Një shërbim superior bashkëkombësve të vet
Nga Ksenofon Krisafi, botuar në Mapo Online, 15 korrik 2014
Kohët e fundit është botuar dhe ka dalë në qarkullim libri “Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807-1957”, me autor NdriçimKulla. Ai përmban punime nga 75 intelektualë, nga më të shquarit e Shqipërisë, prej fillimit të shekullit XIX deri në mesin e shekullit të kaluar, kur mendimi i lirë shqiptar u godit brutalisht dhe u ndalua nga sistemi komunist. Është një vepër shumëvëllimshe, një botim unikal në historinë e editorisë në krejt hapësirën shqiptare. Autorit të kësaj sipërmarrjeje 20-vjeçare duhet t’i njihet merita për nxjerrjen në dritë të kolanës së albanologut të madh me famë botërore, jezuitit At Giuseppe (Zef) Valentini, me 30 vëllimet e botuara në shqip prej tij, për veprën e Branko Merzhanit, Vangjel Kocës, Krist Malokit, Tajar Zavalanit, Astrit Delvinës etj. Ai i ka përgatitur ato me vështirësi dhe punë të palodhur dhe i ka botuar nëpërmjet Shtëpisë botuese “Plejad”, që ka marrë përsipër dhe ka botuar një pjesë të rëndësishme të kolanës “Mendimi Shqiptar”, e cila ka zënë një vend të nderuar në mjediset intelektuale shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.
Në një analizë tërësore të bilancit të deritanishëm, del se kishte ardhur momenti që këtyre simboleve të shenjta të mendimit shqiptar t’u ndërtohej një “muze” në kuptimin figurativ të fjalës, në formën e një botimi përmbledhës, kishte trokitur ora që ata, të grupuar në eksponentët e një krestomacie, t’i flisnin njëri-tjetrit dhe të komunikonin kronologjikisht, që lexuesi ta shijonte të plotë mozaikun shumëngjyrësh të mendimit shqiptar në çdo etapë, që kur nisi të kultivohej.
Në traditën e lashtë të çdo qytetërimi heronjtë e veprimit dhe të mendimit respektohen gjithmonë. Edhe populli ynë ka treguar respekt dhe vlerësim për figurat e shquara të nxjerra nga gjiri i tij. Por, me keqardhje duhet thënë se ende nuk është konsoliduar plotësisht praktika e një nderimi dhe përuljeje institucionale ndaj personazheve të mëdhenj të së shkuarës. Ne nuk kemi akoma një “Panteon” për shqiptarët më të mirënjohur. Nëse për politikanët që patëm në rrjedhën e jetës sonë historike, për një varg faktorësh, është e vështirë për të arritur në konsensusin e duhur për vlerat dhe kontributet e tyre, në fushën e kulturës sonë shpirtërore, i kemi mundësitë që të ndërtojmë një “Panteon”. Mund të thuhet se këtij “Panteoni” i është qasur kjo “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar 1807-1957”, si një projekt i thjeshtë, modest. Në faqet e tri vëllimeve të saj zënë vend emrat e 75 apostujve, të cilët, sipas rendit kronologjik janë: Gjon Gazuli, Marlin Barleti, Engjëll Mashi, Xhuzepe Krispi, Vincenso Dorsa, Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Elena Gjika, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Jani Vreto, Vaso Pasha, Sami Frashëri, Shahin Kolonja, Ismail Qemali, Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Lazër Shantoja, At Ambroz Malaskaj, Visarion Xhuvani, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, Fan Stilian Noli, Eqerem bej Vlora, Branko Merxhani, Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Krist Maloki, At Xhiuseppe (Zef) Valentini, Ernest Koliqi, Gaetano Petrotta, Karl Gurakuqi, Jorgji Meksi, Vangjel Ko]a, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Hafiz Ali Kraja, Ismet Toto, Safet Butka, Nonda Bulka, Sejfulla Malishova, Zef Mala, At Gjon Shllaku, At Benedikt Dema, At Donat Kurti, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, At Marian Serdani, Filip Fishta, Eqrem Çabej, Athanas Gegaj, Ilo Mitkë Qafzezi, Dhimitër Shuteriqi, Kristo Floqi, Mustafa Kruja, Osman Myderizi, Zef Mark Harapi, Shtjefën Gjeçovi, Dom Nikoll Gazuli, At Bernadin Palaj, Dom Gaspër Gurakuqi, Jakov Milaj, Dom Ndoc Suma, Gjon Kasmi, Mitrush Kuteli, At Justin Rrota, Mati Logoreci, Martin Camaj, Namik Resuli, Selman Riza, Aleksandër Xhuvani etj.
Kjo është lista emërore e “Panteoni-t” virtual që propozon autori, e cila, siç pohon edhe ai vetë, nuk është shteruese. Është pothuajse ajka intelektuale që doli nga gjiri ynë në dy shekujt e fundit. Ajo vjen që nga thellësia e “Moteve të Arbrit” me Engjëll Mashin, si për të na kujtuar në këtë vit jubilar të 200-vjetorit të De Radës, se mendimi shqiptar e hapi rrugën e plazmimit të idealeve të veta shumë larg prej truallit të tij amtar, në diasporë, në Kalabri. Pasi lëshoi rrezet e para të agimit të ideologjisë kombëtare tek arbëreshët e Italisë, vatrat më të zjarrta të rrezatimit të këtij mendimi u bënë qendrat më frymëzuese të emigracionit shqiptar ku nisi të përhapej ajo lëvizje, që në fakt ishte iluminizmi i shqiptarëve, e cila më vonë mori emrin domethënës – Rilindja Kombëtare Shqiptare. Ajo u përhap e rrezatoi ngado, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në shtete të tjera ku shqiptarët u ndodhën e punuan për atdheun e tyre. Mjafton të përmendim se në qendër të Perandorisë Otomane, në Stamboll, në fundin e shek. XlX jetuan dhe kontribuan tre vëllezërit Frashëri, Abdyli, teoricieni, politikani dhe diplomati i shquar i çështjes kombëtare, Samiu, ideologu kryesor i platformës së Rilindjes, Naimi, poeti që frymëzoi në mënyrë masive popullin për pavarësinë e tij.
Shteti shqiptar startoi një shekull më parë dhe mbetet ende një ndër shtetet më të rinj në moshë në kontinentin europian. Historia e tij, prej fillimit dhe deri më sot dominohet, për fat të keq, nga një tension permanent i shkaktuar deri në njëfarë mase nga energji negative të atyre që e drejtuan. Ata që i folën popullit të tyre hapur, me sinqeritet dhe që nuk kursyen asgjë për ndërtimin e këtij vendi ishin mendimtarët, krijuesit, intelektualët. Prandaj kemi të drejtë të themi se Shqipërinë, më shumë se politikanët, e bënë mendimtarët e saj. Ata u bënë themeluesit e vërtetë të saj. Me dashurinë për vendin e tyre, me dijen, kulturën dhe aftësitë e kultivuara në universitetet më të mira ku u shkolluan, sollën dhe mbollën në vendin e tyre të varfër një klimë të shëndetshme ideore, që u bë “oazi i optimizmit”. Si një shkëlqim për qytetërimin perëndimor që ata aspiruan u ndez në atë periudhe teoria filozofike e “Neoshqiptarizmës” së Branko Merxhanit. Akoma më të shndritshme ishin tentativat mendore të Zef Valentinit për të çuar në ndërgjegjen e shqiptarëve një qytetërim të ri. Në kulminacionin e viteve ‘30 të shek. të kaluar Shqipëria u përfaqësua nga një konstelacion mendimtarësh, sociologësh, studiuesish dhe intelektualësh të klasit të parë. Katastrofa apokaliptike, që solli diktatura për 50 vjet me radhë në vendin tonë e vështirësuar së tepërmi edhe nga ky tranzicion i gjatë i këtij çerek shekulli, e ka bërë të vështirë ende rigjenerimin e natyrshëm të elitave të mendimit. Edhe në këto momente apogjeu i përket elitës së mendimit të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Ishte pikërisht ajo që bëri të mundur ruajtjen e imunitetit të bashkëkombësve të tyre nga sulmet e vazhdueshme që tentuan zhbërjen e substancës shqiptare. Tek ajo duhet drejtuar dhe duhet rikthyer sa më shpesh për t’u frymëzuar për t’u përpjekur për të kontribuar në dobi të vendit.
Me këtë prurje të re në literaturën e përditshme autori iu bën një shërbim superior bashkëkombësve të vet. Ai u ofron atyre “Panteonin” e mendimit shqiptar më të kualifikuar, që vërshon i freskët, si atëherë, por tashmë i papenguar nga digat dhe vargonjtë e ideologjive. Të bashkuar në tri vëllime, të punuar në mënyrë cilësore, mendimtarët e kohëve të shkuara flasin për problemet dhe plagët tona aktuale. Ata mbeten një rini e përjetshme mendore e jona, që na kujtojnë përherë, se nuk vdes kurrë trashëgimia jonë mendore. Ky mendim shtegton në mendjet e çdo gjenerate, si për t’i thënë çdokujt: Ne e bëmë Shqipërinë tonë, po ju, a do jeni vallë në gjendje që ta lartësoni emrin saj? Kësaj pyetjeje i jep një përgjigje edhe kjo Enciklopedi Antologjike.