiare qenë më të mëdha relativisht ekonomisë amerikane sesa Citibank kishte qenë në vitin 1983. Në kohën e takimit të Shtëpisë së Bardhë, asetet e Bank of America qenë 16.4 përqind e GDP-së, pasuar nga JPMorgan Chase me 14.7 përqind dhe Citigroup me 12.9 përqind. Një shpresë e vakët se qeveria do t’i ndihmonte ato në krizë është transformuar në një qartësi virtuale, duke i ulur kostot financuese të tyre në konkurrentët e tyre më të vegjël. Strukturat stimuluese të krijuara nga presioni i madh (kalimi i rrezikut nga aksionerët dhe punonjësit tek kreditorët dhe, në analizë të fundit, taksapaguesit) dhe bonuset e njëanshëm të mëdha (të mëdhenj në vitet e mira dhe të mira në vitet e këqija) nuk kanë ndryshuar. Skema bazë masive subvencionuese mbetet e pandryshuar: kur periudhat janë të mira, bankat e mbajnë pjesën e sipërme si kompensim ekzekutiv dhe ndërmjetësues; kur kohërat janë të këqija dhe kriza potenciale qëndron sipër kokës, qeveria merr faturën.
Nëqoftëse kushte thelbësore të sistemit financiar janë njëlloj, atëhere rezultati do të jetë po njëlloj, edhe sikur detajet të ndryshojnë. Herët a vonë, kushtet që krijuan krizën financiare dhe reçisionin global të periudhës 2007 – 2009 do të sjellin një krizë tjetër. Ashtu si kriza e fundit, tjetra do t’i bëjë miliona njerëz që të humbasin shtëpitë, vendet e punës apo mundësitë arsimore të tyre; ajo që kërkonte një transferim të madh të pasurisë nga taksapaguesit për në sektorin financiar dhe do të rrisë borxhin qeveritar, duke kërkuar taksa më të larta në të ardhmen. Efektet e kolapsit të ardhshëm mund të jenë më të butë se ato të atij të fundit, por më një sistem bankar që është akoma dhe më shumë i përqëndruar dhe gjithashtu mund të jetë më keq.
Alternativa është që të reformohet tani sistemi financiar, të krijohet një modern i ngjashëm me rregullimet bankare të viteve tridhjetë që mbrojtën sistemin për më shumë se 50 vjet. Një shtyllë kryesore e kësaj reforme duhet të jetë shpërbërja e megabankave që dominojnë sistemin tonë financiar dhe kanë aftësi që të mbajnë peng të gjithë ekonominë. Kjo është sfida me të cilën ndeshet sot Administrata Obama. Nuk është një problem finance apo ekonomie. Në analizë të fundit, është një çështje politike – nëse marshimi i gjatë i Wall Street në Washington mund të ndalet dhe të kthehet mbrapsht. Duke pasur parasysh lidhjet e ngushta financiare, personale dhe ideologjike midis këtyre dy qendrave të pushtetit, kjo nuk do të ndodhë brenda natës.
Kemi qenë në këtë gjendje më parë. Konfrontimi midis pushtetit të koncentruar financiar dhe qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike është po aq i vjetër sa republika amerikane. Historia tregon se financa mund të bëhet sërish e sigurtë, por do të duhet goxha luftë për ta arritur.
* Drejtorët ekzekutivë dhe bankat e tyre qenë respektivisht Ken Chenault, American Express; Ken Lewis, Bank of America; Robert Kelly, Bank of New York Mellon; Vikram Pandit, Citigroup; John Koskinen, Freddie Mac; Lloyd Blankfein, Goldman Sachs; Jamie Dimon, JPMorgan Chase; John Mack, Morgan Stanley; Rick Waddell, Northern Trust; James Rohr, PNC; Ronald Logue, State Street; Richard Davis, US Bank dhe John Stumpf, Wells Fargo.