Demokracia dhe nata e kapitalizmit global
Politikani dhe studiuesi me përvojë Servet Pëllumbi, zbërthen disa nga idetë qëndrore të librit të tij “Etikokracia – Refleksione mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë”. “Ndodh që pakënaqësitë nga niveli i arritur i demokracisë dhe nga hallet e jetës së përditshme, apo nga politikanët që pasi marrin votat s’interesohen më për premtimet e dhëna, të shndërrohen në zhgënjim ndaj vlerave të demokracisë”, shprehet Pëllumbi
Profesor Pëllumbi, libri juaj “Etikokracia- refleksione për teorinë dhe praktikën e demokracisë” ,botuar në fund të vitit të kaluar, është pritur me interes për çka dëshmojnë edhe promovimet, brenda e jashtë Shqipërisë, apo jehona që i është bërë në disa organe shtypi. Përveç kënaqësisë që ju jep kjo a mund të na shpjegoni për lexuesit çfarë e bën të veçantë këtë libër?
Në radhë të parë, më lejoni që nëpërmjet revistës tuaj, të falënderoj Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Kryetarin e saj Muzafer Korkuti dhe akademikun Anastas Angjeli për organizimin e simpoziumit për librin Etikokracia – refleksione për teorinë dhe praktikën e demokracisë. Po kështu falënderoj për interesimin dhe organizimin e përsosur, Rektorin e Universiteti të Europës Juglindore – Tetovë , profesorët Ali Pajaziti, Hasan Jashari, Demrush Bajrami dhe Betim Çico; Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës , profesorët Zeqirja Rexhepi, Abdylnaser Sinani, Ardita Abduli, si dhe studentët e shumtë e të vëmendshëm të Fakultetit të filozofisë. Pata impresione të bukura !
Të vijmë tani te pjesa tjetër e pyetjes tuaj. Kam mendimin se vetë tematika e përfshirë në Etikokracia…,analiza e dukurive të reja, e mbështetur mbi vëzhgime, studime e fakte jetësore, i jep këtij libri një aktualitet të veçantë. Tema e demokracisë është me rëndësi jetike për të gjitha grupet sociale të shoqërisë, sidomos në kohët e zhvillimeve të mëdha, të ndërrimit të sistemeve, epokave, të rishikimit e të përsosjes së rregullave e normave të bashkëjetesës në shoqëri që, nga njëra anë, janë të trazuara e plot rreziqe, kurse nga ana tjetër, plot mundësi për zhvillime cilësore e të shpejta përpara. Në këtë vështrim interesimi për teorinë dhe praktikën e demokracisë, natyrshëm, do të vazhdojë të jetë i madh, sidomos në vende të demokracisë së re ku bën pjesë dhe vendi ynë.
Megjithatë, profesor, shpresat e njerëzve te“fuqia çudibërëse”e demokracisë, që u demonstruan në mënyrë masive në vitet e para të tranzicionit , siç thoni ju në librin tuaj, janë tkurrur shumë gjë që shoqërohet me zhgënjime, pse jo dhe me tensionime politike shqetësuese. Cili është komenti juaj për një dukuri të tillë?
-Problemi kyç me të cilin ndeshet demokracia duket si tërësisht i natyrës teorike, por në të vërtetë më tepër është çështje e praktikës .Shumica e njerëzve prisnin shumë nga vendosja e demokracisë, prisnin ndryshimin e menjëhershëm të sistemit, zgjidhjen e të gjitha halleve e vështirësive, të akumuluara gjatë viteve të totalitarizmit, me atë vrull e shpejtësi, të cilën ju në pyetjen tuaj e emërtoni “fuqi çudibërëse”. Në të vërtetë demokracia nuk e ka e nuk mund ta ketë një fuqi të tillë. Forca e saj, siç dihet, janë vetë njerëzit , liritë dhe të drejtat demokratike, pjesëmarrja e tyre aktive në gjithë jetën e vendit, sidomos në zgjedhjen dhe kontrollin ndaj institucioneve dhe zyrtarëve të të gjitha kategorive e niveleve. Ndërkohë, nga sondazhet e vëzhgimet sociologjike, rezulton se shumica e njerëzve tek ne ende nuk e kuptojnë si duhet dallimin midis idesë së demokracisë dhe realitetit social-politik në të cilin jetojnë.
