Parime dhe propozime të diplomacisë ekonomike

Nga Ilir Kalemaj, botuar në Balkanweb, 30 korrik 2014

Në fillim-korriku u mblodh konferenca treditore e ambasadorëve, ku një nga risitë që ajo përcolli sipas ministrit të Jashtëm ishte se “diplomacia shqiptare nuk mund të ecë më me formula të çimentuara” dhe se “duhet të ketë një fizionomi kombëtare, që duhet kërkuar në veprimin e kurdohershëm e kurdondodhur të interesave kombëtare të Shqipërisë. Sot në rajon nuk mund të bëhet më asgjë as në kurriz, as pa dijeninë e Shqipërisë”. Përveç çeljes së negociatave pas marrjes së statusit kandidat dhe thellimit të bashkëpunimit strategjik dhe shumëfaktorial me Kosovën, një theks i veçantë u vu te parimet e diplomacisë ekonomike, duke kërkuar nga ana e trupit diplomatik një sinergji dhe efikasitet më të madh. Në këtë prizëm është me vend që ky debat të thellohet dhe të zërë vend edhe në arenën publike për të artikuluar dhe avancuar ide alternative se si mund të konkretizohet në praktikë, duke ruajtur nga njëra anë parimin e eficiencës dhe racionalizimit të burimeve dhe nga ana tjetër duke maksimizuar suksesin.
Një nga pikat e para që mendoj se duhet të ketë prioritet është avancimi i tezës që Shqipëria duhet të jetë një avokate e vendosur e metodës së diplomacisë “network”, e cila nënkupton bashkëveprimin në organizata të ndryshme ndërqeveritare, duke maksimizuar interesin shtetëror, duke përfshirë këtu diplomacinë shumëvektoriale si vend anëtar i organizmave ballkanikë (CEFTA), rajonalë (psh. anëtar i Unionit për Mesdheun), trans-atlantik (NATO), globalë (OBT) e me radhë.
Nga ana tjetër lipset të fokusohemi te rritja e potencialit të “fuqisë së butë”, me anë të eksportimit dhe ekspozimit të resurseve kulturore, elementeve të traditës, folklorit, kinematografisë, teatrit, muzikës. Kjo na bën të dukshëm në skenën rajonale dhe botërore me pak investim, duke shfrytëzuar potencialet ekzistuese dhe me anë të një reklamimi më të mirë dhe efikas. Në këtë këndvështrim, duhet parë dhe thelluar rritja e potencialit së diplomacisë sportive, duke u fokusuar në dy-tri sporte me avantazh tradicional krahasues (të tilla si peshëngritja, qitja, ndoshta futbolli), nëpërmjet investimit strategjik në këto fusha, siç kanë bërë së fundmi Belgjika, Kolumbia etj., e më pas përdorimin e vetë-marketingut të tyre për qëllime lobuese, reklamuese dhe afruese me aktorë dhe faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Po aq e rëndësishme është rritja e potencialit për diplomaci publike nëpërmjet trajnimit të stafit diplomatik dhe konsullor për organizimin e “workshop”-eve dhe konferencave të ndryshme, si dhe organizimin e seminareve të bashkërenduara me dhomat e tregtisë dhe industrisë në vendet pritëse, përfaqësues të biznesit, në universitete etj., për një prezantim më të mirë të vendit. Kjo mund të arrihet për shembull me një rekrutim më adekuat të specialistëve si teknikë të specializuar të rrjeteve të informimit, strategjistëve të komunikimeve dixhitale dhe specialistë të marketingut, duke shfrytëzuar maksimalisht dhe aksesin në rrjetet sociale si. ‘YouTube’, ‘Flickr’, ‘Facebook’, ‘Twitter’ etj. Po ashtu, mund të rritej aksesi reciprok me organizatat e diasporës, ku mund të përmendim si masa konkrete, promovimin e një sërë personalitetesh si konsuj nderi, veçanërisht në shtetet e pambuluara me shërbime diplomatike/konsullore, mbështetjen e rrjeteve të specializuara (kulturore, shkencore etj.) të krijuara ndërkohë nga shqiptarët nëpër botë, fuqizimin e Institutit të Diasporës etj.
Kanalizimi i informacionit për tregjet e huaja investitorëve vendës nga njëra anë, ndërkohë që nëpërmjet kombinimit të një strategjie koherente me taktika bindëse të maksimizohet tërheqja e investitorëve të huaj, jo nëpërmjet sloganeve abstrakte për atë çka ofrojmë, por me theks mbi avantazhet krahasuese që kemi në rajon e më gjerë. Diplomacia tregtare duhet njëkohësisht të krijojë dhe zgjerojë oportunitetet jashtë, duke u bazuar te praktikat më të mira të vendeve me madhësinë dhe peshën specifike të Shqipërisë. Një propozim konkret në këtë drejtim mund të ishte krijimi i një Agjencie të Tregtisë me Jashtë, si ana tjetër e medaljes e AIDA-s ekzistuese, që shërben për thithjen e investimeve të huaja. Një rol tjetër që Ministria e Jashtme mund ta ndërmerrte në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë mund të ishte bashkërendimi për financimin e eksporteve për të bërë të mundur prioritizimin e dy-tre sektorëve të bujqësisë dhe industrisë, financimin adekuat të tyre dhe marketingun ndërkombëtar.
Pra e përmbledhur, politika e jashtme dhe agjentët e saj diplomatikë duhet të arrijnë të përdorin suksesshëm diplomacinë tregtare dhe informacionin e agreguar nga OJF-të, të specializuara duke përdorur influencën dhe lidhjet politike për të influencuar tregtinë me jashtë dhe investimet, për të përmirësuar funksionimin e tregjeve, adresimin e kostove dhe minimizimin e riskut në transaksionet ndërkufitare, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave pronësore. Së dyti, përdorimin e aseteve ekonomikë për të përforcuar të mirat e përbashkëta që vijnë nga bashkëpunimi dhe siguria ekonomike e ndërsjelltë, çka minimizon ose pamundëson klimën armiqësore ose dyshuese atje ku ajo ekziston dhe përqendrohet në ndërtimin e një klime besimi. Së treti, të shërbyerit e diplomacisë si një mjet agregimi i informacionit që ofron tregu vendas për ta shpërndarë te qeveritë homologe, dhomat e tregtisë dhe industrisë dhe investitorëve privatë, duke ‘shfrytëzuar’ agjentët kulturorë, letrarë, sportivë etj., për të rritur eficiencën dhe minimizuar kostot, ndërkohë që artikulon si agjent kryesor qëndrimin koherent të politikës së jashtme në institucionet respektive.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi