Pak më dinjitet në prezantimin e Shqipërisë
Nga Agim Nesho, botuar në Panorama Online, 4 shtator 2014
Çështja e përgjimeve të shërbimeve të inteli-gjencës ndaj shteteve të huaja është një nga çështjet më delikate dhe të… diskutueshme sot në botën e qytetëruar. Globalizmi, zhvillimi i teknologjisë së informacionit, interesat e ndërthurur ekonomikë të shteteve kanë arritur të zbehin konceptin klasik të kufijve midis tyre dhe të ridimensionojnë “sovranitetin shtetëror” në kuptimin e tij klasik. Nevoja e shoqërive moderne për t’u bashkuar në organizata dhe iniciativa globale është një nevojë e përcaktuar nga lëvizjet e tregjeve të lira, rritja ekonomike dhe fuqizimi i interesave të vendit. Kjo kërkon në radhë të parë vizion për t’u përshtatur dhe përfituar gjithmonë në funksion të interesave kombëtarë, duke “toleruar” dhe dhënë nga sovraniteti kombëtar.
Ky bashkëveprim midis shteteve mbështetet në vlerat dhe parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare, të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin prej tyre dhe i bazuar në mirëbesimin reciprok për çështje të rëndësisë globale. Baza e këtij bashkëpunimi qëndron në përpjekjet e përbashkëta për të shkëmbyer informacion, bashkërenduar veprimet dhe lëvizjet konkrete në realizimin e objektivave të përbashkët.
Çështja e përgjimeve nga organizata të inteligjencës është bërë më e dukshme sot, kur rreziku nga terrorizmi ndërkombëtar është bërë çështje kryesore për demokracitë perëndimore. Para disa muajsh, shtypi botëror zbuloi skandalin e përgjimeve të shteteve demokratike si Gjermania, por edhe shumë vende të tjera nën arsyen e marrjes së informacioneve të rëndësishme për sigurimin kombëtar dhe rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar. Gjermania reagoi fort derisa i detyroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kërkojnë falje dhe Presidentin e saj të rishikonte direktivën dhe ligjin për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (National Security Agency). Shtete të tjera si Brazili mbajtën qëndrime duke anuluar vizitën zyrtare të kreut të shtetit në SHBA. Arsyeja kryesore qëndronte në faktin se shtetet dhe demokracitë bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet e tyre me vullnet të plotë dhe nuk krijohen marrëdhënie dyshimi e kontrolli të njëanshëm. Shtypi i lirë kishte realizuar nëpërmjet presionit të tij rivendosjen e parimeve bazë në marrëdhëniet midis partnerëve dhe shteteve demokratike.
E njëjta situatë u evidentua nga shtypi ndërkombëtar për përgjimet e agjencive inteligjente gjermane ndaj Turqisë dhe Shqipërisë. Por reagimi i shtypit dhe qeverisë në Shqipëri është i ndryshëm nga precedentët jo vetëm perëndimorë. Shtypi heshti si kundrejt servilizmit të qeverisë, ashtu edhe në bërjen e detyrës së tij në mbrojtje të interesave qytetarë. Ai nuk pati guxim të shtronte pyetje të tilla se çfarë e pengonte qeverinë shqiptare të bashkëpunonte dhe të vinte në dispozicion të gjithë informacionin e nevojshëm kur ka të bëjë me çështje të sigurisë kombëtare dhe me një partner të NATO-s. Çfarë mosbesimi ka Gjermania në një shtet ku korrupsioni dhe rrjetat e krimit të organizuar përpiqen të kapin shtetin? A ka interesa të fshehur dhe veprime të dyshimta të Shqipërisë, që e detyrojnë Gjermaninë të kryejë një veprim të tillë? Për më tepër, a ka një veprim ndoshta edhe formal të qeverisë në mbrojtje të interesave kombëtarë dhe dinjitetit të vendit?
Sqarimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme erdhën vetëm pasi shtypi shqiptar bëri prezent gjendjen. Dhe reagimi ishte normal – “Do ta ngremë çështjen në kanalet diplomatike”. Askush nuk kërkon luftë, çështjet zgjidhen diplomatikisht. Por edhe ky veprim u zbeh kur Kryeministri i Shqipërisë deklaroi para nisjes në Konferencën e Berlinit se këto çështje kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe Gjermania është një shtet anëtar i rëndësishëm i NATO-s. Në të njëjtën kohë Kancelarja gjermane, në një konferencë për shtyp në Berlin, në mënyrë shumë elegante kërkoi falje duke u përgjigjur “se ndiente keqardhje kur veprime të tilla bëhen ndaj vendeve mike”.
Qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj kësaj çështjeje tepër sensitive duket sikur udhëhiqet vetëm nga interesat e momentit. Konferenca e Berlinit ka rëndësinë e saj, por edhe dinjiteti kombëtar është po kaq i rëndësishëm.
Natyrshëm lind pyetja se si do të reagojë qeveria shqiptare në qoftë se përgjimet do të përsëriten nga vende të tjera të NATO-s, si Italia, Greqia dhe Turqia. A do të justifikohet sërish ajo me faktin se interesat e sigurisë së tyre janë primare dhe hajdeni bëni çfarë të doni me Shqipërinë?!
Çështja e mbrojtjes së interesave shtetërorë e kombëtarë nuk mund të mbetet një çështje perceptimi dhe veprimi individual. Ajo mbetet një detyrim kushtetues.