Ndodh, për këtë arsye, që pakënaqësitë nga niveli i arritur i demokracisë dhe nga hallet e jetës së përditshme, apo nga politikanët që pasi marrin votat s’interesohen më për premtimet e dhëna, të shndërrohen në zhgënjim ndaj vlerave të demokracisë, gjë që çon në krizë besimi e në “kohë të trazuara”. Patologjive të tilla sociale dhe psikologjike, fatkeqësisht , klasa politike tek ne nuk u kushton vëmendjen e duhur, por rri e pret zgjedhjet e radhës…Në këtë rast, së pari, harrohet në mënyrë të pa falshme, se demokracia , në thelb, i ngjan një simfonie që luhet nga një orkestër e përgatitur mirë dhe jo vetëm nga njëinstrument i zhurmuar nga të tjerët,dhe ,së dyti, se demokracia nga themeluesit e mëdhenj të saj, u konceptua si pakt social, që mbështetet mbi rregulla loje e mbi ligje, prandaj dhe përmban mundësinë që të gjitha kontradiktat sociale e problemet që shoqërojnë ato ,të zgjidhen në kuadrin e sistemit duke e reformuar e përsosur atë dhe duke evituar traumatt sociale. Këtë A,B,C,të demokracisë, duket sikur politikanët tanë ende nuk e kanë mësuar si duhet!
Lidhur me vlerat e demokracisë kam përshtypjen se shumë njerëz e identifikojnë atë me barazitizmin, me qenien të barabartë në çdo aspekt e drejtim dhe kur ndeshen me pabarazitë reale ,apo me thellimin e hendekut në të ardhurat midis të pasurve dhe të varfërve, thonë “mori fund demokracia!”. A mund të jepni një mendim për këtë çështje për lexuesit tanë?
Po,me kënaqësi. Aq më tepër që me këtë pyetje kini rrokur thelbin e natyrës kontradiktore të demokracisë. Në të vërtetë vlerë Nr. 1 e demokracisë nuk është barazia në çdo gjë e për çdo gjë, por drejtësia sociale e cila s’ka të bëjë me barazitizmin e komunizmit. Në të vërtetë njerëzit duhet të kërkojnë nga politika jo barazi formale, por barazi të shanseve dhe që të rritet hap pas hapi drejtësia e vërtetë sociale. Ndërkohë, siç delnga sondazhet sociologjike, rreth 80 për qind e të pyeturve mendojnë, se një drejtësi e tillë sociale mungon në mënyrë të ndjeshme për shumicën dërmuese të njerëzve. Për t’u bindur për këtë mjafton të shohësh :1. Pasojat e taksës së sheshtë, që thelluan hendekun midis ekstremeve të shoqërisë, të pasurve dhe të varfërve;2. Privatizimet dhe dhënien me koncesion të pronave publike ,të shndërruara në fusha korrupsioni . Mburrja e ish- kryeministrit 2005-2013, se “Shqipëria është vendi më privat në botë”,në thelb, është firmosje e goditjes së rëndë kundër drejtësisë sociale. Prandaj, në se duam rivendosjen e drejtësisë sociale të gjitha privatizimet e kësaj natyre duhet të kalojnë në sitën e organeve të drejtësisë.
Në favor të ngushtimit të hendekut në të ardhurat midis më të pasurve dhe më të varfërve, që siç thashë tek ne ka ardhur duke u thelluar, do të ishte edhe zbatimi i kriterit të aplikuar nga Sociologët për vendet e zhvilluara , sipas të cilit diferenca në të ardhura midis 10 për qind të atyre me të ardhura më të larta dhe 10 për qind të atyre me të ardhura më të pakta, pra midis këtyre dy ekstremeve, të mos jetë më tepër se 4-6 herë. Edhe pse një tregues i tillë ende nuk ka filluar të aplikohet në mënyrë sistematike tek ne, të dhënat e përafërta tregojnë se ky raport, falë fetishizimit të modelit liberal nga PD, shkon mbi 20-25 herë.
Gjithsesi, e quaj pozitive, që në përputhje me drejtësinë sociale, që sot quhet racionale e moderne, pritet të veprojë edhe tek ne parimi tatimor, i shtruar nga qeverisja aktuale e Rilindjes : “kush fiton më shumë paguan më shumë”. Opozita e “djathtë”,që vazhdon të ecë në rrugën e berishizmit (me e pa Berishën )e quan këtë të gabuar, madje e emërton, pa përgjegjësi, si taksë marksiste, kurse në të vërtetë ajo është taksë e kohëve moderne, një masë e domosdoshme , që çështjen e raporteve në të ardhurat midis ekstremeve të shoqërisë, nuk i ‘a le spontanitetit. Ndryshe, pasoja më e afërt do të ishte rënia drastike e autoritetit të pushtetit , e besimit te demokracia dhe te humanizmi, kurse më e lagëta përçarja sociale, mosbindja qytetare dhe destabiliteti politik i vendit. Në një rast të tillë, kontradiktat sociale nuk mund të zgjidhen brenda sistemit dhe ai rrezikon të rrënohet.
Zoti Pëllumbi , ju po thoni se demokracia liberale si pakt social e ka mbyllur ciklin e vet ,prandaj dhe politikanët që vazhdojnë ta mbrojnë e kanë gabim se mbrojnë diçka që i ka ikur koha, ndërkohë filozofi i njohur amerikan me mbiemër japonez Frensis Fukujama, ka shkruar për fitoren përfundimtare të demokracisë liberale gjë që, sipas tij, shënon dhe “ fundin e historisë”. Ç’argumente mund të sillen në favor të njërës a të tjetrës hipotezë?
Tani më fute plotësisht në sferën e teorisë së demokracisë, posaçërisht të së ardhmes së saj, të cilës unë i kushtoj pjesën më të madhe të librit Etikokracia… Për tezën e Fukujamës problemi është i thjeshtë dhe i sqaruar prej vetë autorit. Ishte diçka propagandistike në euforinë e fitores mbi socializmin e totalitarizmin e tipit sovjetik, nga e cila ai vetë , pas kritikave që ju bënë, hoqi dorë. Nuk ka “fund të historisë”, sepse demokracia nuk mund të nxirret arbitrarisht nga procesi historik. Prandaj, detyra e studiuesve dhe e politikës është që të mos “flenë” mbi një nga format tradicionale të demokracisë, por të ndjekin evoluimin e saj, pasurimin e përmbajtjes , të larmisë së formave dhe mjeteve të konsolidimit të saj.
Kriza globale e kapitalizmit, që nisi në vitin 2008, e dyta që pritet dhe që ka për të qenë më e gjatë, nuk kërkojnë thjesht përmirësime të liberalizmit ekonomik klasik dhe as të demokracisë liberale, por ide e forma të reja demokracie, reformime të thella strukturore të vetë sistemit të ekonomisë së tregut që ka hyrë në “natën” e vet .Përballë sundimit në rritje të korporatave dhe oligarkisë transnacionale,që përfshijnë gjithë planetin,por që s’njohin, as demokraci e as zgjedhje , zhvlerësohet çdo lloj demokracie liberale ,përfshi dhe në çdo vend të marrë veças. Madje, siç tregojnë faktet vihet në pikëpyetje vetë ekzistenca e klasës së mesme që është garante e ekuilibrave politikë të sistemit.
Procese të tilla vetë shtetin kombëtar e shndërrojnë në vegël në shërbim të biznesit global e jo të popullit të vet. Ndërkaq, kapja e shtetit nga Mafia dhe krimi i organizuar, merr forma të shëmtuara dhe të rrezikshme. Për pasojë demokracia liberale, liria dhe vetpërcaktimi i individit, si arritje historike e Rilindjes dhe iluminizmit Europian, futen në krizë të thellë .E kjo çon në humbje pa kthim të demokracisë. Mund të duket sikur ne qëndrojmë larg proceseve të tilla botërore, por realisht ky do të ishte një iluzion i dëmshëm, si dhe një tregues prapambetjeje politike të pafalshme. Aq më keq kur këto përligjen me logjikën naive ,se ne “jemi ende në tunelin tranzicionit politik”!
Profesor Pëllumbi, në përgjigjen tuaj shtruat disa konceptime të reja që ,mbase, kanë nevojë për sqarim të mëtejshëm. Kështu ju përdorët konceptin “natë e kapitalizmit”, kur ne kërkojmë “ndërtimin e kapitalizmit”, thatë se” klasa e mesme”, që deri tani quhej shtylla e demokracisë, po rrezikohet seriozisht .A mund të vazhdojmë më tej bisedën tonë rreth këtyre koncepteve?
Koncepti “natë e kapitalizmit”nuk është thjesht figurativ, por shprehje e gjendjes së një shoqërie në krizë , që në thelbin e vet s’është vetëm ekonomiko-financiare, por krizë e sistemit, sepse përfshin të gjitha fushat: ekonominë dhe politikën, shtetin ligjor dhe demokracinë, kulturën dhe ndërgjegjen shoqërore, cilësinë dhe nivelin e jetesës. Shkaku më i thellë i saj qëndron në konfliktin midis teknologjive të reja dhe globalizimit ,nga njëra anë, dhe sistemit social ,tashmë të vjetruar të epokës industriale,nga ana tjetër. Veçse, njerëzimi nuk ka pse të identifikohet me “natën e kapitalizmit global”,ai mund e duhet të shpëtohet. Një mundësi e tillë është bërë objekt studimesh komplekse që po jep frytet e para inkurajuese.
Çështjet që lidhen me fatin e “klasës së mesme”ngjallin interes të veçantë. Ky interes, në thelb, është i lidhur edhe me fatin e demokracive sociale, që lindën në Europë pas Luftës së dytë Botërore dhe synonin vënien e paqes sociale dhe të bashkëjetesës paqësore mbi fitimin maksimal dhe luftën e klasave. Nuk ishte e rastit që kjo ndikoj për rritjen e shpejtë të klasës së mesme dhe të një lëvizjeje sindikale mbrojtëse të fuqishme të demokracisë sociale. Në mjaft shtete kapitalizmi parlamentar filloj të merrte një fytyrë më njerëzore nga kapitalizmi i ekonomisë së tregut të lirë, kurse demokracia sociale njohu arritje të reja. Megjithatë demokracia sociale, duke qenë formë e brendshme e sistemit kapitalist, ndihet gjithmonë e kërcënuar dhe e pasigurt.
Ndërkohë, pas vitit 1989, e djathta u ndje e inkurajuar nga dështimi i socializmit totalitar dhe filloj sulmin kundër demokracisë sociale dhe shtetit social nga pozitat e një neoliberalizmi agresiv. Kjo në thelb, më pas u bë rruga që përgatiti krizën globale. Rrudhja e demokracisë sociale e gërshetuar me deindustrializimin e vendeve të zhvilluara që transferuan prodhimin industrial në vende ku fuqia punëtore është e lirë, bëri që klasa e mesme, që në mjaft prej këtyre vendeve përbën shumicën e popullsisë, të ndihet e kërcënuar , e shpronësuar, jashtë “boshtit të gravitetit të sistemit”dhe të dalë në ballë të luftës për ekzistencën e vet. Lëvizjet e protestave masive të tipit Occopy Woll street ,që kanë në qendër klasën e mesme dhe që po përhapen në gjithë botën, janë një tregues domethënës.
Më falni se po ju ndërpres , Z.Pëllumbi , por më lind pyetja: ç’pritet të ndodhë, a ka mundësi që në kuadrin e demokracisë Perëndimore, që është më e zhvilluara, të zgjidhen kontradiktat e sistemit dhe kapitalizmi të dalë nga kjo gjendje “nate”,apo pritet ndonjë spirale tjetër luftërash shkatërrimtare revolucionesh me dhunë?
Është e vështirë të japësh një përgjigje të prerë për pyetje të tilla, kur të dyja alternativat që shtruat ju me pyetjen tuaj, janë të mundshme. Në librin “Etikracia…”jam përpjekur të analizoj gjerësisht mundësinë apo alternativën që lidhet me aftësitë e treguara nga sistemi kapitalist për t’u reformuar e përshtatur ndaj të rejave të epokës. Them se për këtë kërkohet një mendim e humanizëm i ri, pse jo dhe një lloj konvergjence e rrugëve të ndryshme dhe e forcave lëvizëse te ekonomisë së tregut me ato të socializmit demokratik ,sepse historikisht si liberalizmi dhe socializmi kanë pasur të njëjtin burim ideor dhe kanë lindur afërsisht në të njëjtën kohë.
Për të qenë më i qartë dhe më konkret po i referohem një faktori që mund të marrë peshë të veçantë në të ardhmen duke u bërë ,në një lloj kuptimi, shpëtimtar edhe për demokracinë. E rëndësishme është e drejta për të pasur punë dhe një pagë më të mirë, por edhe më e rëndësishme është e drejta e punonjësve për të zotëruar pronë. Ndryshe, nuk mund të ketë pushtet real dhe as demokraci efektive. Këtu qëndron, dallimi si me kapitalizmin korporativ të sotëm, ashtu dhe me socializmin shtetëror të djeshëm . Pozitive është që vitet e fundit në 30-40 vendet e zhvilluara kapitaliste vihet re dukuria e lindjes së një sektori ekonomik me perspektivë, si një alternative pak a shumë e qëndrueshme, që bazohet mbi pronën e punonjësve. Kjo lloj prone ngjason me një pronë kolektive të një tipi të veçantë, që i i qëndron valës neoliberale kundër reformacion, që përfshiu perëndimin në periudhën Regan-Teçer. Për shumë arsye kjo risi meriton vëmendje të posaçme, sepse mund të bëhet alternativë, si për kapitalizmin ,ashtu dhe për socializmin burokratik-shtetëror duke vërtetuar edhe filozofinë e popullit që thotë :”Edhe nga një ferrë e vogël mund të dalë një lepur i madh”! Interesi rritet edhe, sepse në perëndim ka një lëvizje intelektuale relativisht të fuqishme që mbështet superioritetin e një rruge të tillë reformimi të kapitalizmit. Një tregues interesi është ,bije fjala, që çmimin Nobel për ekonominë( v.2009) studiuesja amerikane Eleonor Ostrom e morri pikërisht për argumentimin e gjerë të efektivitetit social-ekonomik të pronës kolektive që ,sipas saj,u përgjigjet realiteteve të sotme postmoderne. Libri i saj: “Duke drejtuar të përbashkëtën. Evolucioni i Instituteve të bashkëpunimit”,është përkthyer në disa gjuhë të botës.
Ndërkohë, libri i Stounit nuk është i vetmi. Për prioritetin e pronës kolektive apo siç quhet, shpesh ,për rrugën e tretë në ekonomi,kanë shkruar edhe shumë autorë të tjerë të përfshirë në botimin e përbashkët Nga puna me mëditje në punën e lirë,ose “rruga e tretë”në ekonomi (2011). Autorët provojnë, bazuar në shembuj të shumtë konkretë , se më me dinamizëm zhvillohen firmat që u kanë kushtuar kujdes më të madh pjesëmarrjes së punëtorëve në drejtimin dhe kontrollin mbi pronën.
(Shembulli i kompanisë së mobiljeve “Herman Miller”,poligrafikut Kwat –Grafix, uzinës së shkrirjes së çelikut “ Wermon”, Kolombia Aluminium” etj.) Për pasojë rreth 1000 kompani çdo vit në SHBA ndryshojnë karakterin e zotërimit të kapitalit të aksioneve duke u kthyer në kompani me pronësi të punonjësve. Kjo lëvizje e aksioneve masive po shtrihet dhe mbi kompanitë e mëdha. Kështu 45 mijë punonjës të supermarkeve Publix zotërojnë 100% të aksioneve. Pjesë të paketës së aksioneve për punonjësit e tyre kanë porositur edhe korporata të njohura si Boing, Procter & Gamble, Johnson & Johnson etj.
Këto nuk janë shembuj të izoluar. Për më tepër që në situatën e krizës globale, autorë të ndryshëm si në SHBA edhe në Europë, po i bëjnë jehonë “Programit të nxitjes së punonjësve për të pasur aksione” («Employer stock ownership plan,ESOP)në themel të të cilit janë idetë e shkencëtarit dhe biznesmenit L.Kelso. Drejtimi i ESOP-it bëhet jo sipas skemës klasike: një aksion një votë ,por sipas asaj demokratike të mirëfilltë, një aksioner një votë . Sot në SHBA funksionojnë sipas parimeve demokratike të ESOP-it ,12 mijë ndërmarrje, aktivet e të cilave kapin mbi 120 miliard $ dhe përfshijnë në veprimtarinë e tyre mbi 13% të gjithë fuqisë punëtore amerikane. Ndërkaq, këto reklamohen si ndërmarrjet më rentabël dhe më të afta për konkurrim. Ja një hapësirë , apo një dritare reformimi për ta “zbardhur natën e kapitalizmit” dhe për të kufizuar pushtetin e korporatave globale.
A mund të gjendet në këtë lloj përvoje ndonjë hapësirë edhe për vendet e demokracisë së re ku bën pjesë dhe Shqipëria?
Problem madhor i këtyre vendeve, pra dhe i yni, është se nuk njohin ,as kapitalizmin (me që nuk kaluan nëpër stadin e kapitalizmit të zhvilluar) ,por as socializmin e mirëfilltë, sepse socializmi i tipit sovjetik, që menduan se ndërtuan, nuk ishte gjë tjetër veçse një formë e kapitalizmit shtetëror burokratik. Në këtë kuptim, sfidat e politikave bashkëkohore, që diktohen nga sinteza e të kundërtave dhe “hapësira e kryqëzuar” e doktrinave të të gjitha palëve politike, mbeten si një mundësi e pa shfrytëzuar.Tek ne ,p.r.sh.ende nuk është ngritur bursa pa të cilën as që mund të bëhet fjalë për ndermarrje në të cilat për qindje të caktuara të punonjësve të jenë aksionerë, pra pronarë. Kjo do ti hapte rrugën asaj që Fric Shumaher e quan shkallë njerëzore , me të cilën duhet kuptuar: 1. Mbështetje e organizimit dhe menaxhimit në njësi më të vogla pune dhe kooperimi; 2. Rrethimi i qyteteve të mëdhenj(si Tirana) nga fshatra urbane ; 3. Rritje të rolit të lëvizjeve e bashkimeve qytetare për të bërë vetë atë që nuk e bën Shteti.
Për plotësim dhe konkretizim të idesë, po u referohem edhe disa politikave e praktikave konkrete në fushën e prodhimit bujqësor, ku që prej 20 vjetësh vazhdojnë të vegjetojnë 440 mijë ferma me 1.4 ha secila mesatarisht. (Fjalori Encikplopedik Shqiptar, Viti 2008, F. 320).Vonë, por gjithsesi është shtruar nevoja e njohjes së përvojës së Bashkimit Europian ku funksionojnë kooperativa të të gjitha llojeve. Kooperativat bujqësore në Europë përfaqësojnë mbi 50 për qind të ofertës për inpute bujqësore dhe mbi 60 përqind të ofertës së grumbullimit, përpunimit dhe marketingut të produkteve bujqësore.Ndërkohë, në Shqipëri, edhe pse ka një ligj Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), vazhdon alergjia ndaj vlerave kolektive. Për pasojë integrimi i dallimeve, që është kusht për funksionimin e demokracisë, vazhdon të rrijë mbyllur brënda kornizave të ngushta të individualizmit dhe mburrjeve shterpë , se “jemi vendi më privat në botë”! Në një rast të tillë “më produktive”mbetet të jetë varfëria ideore, ”demokracia” e sherreve dhe e fyerjeve banale midis politikanëve në Parlament dhe media…!
Profesor, edhe një pyetje të fundit:Librin e kini titulluar” Etikokracia.”,që do të thotë sundim i etikës, i moralit. Mendoni se çështjet që trajtuam janë të natyrës morale e mund të zgjidhen vetëm përmes tij?
Kursesi jo, se kjo do të ishte një utopi e kulluar. Çështja është se sot koha e evidenton këtë si një imperativ kategorik, sipas të cilit njerëzimi, ose do të bashkohet e të zgjidhë kontradiktat e problemet jetike që ka përpara, ose nuk do të jetë më. Është një situatë e ngjashme me atë të fillimit të njerëzimit, kur tre faktorë kushtëzuan ekzistencën: Gjuha, logjika e të menduarit dhe morali i të jetuarit: unë,ti,ne!Këtë e venë në dukje edhe “Librat e shënjtë” të popujve më të lashtë Lindje-Perëndim. Kuptohet, kjo nuk do të thotë, se bien faktorët e tjerë, bije fjala roli i prodhimit dhe i kapitalit, por se …rolin përcaktues e prioritar për ekzistencën e gjinisë njerëzore fillon ta lozë informacioni, vetëdija morale, pra, etikokracia Megjithatë jam i hapur ndaj vrejtjeve të lexuesve, sepse edhe libri është konceptuar si debat i hapur për demokracinë.